“E kom pas çikën e vogël n’dorë, ma kanë gju prej dore n’tokë çikën, e zhag m’kanë shti n’kerr”, rrëfehet e dhunuara - Bota Sot
“E kom pas çikën e vogël n’dorë, ma kanë gju prej dore n’tokë çikën, e zhag m’kanë shti n’kerr”, rrëfehet e dhunuara

Aktuale

“E kom pas çikën e vogël n’dorë, ma kanë gju prej dore n’tokë çikën, e zhag m’kanë shti n’kerr”, rrëfehet e dhunuara

Më: 25 maj 2019 Në ora: 12:57
Ilustrim

Ky rrëfim është nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”

H.A. nuk e ka lehtë të dalë në publik. Nuk e ka të lehtë sa herë që ndeshet me shikimet e njerëzve. Nuk e ka lehtë sidomos kur sheh njerëz të uniformuar. Atë, ende e mundon krimi i kryer mbi të. Një përdhunim që ka zgjatur me orë të tëra nga ushtarë e paramilitarë serbë. Pesë prej tyre i mban mend.  

Dëshmitarja që vjen nga një fshat i Kosovës tregon mënyrën se si gratë u ndanë nga civilët e tjerë që po dëboheshin nga shtëpitë, dhe u mbajtën gjatë gjithë natës, duke u përdhunuar disa herë.

Nëna e tre fëmijëve brenda një interviste ka përsëritur tre herë të gjitha detajet e natës më të vështirë të jetës së saj, natë pas së cilës thotë se ende nuk e kupton se pse po vazhdon të jetojë.

Përveç dhunimit seksual, dëshmitarja është dhunuar edhe fizikisht. Në shumicën e kohës ka qenë e alivanosur.

Ajo tregon se sa herë ishte këndellur nuk i kishte ndihmuar askush. Britma ushtarësh dhe goditje të njëpasnjëshme ka përjetuar sa herë që kishte bërë përpjekje të këndellet.

Nuk ka qenë e vetme. Dëshmitarja thotë se, e gjithë shtëpia ku është kryer krimi ka qenë e mbushur me gra të tjera, me të cilat pastaj është liruar në grup. Tregimin e asaj nate kishte arritur ta mbante fshehtë… Burrit, që gjatë luftës kishte qenë nën uniformën e UÇK-së do t`i duheshin dy javë, që të hiqte dorë nga divorci…

Rrëfimi në veten e parë:  Pesë janë kanë…

H.A.

Unë jam e nji fshati, e lindun me 1960-ën. Kam lind në nji familje mesatare. Shkollimi jonë dej n’klasë t’pestë. Martesa jeme o’ kanë me msit. Burrin tri vjet përpara e kom pas, edhe jena martu. Ai mas martese ka shku n’Gjermani. Unë kom nejtë n’Kosovë… Po u kthy, s’ka mujtë me nejtë. Tani kur u kthy ai, veç filloi lufta. Unë e kam pas çikën bebe kur ka fillu lufta.

Kur ka nisë lufta e parë mrena jem kanë t’u hangër mëngjes. Edhe veç e kemi ni që kanë gjujtë. Nuk kom pasë… nuk kom ni shumë, kurgjo. Kur jemi dalë, kemi kqyrë, plot serbë ish mbushë fshati. Edhe na larguan prej shpijave. Dulëm me nji fshat tjetër, dy netë qashtu. E u kthyem apet n’fshat tonin ma. Tani ish gjithë qeshtu… me vujtje.

Unë çikën e kom pasë n’grykë, nji çantë n’shpinë me tesha t’çikës t’vogël. E të tjerët, për xhepa na u vjerrshin fmia. Prej fshatit e n’fshat. Jo qaq larg, n’fillim t’luftës jo. N’ofenzivën e parë jo, nuk o’ kanë qaq larg. Tani jemi kthy n’shpi, e djegne shpija krejt, me temel. Edhe kem nejtë qashtu deri kur ka fillu ofenziva e dytë e luftës…

Kur nisi ofensiva e dytë, jemi shku me nji fshat tjetër apet. Kur jena shku n’fshatin tjetër, na kanë mbledhë tanve me nji arë. Janë ardhë forcat e armatosuna e na kanë mbledhë me nji arë, tanë n’vend. Na kanë qitë në nji arë. Kanë gjujtë n’drejtim tonin. Tani na kanë marrë krejtve edhe na kanë dëbu prej fshatit në nji fshat tjetër… Edhe na kanë pru n`drejtim t`qytetit. Kur fillumë me dalë prej atij fshati, na kanë nisë me na marrë neve grave forcat serbe. Me kerre, me motora rrugës, nja ka nja… na kanë marr na kanë shti n’kerre… Njihere ia kanë fillu nja ka nja na kanë marrë, tani t’u kalu n’tjetrin fshat, ka dy na kanë marrë. Do na çojshin, u kthejshin i merrshin apet t’tjerat… E kom pas çikën e vogël n’dorë kur më kanë ngrehë prej kolonës, ma kanë gju prej dore n’tokë… çikën. Unë kom tentu mos me shku me ta, e tani m’kanë kapë tre a katër, nja ma ka hi shkelëm, m’kanë kapë për krahve, m’kanë ngrehë zhag e m’kanë shti n’kerr. Tani na kanë pru këtu edhe na kanë shti me dy shpija. Tani natën na kanë marrë… na kanë marrë me kerr e na kanë çu n’tjetër shpi.

E na kanë marrë, e na kanë maltretru, mu si m’kanë marrë jam kanë pa vetëdije. Sot si t’i shoh ushtrinë tonë, kerret e ushtrisë tonë, veç i kqyri. Krejt trupi, shpirti m’lshon. Më duken se po m’hypin mbi kerret…

… Edhe na kanë çu aty, unë jom kanë pa vetëdije. Na kanë marrë, na kanë majtë ka dy ka tre, kanë bo çka kanë deshtë me neve…

Dy janë kanë, deri n’pesë. Kur m’ka ardhë vetëdija, kur kom kqyrë, pesë ishin kanë. Dy e di, mrena shpisë m’kanë shti, tani kur kom kqyrë, pesë ishin kanë. Nuk na ka ndihmu kërkush. Si i kom çelë sytë, i kom pa se pesë ishin kanë. Si i kom pa, veç kom piskitë. M’ka kapë për krahi m’ka thanë, “Çu se kurgjo nuk o ba! Çu!”, m’ka kapë… Serbisht. Veç m’ka kapë për krahu edhe m’ka çu. I kom çelë sytë edhe i kom pa. Tani jom ulë e m’hishin krahëve me shkelëm. Une e ulun e ata m’pucatshin me shkelma edhe…

Bashkë me tjera na kanë marrë n’dhomë, nja ka nja na kanë lanë. Unë vetun jom kanë n’dhomë amo n’shpi ka pasë edhe femna tjera… E tani n’mëngjes na kanë lshu vetë. Edhe kur na kanë lshu, ushtarë ishin kanë… ata si na kanë lshu ushtarë ishin kanë. E na i dhajshin, dikujt nji litër zejtin, dikujt i dhajshin kpuca, dikuj qeshtu diçka edhe jemi dalë, edhe tani kena nejtë edhe sa muj aty.

Veç jom mbështjellë. Nji xhemper e kom pasë me dy kqej, njifar jakne. Amo e kom pshtjellë, e kom lidhë me nji tojë xhemperin qeshtu edhe kom ecë. Se bluzat qa i kena pasë, krejt na i kanë pre, përveç qai xhemper ish kanë. E kom veshë bythëprap atë blluzën si e kom pasë, n’anë t’shpinës e kom vesh…

Kur jom dalë prej shpije, na kanë lshu thuje grup, edhe jena ardhë. Tani familja jonë t’u i kajtë, t’u menu se na kanë mbytë krejtve. S’kemi guxu kërkujt me i tregu. S’kena mujtë me folë me kërkan kurrë. Ju kemi thanë se na kanë rrehë, na kanë maltretu… Kam qenë qaq e maltretume sa nuk e kom njoftë fminë tem… Non stop mu kujtojke qysh ma gjujtën çikën n’tokë… E kena nejtë, aty jena bo bashkë dhe kena nejtë aty deri kur ka përfundu lufta.

Gjatë luftës burri u kanë n`mal. I veshun. Rrallë e shihshim. Veç kur na bijke bukë…

Fizikisht jom kanë shumë e lodhtë edhe pa vetëdije. Ka pasë moment kur kom mendu se çka me ka ndodhë… fmija prej dore m’ka ra… Për mu njiqind herë o kanë ma mirë me vdekë n’qat minutë se me m’u kthy apet e gjallë…

MST: Burri në fillim e priti keq

Burrit i kom tregu mas… kur ka përfundu lufta, tjetër kush se din. Thashë i tregon dikush tjetër, e ma mirë t’i tregoj vet. Edhe përfundoi lufta, u bonëm apet bashkë, pa shpi, pa kurrgjo. Qysh mujtëm. Edhe o dashtë me i tregu. U ulëm e i thashë, kështu ashtu osht’ puna. Ai tha, “Lehtë po thojnë bre, i kanë marrë do, e i kanë… qeshtu i kanë përdhunu do femna, i kanë marrë e i kanë malltretue”.

Une kurrë pa mujtë me folë me to… Kur ka përfundu lufta me pyetke “Çka u bo?”, “Çka ki?”, “Pse po nihesh kaq keq?”. Unë gjithë tu kajtë… “Po fmia kanë pshtu, vetë kena pshtu, e pse kështu kaq keq po nihesh?”, m’thojke “Pse?”

I thojsha, “Qysh mos me u mërzitë? A po e sheh që s’po kena shpi? Çka me ju bo fmijëve?” U munojsha diqysh, diçka me ja largu veç mos me dyshu n’mu. Edhe tani, kur po flet për dikan tjetër, tha qeshtu e qashtu, thash se e din edhe për mu, i tregon dikush. I thash, “Qe une, kështu, kështu osht’ puna. Bash unë jam…”. I thash, “po m’vjen keq, edhe unë vetë që jom. Ti qysh dush bonja, qe ku jom une vetë. M’u qashtu m’ka ndodhë”. E na kanë sosë me cigare, e na kanë shkelë n’kamë me themrat e veta. I kom pasë njollat deri vonë. Tani n’kamë, se m’kanë pasë shkelë. I thash “unë vetë jom kanë”.

Tha: “Çka?” Thash, “Une vetë jom kanë” Tha: “Menjiherë me u bo gati e me shku n’shpi tane! Ti për mu nuk je… T’kanë marrë shkijet n’dorë, kanë bo çka kanë deshtë me ty. Unë me kanë me ty, jo!” Thashë, “Mirë! Qysh t’duash bonja. Une t’kallxova, që unë s’di çka me bo tjetër. Me qef nuk jena shku. S’di çka me bo!” E t’u kajtë e t’u i piskitë. Mu m’u dhimshin fëmija. Nuk dijsha çka me bo…

Edhe hajt qashtu kalunë nji javë ditë… Dy javë gati u bonën edhe veç e kuptoi, tha, “Uh m’fal, se unë tu kokna kanë gabim, se unë s’kom mujtë me t’mbrojtë e ti s’ki çka me bo”.

MST: Filluan me folë njerëzit

Edhe tani qashtu e kena vazhdu jetën… Tani çika e vogël u rrit.. S’di qysh edhe prej fjalëve, prej rrethanave në fshat të burrit, tani ma nuk mujtëm me nejtë aty. Fillunë me folë njerëzit. Edhe na e lamë fshatin tonë e dulëm në nji qytet tjetër. Kur dulëm atje, n’shpi t’huaj. Tani (psherëtinë)…

N’përgjithësi, n’përgjithësi. Kanë fillu n’përgjithësi me folë. Burri më tha: “M’thojnë edhe mu, gruaja jote kështu e kështu. Ma mirë po e lshojmë fshatin krejt. Edhe jemi dalë n’qytet aty n’shpi t’hujë kemi jetu, si ma zi.

Tani sot e asaj dite, shumë e randë, shumë… Sot thom, Zot, s’osht’ me jetu për neve, me na pa dikush”. Shumë keq, shumë randë e nij vetën. Ama, përveç burrit, këta nuk e dinë. Veç vetë si t’dal n’rrugë m’dukët se tanë po m’kqyrin.

Kisha mujtë femrave tjera që e kanë përjetu me ju thanë, veç me pasë forcë e me mbijetu. Mos me pasë tanat për shembull stresin tem. E çka o kanë ma kryesorja, me i kapë ata si kanë bo kështu. Me i… me e marrë denimin e meritumë. Ama deri sot hala kërkush… s’e murrën dënimin se e meritojnë. Unë për veti, shumë e ni vetën llom, shumë keq. Shumë e pa vlerë, shumë randë e ndi vetën. Eci, dal, thom, “O Zot, pse po jetoj?”. Nuk muj, nji kerr e shoh t’ushtrisë tonë, t’policisë tonë, m’duket se ata janë. Kështu që m’rrënqethet tanë trupi. Ma deri pa ardhë qetu me folë nji trohë, s’guxojsha hiç me dalë. Zor shumë (përshpëritë).

Fuqizuar nga: Integra dhe forumZFD

Në bashkëpunim me: KRCT

Mbështetur nga: RBF, MOTT, BMZ dhe UN Women. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...