Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj, në profilin e tij në facebook, ka shpërndarë edhe një tjetër video nga mbrëmja gala me rastin e ndarjes së çmimit Skënderbe, në vitin 1997 në Cyrih të Zvicrës.
Kësaj radhe, Mazrekaj publikoi një video me momentin kur çmimi Skënderbe i jepet piktorit të njohur shqiptar e ndërkombëtar, Ibrahim Kodra.
“Ndër personalitetet e nderuara me çmimin Skënderbe, ishte edhe piktori shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Ibrahim Kodra (tashmë i ndjerë). Kujtojmë me këtë rast se në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me piktorin e njohur Pablo Picasso. Çmimin për piktorin Kodra do ta ndante bilbili i muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha”, shkruan Mazrekaj ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Ibrahim Kodra: Zemra po më thotë se çmimi Skënderbe është çmimi më i miri dhe më i rëndësishmi për mua
Gazeta kombëtare “Bota sot” bashkë me lexuesit e saj, donte t`i falënderonte personalitetet e shquara nga bota intelektuale dhe artistike e kombit. Kjo ishte arsyeja se përse u vendos organizimi i mbrëmjes gala ku këto personalitete do të nderoheshin me çmimin, i cili do të mbante emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Emërtimi i këtij çmimi me emrin Skënderbe vetëm sa do ta bënte më të fortë dhe më me vlerë qëllimin e gala mbrëmjes.
Ndër personalitetet e nderuara me çmimin Skënderbe, ishte edhe piktori shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Ibrahim Kodra (tashmë i ndjerë).
Kujtojmë me këtë rast se në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me piktorin e njohur Pablo Picasso.
Çmimin për piktorin Kodra do ta ndante bilbili i muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Piktori Kodra nga lexuesit e gazetës “Bota sot”, u nderua me çmimin Skënderbe, si personaliteti që e bëri të njohur Shqipërinë në fushën e arteve figurative.
Kodra, ndonëse pakëz i shtyrë në moshë, pranoi me kënaqësi pjesëmarrjen në mbrëmjen gala të organizuar nga “Bota sot.
Ai do të tregonte se si për veprat e tij ishte shpërblyer me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Por, çmimin Skënderbe do ta konsideronte si më të rëndësishmin.
“Por se zemra po më thotë se ky është çmimi më i miri dhe me rëndësi të madhe për mua”, kishte theksuar Kodra.
Piktori Ibrahim Kodra, fjalimin e tij do ta vazhdonte duke folur për prejardhjen e tij nga Ishemi i Durrësit, duke bërë një krahasim me sukseset e arritura.
“6000 piktura janë në gjithë botën. Kam kërkuar gjithmonë gjërat më të vështira të botës dhe të jetës së njeriut, misterin e kozmosit, misterin e lindjes, misterin e perëndimit, kam kërkuar gjëra të vështira që njeriu nuk mund t`i kuptoj.... Toka që po e kërkoj sot besoj ka me qenë atdheu im Shqipëria.