Përplasje e madhe mes Thaçit dhe Veselit, zbulohet qëllimi kryesori i presidentit

Aktuale

Përplasje e madhe mes Thaçit dhe Veselit, zbulohet qëllimi kryesori i presidentit

Nga: A.ZH Më: 25 maj 2019 Në ora: 18:52
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, foto ilustrim nga "Bota sot"

Profesori ndërkombëtar dhe analisti politik Enver Bytyçi, ka komentuar për skandalin e fajdeve në Kosovë, ku përfshihet edhe emri i kryeparlamentarit dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.

Ai ka thënë për gazetën "Bota sot" se videot dhe akuzat ndaj Veselit, janë pjesë intriguese të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas Bytyçit, konflikti mes Thaçit dhe Veselit ka strukturuar grupe përkrahëse në strukturat e PDK-së.

“Këto ditë janë shfaqur video në të cilat shihet që një grup fajdexhish në Kosovë kanë implikuar në veprimtarinë e tyre kriminale edhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli si dhe Xhavit Halitin e ndonjë tjetër. Në vlerësimin tim kjo video dhe këto akuza janë pjesë e lojës intriguese të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Dihet tashmë ndarja që ekziston një konflikt midis presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli. Ky konflikt ka strukturuar grupe përkrahëse në strukturat e PDK-së. Për këtë arsye pati në zgjedhjet komunale të partisë grindje të mëdha e disa herë përleshje e dhunë”, ka thënë profesori.

Bytyçi ka theksuar se qëllimi kryesor i Thaçit, është rikthimi në krye të PDK-së, pasi të përfundojë ose të shkarkohet nga detyra e presidentit të vendit.

Sipas tij, mospajtimet mes Thaçit dhe Veselit, janë shumë të mëdha.

“Thaçi kërkon që ta mbajë partinë e themeluar prej tij në grushtin e vet, me qëllim që të ketë mbështetje në parlament për dekretet e marrëveshjet e tij individuale. Por qëllimi kryesor është të rikthehet përsëri në krye të PDK-së pasi të përfundojë ose të shkarkohet nga detyra e presidentit të vendit. Mesa duket papajtueshmëria midis tyre është e madhe. Ndaj e shoh videon e shfaqur si përpjekje për eliminimin e ndikimit të Kadri Veselit në PDK dhe jetën politike në Kosovë”, është shprehur më tej ai.

Image
Enver Bytyçi

Profesori është shprehur skeptik se Thaçi pas presidencës do ta mbajë fjalën e do ta lëshojë politikën. Ai ka shtuar se politika presidentit të Kosovës, po i shërben për vetëmbrojtje për akuzat e shumta për krime kundër shqiptarëve si kundërshtarë politikë.

“Është e njohur kjo metodë, të cilën e përdorin autokratët kudo në botë. Eleminimi i konkurrentëve është vepra kryesore, me të cilën sigurojnë mbijetesën. Unë nuk besoj se Thaçi pas presidencës do ta mbajë fjalën e do ta lëshojë politikën. Aq më tepër kur politika atij i shërben për vetëmbrojtje për akuzat e shumta për krime kundër shqiptarëve si kundërshtarë politikë”, ka theksuar profesori Enver Bytyçi.

Ndryshe, Veseli ka mohuar akuzat për përfshirje në aferën e fajdeve, dukea ftuar të gjitha organet e drejtësisë që të veprojnë.

Ai ka paralajmëruar se do të jap dorëheqje nëse del se ai është i përfshirë në këtë rast.

"Ky është rast i mashtrimit. Ju siguroj se nëse del se unë jam i përfshirë në këtë rast unë atë ditë jap dorëheqje. Kur të dal e vërteta e kësaj atëherë dikush duhet të jap llogari penale dhe institucionale", ka deklaruar Veseli në një konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat