Shpjegimi interesant i Gazmend Muhaxherit për rrahjet në kuvendet e LDK’së

Aktuale

Shpjegimi interesant i Gazmend Muhaxherit për rrahjet në kuvendet e LDK’së

Më: 30 maj 2019 Në ora: 15:45
Gazmend Muhaxheri

Mes përplasjesh verbale e fizike, Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon procesin e brendshëm zgjedhor, për të vendosur strukturat e reja të partisë. Këto incidente  brenda procesit zgjedhor kanë ndodhur në disa prej qendrave të mëdha, si Prishtinë, Mitrovicë e Ferizaj. Anëtari i Kryesisë së LDK’së dhe Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri ka një shpjegim interesant pse njerëzit e LDK’së po përplasen.

E duket se këto përplasje po ndodhin në mes të krahut të Isa Mustafës dhe njeriut që synon të rimarrë kreun LDK’së, Fatmir Sejdiut.

Megjithatë anëtari i kryesisë së LDK’së, dhe kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një prononcim , thotë se këto përplasje vijnë nga individë të caktuar , dhe jo nga fakti se në LDK janë krijuar fryma të ndryshme që synojnë të marrin udhëheqjen  LDK’së.

“Jo nuk besoj, kjo është vetëm një përpjekje individuale e disa njerëzve”, ka thënë Muhaxheri.

Kreu i LDK’së në Pejë thotë se ua kanë bërë me dije që me përplasje të tilla nuk mund të ngjiten në struktura të partisë, duke shtuar se ky proces duhet të jetë formal përmes të cilit rinohet strukturat e LDK’së.

“Ne ju kemi treguar atëherë atyre se me këso konflikte nuk mund të kalojë askush. Kemi kërkuar që ky proces me qenë solemn, sepse i tillë duhet të jetë , është përtëritje e strukturave, ose konfirmim i atyre që kanë punuar mirë”, ka shtuar kryetari i Pejës.

Ai thotë se nuk arrin të kuptoj arsyen e këtyre përplasjeve, megjithatë ka një shpjegim mjaft interesant se nga mund të rrjedhin ato.

“Tashmë as unë nuk po mund ta kuptoj arsyesh mërinë e tyre. Ndoshta është njëra prej këtyre pritshmërive që zgjedhjet e ardhshme LDK-ja do të jetë e para dhe në Qeveri, prandaj njerëzit mendojnë që kujtojnë që duhet me qenë medoemos nëpër struktura për më i vjelë frytet e fitores së ardhshme”, ka thënë Gazmend Muhaxheri.

Ndërkohë sa i përket zgjedhjeve të brendshme në LDK’në e Pejës, Muhaxheri thotë se pret që të jetë një proces solemn, megjithatë thotë se nuk mund t’i ndalojë njerëzit për të bërë diçka të pa hijshme.

Gjatë kësaj bisede, Muhaxheri vazhdimisht thekson se zgjedhjet duhet të jenë një proces ku ri-konfirmohen nëpër pozita njerëzit që kanë kryer punën e tyre mirë.

“Në Pejë ende nuk kanë filluar. Jemi në përgatitje për me i shpallë, diku pas 10 qershorit besoj që do të fillojmë. Besoj që ka me qenë solemne, njerëzit s’mundesh me i pengu që mos me bo diçka që s’ është e hijshme, kërkesa është që me qenë proces solemn, në të cilin njerëzit dhe strukturat që i kanë kryer punët e mira, me u konfirmu si njerëz që i kanë kryer punët”, ka përfunduar Gazmend Muhaxheri.

Media për të njëjtën çështje ka provuar të kontaktojë edhe dy nënkryetarët e kësaj partie, Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin, megjithatë kontakti me ta ka qenë i pa mundur.

Në degën e dytë të LDK’së në Prishtinë, kishte dështuar tentimi i parë për të rizgjedhur strukturat e kësaj partie, pas përplasjes ndërmjet krahut të Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut, në të cilin konflikt ishte përfshirë edhe ish-këshilltari i kryetarit aktual të LDK’së, Bajram Gecaj.

Procesi zgjedhor në këtë degë kishte vazhduar disa ditë më vonë, në të cilin ishin zgjedhur strukturat e reja, shumica e të cilëve përkrahës të Fatmir Sejdiut.

Probleme edhe më serioze LDK’së i kanë dalë edhe në Mitrovicë, ku në një përplasje janë përfshirë kryetari aktual i degës së LDK’së, dhe anëtari i kësaj partie, Faton Peci. Mësohet se arsyeja e kësaj zënke ishte një emri i Hysni Sylës, i propozuar nga Kamberi për nënkryetar të degës në Mitrovicë. Prezent në këtë incident kishte qenë edhe shefi i deputetëve të LDK’së, Avdullah Hoti, i cili fillimisht kishte thënë se s’kishte qenë aty kur kishte filluar zënka, ndërkohë në filmimet e bëra brenda në sallë, Hoti shihej duke dalë nga salla, pasi kishte filluar problemi.

Përplasje ka pasur edhe në një nëndegë në Ferizaj, megjithatë nuk dihet se kush në mes kujt ka ndodhur konflikti.

LDK’ja me struktura të reja të partisë pritet që të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Gara për kryetar pritet të jetë e nxehtë. Deri më tani, Lufti Haziri ka treguar se do t’i futet garës për të parin e partisë, ndërkohë në garë pritet të futen edhe Isa Mustafa e Fatmir Sejdiu. Emri i Vjosa Osmanit është lakuar shumë si kryetare e ardhshme e LDK’së, megjithatë ajo ende nuk ka treguar nëse do t’i futet garës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat