Haradinaj: Pa njohje, s’ka heqje të taksës

Aktuale

Haradinaj: Pa njohje, s’ka heqje të taksës

Më: 29 maj 2019 Në ora: 18:14
Mbledhja e Qeverise

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të përzier të gjeturat e raportit të progresit për vendin tonë, ndërkohë që edhe një herë e bëri të qartë se heqja e taksës ndaj Serbisë do të bëhet vetëm atëherë kur të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke Kosovës-Serbi.

Pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, nga e cila mori raportin e progresit për Kosovën, kreu i Qeverisës ë vendit e quajti këtë dokument  si një pasqyrim i përzier i të gjeturave mbi ngecjet dhe përparimin e bërë brenda një viti.    

Haradinaj: Është një raport me gjetje të përziera

“Sot nuk do t’i bëjmë analizën e raportit, por javën që vjen së bashku me ministren Hoxhaj do të ftojmë këshillin ndërministror për integrime evropiane për t’i bërë një analizë raportit për të gjitha të gjeturat, në mënyrë që të nxjerrim detyrat e  shtëpisë, por edhe të japim përgjigje në këto të gjetura. Është një raport me gjetje të përziera, në raste të caktuara ka vlerësim pozitiv për progresin e arritur  dhe në disa raste tjera ka kritika, për shembull edhe për taksën, por në përgjithësi reflekton të gjeturat e të arriturave, por edhe ngecjeve dhe sfidave që ka Kosova”, tha Haradinaj.

Ndërsa, Apostolova në fjalën e saj tha se raporti i progresit rikonfirmon perspektivën  e evropiane të gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën dhe njëherësh tregon problemet në rajon, i cili një ditë pritet të jetë pjesë e BE-së.

Apostolova: Kosova ka bërë progres, por ka ende punë për të bërë

“Kur bisedojmë për Kosovën raporti jep një reflektim të gjatë ku Kosova gjendet për momentin, reformave duke u bërë anëtare e BE-së do të thotë se çdo shtet që potencialisht do të jetë pjesë e Evropës duhet të bëjë reforma. Në këtë dokument kemi bërë analiza se ku gjendet Kosova dhe kur i shikojmë ato mund të themi se Kosova ka bërë progres në fusha të caktuara, si reforma në administratën publike, statistika lidhur me ekonominë, sundimi i ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por ka edhe ka fusha të tjera ku Kosova duhet ende të përmirësojë më të shpejtë për implementimin e reformës në arsim dhe përmirësimin mjedisor”, tha Apostolova.

I pyetur rreth heqjes eventuale të taksës ndaj produkteve serbe, Haradinaj këmbënguli edhe një herë në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Haradinaj: Pa njohje, s’ka heqje të taksës

“Mendoj se është koha për t’u deklaruar Kosova dhe Serbia nëse jemi të gatshëm për një marrëveshje për njohje, dhe me këtë rast do të zgjidheshin të gjitha temat, edhe e taksave dhe të gjithave. Nëse nuk ka gatishmëri për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, atëherë vazhdon gjendja ekzistuese, pa ndryshime rreth taksës”, tha Haradinaj.

Sa i përket numrit të zëvendësministrave aktualë, e cila përmendet në raportin e Progresit, Haradinaj tha se kjo është diskutuar në ligjin për qeverinë, i cili do ta zgjidhë këtë problem për të gjitha qeveritë e ardhshme.

Haradinaj në këtë konferencë nuk ka dashur t’iu mbesë borxh gazetarëve në lidhje me një pyetje që kishte pasur gjatë ditës nga gazetarët, e për të cilën tha se e zunë në pozitë të keqe, kur e pyetën se ku ndodhet pika kufitare me Malin e Zi.

Haradinaj: Ja ku ndodhet Kulla dhe Çakorri

“Sot në mëngjes më pyetën gazetarët se a është Çakorri, a me Kosovë, me Malin e Zi, në fakt përgjigjja nuk ekziston ashtu se me cilën është, se kufiri është në Çakorr që i bie se një pjesë është në Malin e Zi, e një pjesë në Kosovë, dhe kufiri është në Kullë që  bie se një pjesë është në Malin e Zi e një pjesë në Kosovë, dhe më pyetnin a është me atë a me këtë dhe më zunë në pozitë të keqe në mëngjes. Pra, aty janë vendkalimet kufitare. Vendkalimet kufitare janë në Çakorr e Kullë dhe nuk është në Malin e Zi, por nuk është as krejt në Kosovë Çakorri “, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat