Murati: Është pak e besueshme që kjo Qeveri do ta çojë mandatin deri në fund

Aktuale

Murati: Është pak e besueshme që kjo Qeveri do ta çojë mandatin deri në fund

Më: 30 maj 2019 Në ora: 00:01
Artan Murati

Menaxheri i projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Murati ka komentuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën dhe ka folur për situatën aktuale politike në Kosovë.

Murati, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se Komisioni Evropian nuk ka parë ndonjë progres në Kosovë, duke e përdoruar shprehjen “progres i limituar”.

“Është reflektim i ngjarjeve për periudhën raportuese Mars 2018 – Mars 2019”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Murati ka thënë me këto skandale që po ndodhin në Kosovë nuk mund të pretendojmë se i kemi dyert e hapura për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Menaxheri i projekteve në KDI ka thënë se edhe në të kaluarën opozita ka pasur bashkëpunime por nuk i kanë numrat për ta rrëzuar këtë qeveri pa mbështetjen e Listës Serbe.

Sipas tij, asnjë subjekt opozitar nuk po duket që ka dëshirë ta rrëzojë Qeverinë me votat e Listës Serbe e që kjo është mund të jetë e arsyeshme pasi edhe me tej do të faktorizohej ky subjekt politik.

Murati thotë se megjithatë faktorizimi i Listës Serbe është bërë që në ditën kur është votuar kjo Qeveri, duke anashkaluar subjektet politike shqiptare.

“Është pak e besueshme që kjo Qeveri ta çojë mandatin e vetë deri në fund sepse kemi parë që Kuvendi është në një bllokadë politike dhe Qeveria për çfarëdo nisme që dëshiron ta shtyjë medoemos përpara duhet të bëjë marrëveshje të ndryshme – tash së fundmi me PSD-në”, tha ndër të tjera Artan Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat