Këtë mund ta bëjë vetëm Hashim Thaçi, shikoni si e kishte lartësuar Sali Berishën - Bota Sot
Këtë mund ta bëjë vetëm Hashim Thaçi, shikoni si e kishte lartësuar Sali Berishën

Aktuale

Këtë mund ta bëjë vetëm Hashim Thaçi, shikoni si e kishte lartësuar Sali Berishën

Më: 25 maj 2019 Në ora: 12:16
Sali Berisha dhe Hashim Thaçi

Brenda një periudhe 6 vjeçare, miqësia e vjetër ndërmjet ish-kryeministrit të Sali Berishës dhe presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçit, është shndërruar në një armiqësi të egër, të shoqëruar me ofendime e fyerje të një pas njëshme.

Derisa në vitin 2013, Thaçi i thurte lavde Berishës dhe e quante lider historik te Shqipërisë, sot pas gjithë këtyre viteve ka ndryshuar plotësisht mendim. Ai e cilëson Berishë si një ‘gërmadhë politike’, ‘fosil’, e ‘argat të Sllobodan Millosheviqit.

Por një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm në njeri si Hashim Thaçi.

Përderisa dikur Thaçi e konsideronte Berishën si një njeri që ka kontribuar edhe për pavarësinë e Kosovës, sot thotë se ish-kryeministri i Shqipërisë kishte kërkuar që Kosova të mbetej nën autonominë e Serbisë.

“Si kryeministër i shtetit më të ri ndihëm krenar që bashkë me Ju z. Berisha punuam në shumë projekte të integrimeve kombëtare dhe zhvillimore të vendeve tona dhe rajonit. Me punën dhe qëndrimin tuaj Ju do të respektoheni gjithmonë si lider i rëndësishëm historik i Shqipërisë demokratike, i tranzicionit dhe sfidave 23 vjeçare të shtetit shqiptar”, kishte thënë Thaçi në vitin 2013.

Para gjashtë vitesh, Thaçi asnjëherë nuk kishte ngurruar që ta ngritë në piedestal Berishën.

“I nderuar Kryeministër Berisha, Ju keni dhënë kontribut të pamohueshëm për fitoren e demokracisë në Shqipëri, keni mbështetur vazhdimisht aspiratat e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe afirmim të të drejtave të shqiptarëve në rajon. Kontributi juaj do të mbetet historik për integrimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe hapjen perspektivës për integrime euroatlantike. Ju do të mbeteni përgjithmonë miku im dhe burrështetas i nderuar i popullit të Kosovës,” ishin fjalët e presidentit për Berishën.

Përplasja rreth idesë së korrigjimit të kufijve, ka bërë që Thaçi të ndryshojë plotësisht qëndrim për Berishë, duke shfaqur edhe mos durim ndaj tij, e duke iu referuar me iniciale si S.R.B (Sali Ramë Berisha).

Tashmë presidenti thotë çdo gjë të keqe për ish-mikun e tij të dikurshëm Sali Berishën, me të cilin shtregonin duart miqësishtë, e merrnin pjesë nëpër ceremoni inauguruese autostradash.

Hiq më larg se dje, ish-kreu i PDK’së, ka shkruar një reagim të gjatë ndaj një interviste që Berisha kishte dhënë në Opinion, e ku kishte treguar se Thaçi ishte ndaluar nga autoritetet shqiptare, dhe ishte intervistuar rreth vrasjes së gazetarit Ali Uka, pasi i ndjeri Uka kishte fjetur në të njejtën dhomë me Thaçin.

Ky është reagimi i Thaçit ndaj Sali Berishës, i shkruar të premten me 24 maj.

Të gjithë ne, politikanët shqiptarë, kemi kontributet dhe gabimet tona, për të cilat marrim vlerësim, por edhe mbajmë përgjegjësi përpara qytetarëve tanë. Historia dhe gjeneratat e ardhshme, do ta trajtojnë me kujdes trashëgiminë që ne do të lëmë pas.

Askush nga ne nuk ka qenë, nuk është dhe nuk besoj se do të jetë i shenjtë.

Me keqardhje dhe pa asnjë vullnet, jam i detyruar që të merrem për ta thënë të vërtetën e hidhur për një ish politikan të tillë. Nuk më sjell asnjë kënaqësi që të merrem me një relikt të shëmtuar, duke qenë i vetëdijshëm se ky intrigant bën përpjekje dëshpëruese të ushqejë hijen e tij, duke hedhur baltë mbi çdo gjë që konsiderohet si vlerë e traditës dhe kulturës sonë kombëtare.

Nuk kam asnjë dyshim se një ndër krimet më të mëdha në rrugëtimin e S.R.B, përveç përpjekjes për puç institucional, shkatërrimin e shtetit dhe demokracisë në Shqipëri, është edhe fakti se ai i shkatërroi edhe kodet e sjelljes dhe komunikimit të Odës Shqiptare.

Pse unë po e përmend Odën?

Për arsye se ai ka dëshirë të thirret në burrëri si dhe në tiparet e malësorit, gjë të cilën nuk e ka asnjërën.

Ai punoi tërë jetën duke përçarë kombin dhe vendin.

Tiparet e malësorit i humbi duke i shërbyer bllokut në vitet e diktaturës.

Ai gjithmonë thirret në emër të veriut të Shqipërisë, edhe pse tri dekada, me politikën e tij, veriun e la në gjendje të mjerueshme dhe në izolim.

Veriun e shfrytëzoi vetëm për të nxitur konfliktin veri-jug (kujto vitin 1997).

Për shkak të krimeve të tij, ai tash e tri dekada nuk ka guxim si qytetar i lirë ta vizitojë tokën ku ai lindi, trevën në të cilën u rrit, sepse me veprimet e veta mbolli përçarje dhe vëllavrasje.

S.R.B u shndërrua në zhurmues, përçarës dhe është i pabesi numër një i kombit tash e tri dekada.

As Odat Shqiptare, e lëre më parlamentet tona, nuk i toleruan sharjet, shpifjet, ulërimat dhe kacafytjet mes burrave.

Kurrë Oda Shqiptare nuk do të mbante në sofër burra që nuk kanë frena në gjuhë dhe ekuilibër në mendje.

Kjo traditë e jona, për një kohë të gjatë ishte një kod i pashkruar edhe brenda institucioneve shtetërore andej dhe këndej kufirit. Thelbi i këtij kodi të mirësjelljes ishte respekti minimal për njëri-tjetrin, për fjalën publike, e mbi të gjitha, respekti për qytetarët tanë.

Fatkeqësisht, sot nuk kemi respektim të normave të tilla. Dikush punoi shumë fort për ta shkatërruar këtë standard.

S.R.B është ai që solli këtë fatkeqësi të madhe në sofrën tonë dhe infektoi shumë politikanë me fjalorin e tij vulgar, duke u bërë modeli më i keq.

Atë që nuk e kam kuptuar dikur, por që më neverit edhe sot, është fakti se S.R.B është tjetër njeri kur të rri përballë në bisedë, pa të shikuar kurrë në sy, dhe një tjetër njeri kur i drejtohet publikut.

Fjalorin e tij të ulët publik, ai e quan politikë, ndërsa politikën një lojë ku duhet të fitosh me çdo çmim, duke thënë gjëra që s’i beson as vetë.

S.R B nuk i beson as një sekondë akuzave që i bën në drejtimin tim, madje ai vetë e di shumë mirë se ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.

Por, për S.R.B kjo është politika!

Një lojë e pistë pa rregulla dhe as kod etik.

Një turp i vërtetë, në fakt!

I jam trembur gjithnjë gjuhës së kontaminuar të S.R.B, sepse kurë nuk kam dashur që ajo të përhapet si epidemi edhe në Kosovë.

Për fat të keq, kjo epidemi preku edhe parlamentin, disa parti, media, të paguara me pare të pista nga burime të zeza, që rrjedhin nga Tirana e derdhen në Prishtinë.

E kam thënë dhe do ta them gjithnjë, se kam dhimbje kur e shoh si ka përfunduar në një gërmadhë morale dhe politike.

S.R.B sot nuk paraqet asgjë tjetër, vetëm një fosil.

Ai nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte kurrë miku im, sepse në mes të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, respektivisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Millosheviqit, ai zgjodhi rrugën e pasurimit personal, familjar dhe klanit të tij të ngushtë.

Ai zgjodhi t’i bënte argat S. Millosheviqit me derivate e armë. Depot e derivateve që i mbushi Salihu në Beograd, ishin caqe të NATO-s në vitin 1999. Ai armatim u përdor për gjenocid në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Nga viti 1992 deri më 1997 S.R.B, si President i Shqipërisë kudo që fliste për Kosovën, kërkonte “autonomi” për Kosovën, sepse, sipas tij, pavarësia ishte shumë dhe mund të sillte luftë.

Nuk e di nëse kjo zgjedhje e tij është bërë me dëshirë apo me dhunë. Këtë gjë duhet ta tregojë vetë S.R.B. Do të ishte vërtet e guximshme që ai të tregojë arsyet e vërteta që e bënë atë të jetë në shërbim të Millosheviqit. Por, unë nuk pres nga një qyqar-batakçi të tregojë ndershmëri dhe guxim, as tani kur ai po kalon në grahmat e tij të fundit.

Kjo është ndër arsyet kryesore që e bëri S.R.B të refuzuar që nga viti 1996 nga gjithë skena politike shqiptare.

Kosova nuk ia ka fajin për krimet piramidale të fajdeve.

Nuk ia ka fajin për trazirat civile më 1997.

As për tentim grusht shtetin e shtatorit të vitit 1998.

As për vrasjet në Gërdec.

As për vrasjet e demonstruesve paqësorë më 21 janar.

Kjo është trashëgimi e juaja S.R.B, si i amnistuar nga drejtësia shqiptare.

Megjithatë, ndiej keqardhje për të sa herë e hap gojën.

Dua ta kuptojnë të gjithë shqiptarët se unë kur flasë për S.R.B, nuk e bëj aspak për të pastruar ndonjë hesap personal.

Këtë e bëjë vetëm si shërbim të interesit publik, që njerëzit të mos shurdhohen nga kambanat e këtij ndjellësi të fatkeqësive dhe që të gjithë së bashku të reflektojmë për këtë fatkeqësi kombëtare, që shfaqet në formën e shpifjeve, sharjeve dhe sulmeve të ulëta mes shqiptarëve. HTH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...