Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se Raporti vlerëson të arriturat, po ashtu numëron edhe ngecjet me rekomandime, sipas saj, tash është prioritet adresimi dhe zbatimi i rekomandimeve nga Raporti, përcjell “Bota sot”.
Hoxha këtë e ka bërë të ditur përmes rrjetit social ku ka kërkuar që të mos ketë vonesa në vendimmarrje në Këshillin e Ministrave.
“Mbetet punë për t’u bërë për procesin integrues, ndërsa çështja e liberalizimit të vizave, është në duar të Këshillit të Ministrave dhe pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, kërkojmë të mos ketë vonesa, përkundrazi, presim që parimet themelore të BE-së të zbatohen edhe për Kosovën”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Në konferencën për media, dedikuar Raportit të vendit nga Komisioni Evropian, ceka se raporti vlerëson të arriturat, po ashtu numëron edhe ngecjet me rekomandime. Tash është prioritet adresimi dhe zbatimi i rekomandimeve nga Raporti, sepse, rruga jonë e vetme është integrimi i vendit tonë me vlerat e BE-së. Vlerësimi në Raport është ndarë në katër pjesë: Pjesa e përgjithshme, Kriteret politike, Kriteret socio-ekonomike dhe Standardet e BE-së. Mbetet punë për t’u bërë për procesin integrues, ndërsa çështja e liberalizimit të vizave, është në duar të Këshillit të Ministrave dhe pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, kërkojmë të mos ketë vonesa, përkundrazi, presim që parimet themelore të BE-së të zbatohen edhe për Kosovën.