Lansohen videot tutoriale të e-Prokurimit

Aktuale

Lansohen videot tutoriale të e-Prokurimit

Më: 24 maj 2019 Në ora: 14:05
Pamje nga takimi

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), me mbështetje nga USAID-i, lansoi video tutorialet që udhëzojnë shikuesit për përdorimin e platformës së prokurimit elektronik. Video tutorialet do të zëvendësojnë sesionet e trajnimit klasik në klasë me një përvojë online që mund të shikohet atëherë kur i konvenon përdoruesit.

Të gjithë zyrtarët qeveritarë të cilët janë të ngarkuar me zbatimin e procedurave të duhura të prokurimit do të jenë në gjendje të përfitojnë dhe të mësojnë nga këto video tutoriale. Në mënyrë të ngjashme, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile do të përdorin tutorialet online për të mësuar si mund ta regjistrojnë subjektin e tyre në platformën e prokurimit elektronik dhe për të përgatitur dhe dorëzuar ofertat e tyre për tenderët publik.

Video tutorialet do të gjenden në kuadër të platformës së e-Prokurimit dhe në seksionin e udhëzuesve të trajnimit në uebfaqen e KRPP-së, duke promovuar qëndrueshmërinë afatgjatë dhe adoptimin më të plotë të platformës së e-Prokurimit.

Para prezantimit të përvojës online, KRPP-ja dhe Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), përmes mbështetjes nga aktiviteti i USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, organizuan shumë sesione mbi e-Prokurimin për zyrtarët e prokurimit, komunitetin e biznesit dhe organizatat e shoqërisë civile.

Mirëpo, kjo metodë e ofrimit të trajnimeve doli se merr shumë kohë dhe është e kushtueshme dhe e vështirë për t’u vazhduar duke pasur parasysh se për çdo përdorues të ri qeveria duhej të ofronte sesione të reja trajnimi.

Si pjesë e kapaciteteve më të qëndrueshme të trajnimit, KRPP-ja dhe IKAP-i tani po e krijojnë këtë mekanizëm trajnimi online, duke ecur drejt një sistemi për trajnimin e zyrtarëve publikë, veçanërisht atyre të sapo punësuar, me shkathtësitë e nevojshme për punën e tyre të prokurimit në mjedis modern të prokurimit elektronik.

Sot KRPP-ja hodhi në përdorim videot e reja të trajnimit për zyrtarët publikë dhe operatorët ekonomikë të sektorit privat.

Në fjalën e tij, kryetari i KRPP-së, Osman Vishaj ka cituar Ambasadorin e SHBA-ve, Kosnett, ku ai ishte shprehur se “Kosova po hynë në dhjetë vjetorin e dytë të pavarësisë dhe po mahnit botën sa i përket transparencës së prokurimit publik“ dhe ka falënderuar USAID-in dhe Projektin TEAM për përkrahjen e vazhdueshme.

Vishaj deklaron se KRPP perceptohet si një autoritet i fuqishëm, që ndikon shumë në sistemin e Prokurimit Publik dhe se shërbimet e KRPP-së konsiderohen si profesionale dhe adekuate nga shumica e palëve të intervistuara. Për më tepër, KRPP ka krijuar sistemin e prokurimit elektronik në Kosovë dhe se nga 1 Janar 2019 të gjitha ofertat dorëzohen ne mënyrë elektronike pra përmes Platformës së E-Prokurimit.

Në ceremoninë e sotme, drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, së bashku me kryetarin e Bordit të KRPP-së, Osman Vishaj, të shoqëruar nga Drejtorja e IKAP-it, Refkije Sulcevsi zyrtarisht hodhën në përdorim video trajnimet për platformën e e-Prokurimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat