Arrestohet edhe një kosovar për fajde, përfitoi 70 mijë euro

Aktuale

Arrestohet edhe një kosovar për fajde, përfitoi 70 mijë euro

Më: 29 maj 2019 Në ora: 11:06
Foto ilustrim

Një tjetër person është arrestuar për fajde, dje nga policia. Sipas njoftimit dërguar mediave, thuhet se i dyshuari ka përfituar rreth 70 mijë euro.

“Gjatë zhvillimit të operacionit një person i dyshuar është kapur në flagrancë duke pranuar para (këstin e fajdesë) në shumë prej 1,200.00 euro, me ç’rast i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘fajde’ nga neni 331, i KPRK-së. Personi i lartcekur, me qëllim të përfitimit të parave në mënyrë të kundërligjshme me kamatë (fajde), ka kontraktuar shuma të ndryshme të parave, duke përfituar kështu shumën prej 70,000.00 euro”, thotë policia.

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar edhe para në vlerë prej 1,500,00 euro, një telefon Iphone si dhe një shufër metalike.

“Në bazë të urdhëresës verbale nga gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është kontrolluar lokacioni i shtëpisë së të dyshuarit. Gjatë kontrollimit është gjetur një pushkë gjuetie me leje me afat të skaduar, të cilën e ka sekuestruar Njësia e Hetimeve nga Stacioni Policor Veriu në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim personi i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat