Telekomi pagoi 47.77 euro për një metër kabllo optike

Aktuale

Telekomi pagoi 47.77 euro për një metër kabllo optike

Më: 31 maj 2019 Në ora: 13:26
Pamje nga takimi

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, sot në mbledhjen e radhës ka intervistuar kryetarin e Sindikatës së Pavarur së PTK-së, Lamih Balaj.

Përfaqësuesi i kësaj sindikate duke folur për dëmet e mëdha të shkaktuara në PTK, mbi 200 milionë euro nga Z-mobile, theksoi se ndër zyrtarët tjerë përveç ish kryeshefave, është edhe Fatos Shema.

Balaj tha se nuk është e rastësishme, reklama e Z-mobile për ofertën “Ta shkeli me rrotë”, që sipas Balajt, edhe kështu ka ndodhur, pasi Z-mobile, e ka shkelur me rrotë PTK-në.

Përveç kësaj, Balaj tha se Z-mobile rrezikon edhe sigurinë kombëtare me telefoni mobile.

Balaj: Dëmet nga Z-mobile janë mbi 200 milionë euro

Në kontratë thuhet që ka obligim Z-mobile me u dakordua me Telekomin e Kosovës për futjen e pakove në treg. Dhe ti (Telekomi) sot del me një pako 4 euro e 99 cent me ofertë 4 GB, 100 minuta dhe 300 sms, që me këtë fitim është minimal. Ai (Z-mobile), del me këtë pako në treg me 3 euro e 99 cent me 8 GB, 300 minuta, 600 sms dhe del të thotë; “Unë të shkeli me rrotë”. Kështu e ka reklamën zyrtare… kjo është me të shkel me rrotë. Prandaj, këtu unë dyshoj, se mbi 200 milionë janë dëme që ne jemi dëmtuar me nxënie të trafikut”, tha Balaj.

Kryesuesi i Komisionit, Visar Ymeri përveç kontratës me Z-mobile, ka pyetur përfaqësuesin e sindikatës së Telekomit, se sa ka paguar PTK për shtrirjen e kabllove optike.

Ymeri: Sa paguan Telekomi një metër të fibrit optik?

“Kontrata përveç Z-mobile dhe të tjera, në të cilat ju e keni vërejtur që Telekomi paguan çmim shumë më të lartë se sa çmimi i tregut për një mall apo shërbim të caktuar. P.sh, sa e paguani metrën e fibrit optik në kompaninë e cila mirët me shtrirjen e tij?”, kështu pyeti Ymeri.

Balaj përmendi edhe një shkelje të rëndë në kontratën për blerjen e kabllove optike, që ka kushtuar 47 euro e 77 cent vetëm për një metër, që sipas tij, kompani “Astraplan” mund të jetë e krijuar nga dikush prej PTK.

Balaj: Telekomi ka paguar deri 47 euro e 77 cent për një metër fije optike

“Kemi informacione dhe kemi bërë kërkesë që me u ndal, sepse një metër kabull optik me blerë me pakicë është 0.20 cent, ndërsa me shumicë nuk është më shumë se 0.12 cent. Te ne ka pasur kontratë që e kanë bërë me një kompani kontraktore, për një metër kabull për fibrat tonë, ka kushtuar deri 47 euro e 77 cent. Është një kompani, që thirret “Astraplan”, theksoi Balaj.

Zëvendëskryesuesi i komisionit parlamentar, Milaim Zeka, ka pyetur pse nuk ka reaguar sindikata në atë kohë, por tash lidhur me kontratat e Z-mobile dhe a ka qenë kjo sindikatë e joshur nga ish kryeshefi ekzekutiv Agron Mustafa në PTK me ndonjë veturë ose diçka tjetër.

Zeka duke folur për punësimet, tha se 12 punonjës në PTK janë me mbi emër Dervishaj dhe punonjës të tjerë nga Drenica me mbi emër të njëjtë.    

Zeka: A ke pasur ti veturë si privilegj prej kryeshefit ekzekutiv

 “Pse si sindikatë nuk keni qenë të zëshëm sikur tash, kur e shiheni se veç ka falimentuar PTK? Dhe një pyetje e kam me informacion brenda postës. A është munduar Agron Mustafa në kohën e vet juve si sindikatë me iu josh përmes donacioneve. A ke pasur ti veturë si privilegj prej kryeshefit ekzekutiv?”, pyeti Zeka Balajn.

Balaj është përgjigjur pyetjes së Zekës, duke thënë se reagimet kanë qenë me kohë, por nuk janë mbuluar nga mediat, edhe pse kanë qenë të ftuar për ngjarjet.

Ndërsa, sa i përket joshjes, tha se nëse kishte qenë i joshur, nuk do të ishte sot në këtë komision hetimor për intervistë.

Sipas tij, sindikata kishe bërë marrëveshje nga paraardhësit për t’iu dhënë një veturë në shfrytëzim të sindikatës, por me shpenzime të kësaj sindikate.

Deputeti Armend Zemaj, theksoi se tashmë dihet se disa prej antenave të PTK janë të vendosura në prona të familjarëve të ish-kryeministrit Agim Çeku dhe të presidentit Hashim Thaçi, por kërkoi nga Balaj të di se ku janë të vendosura edhe të tjera antena. Sipas Balaj, ka ndodhë që dhjetë antena janë vendosur edhe pa pasur nevojë. Zemaj po ashtu kërkoi përgjigje edhe sindikalen e formuar nga ish kryeshefi Shyqeri Haxha.

Zemaj: Potencuat që është formuar sindikata prej Shyqeri Haxhës nga njerëz të lidhur me politikën, kush janë?

“Potencuat një fjalë, që është formua sindikata prej Shyqeri Haxhës nga njerëz të lidhur me politikën dhe me prokurorët. Tash çdo njëri këtu prej neve jemi politikan dikush kohë të gjatë, a mundesh tre katër emra që me thënë se “filani, është djali i filan politikanit ose nipi, daja, djali i prokurorit. Kjo neve edhe na ndihmon, sepse 12 raste janë në prokurori, ndërsa, asnjë procedurë ligjore nuk është marrë”, kështu ka kërkuar përgjigje Zemaj. 

Lidhur me këtë Balaj, tha se ish-kryeshefi Shqyeri Haxha kishte formuar edhe sindikatë në PTK për ndikim politik, ku ka pasur zyrtarë që me dhunë ose presion nga Haxha që të bëhen pjesë e asaj sindikate, dhe pjesë të sindikatës kanë qenë edhe fëmije të prokurorëve.

Ndërsa, duke iu përgjigjur tha se ka ndodhë që dhjetë antena janë vendosur edhe pa pasur nevojë.

Sipas tij, ka ndodhur që në rajonin Deçanit, p.sh, në Lugun e Baranit ku ka qenë e nevojshme, është hequr antena dhe është vendosur në një oborr të një zyrtari me ndikim, ndërsa ka edhe zyrtarë të Telekomit që kanë antena të PTK në prona të tyre.

Balaj duke thënë se vetëm me shkëputjen e kontratat e dëmshme, mund të shpëtohet Telekomi.

Ai në këtë komision hetimor ka deklaruar se Fatos Shema ish këshilltar në Telekom, tash është negocius i vazhdimit të kontratës me Z-mobile.

Balaj: Fatos Shema, ish zyrtarë në Tekekom, tash është negocius i vazhdimit të kontratës me Z-mobile

“As afera SIM to SIM nuk ka mundur të bëhet pa pasur dikë brenda Telekomit. Njerëzit që kanë qenë kryesor që kanë qenë në Telekom, para një viti ose para pesë gjashtë muajve kanë shkuar në Z-mobile, janë zëvendës drejtor të Z-mobile. Njeriu kryesor që ka qenë këshilltar i ish kryeshefit Shqyeri Haxha dhe në vazhdimësi deri në kohën e ish kryeshefit Agron Mustafa. Është Fatos Shema i cili ka pasur qasje dhe ai është pjesë e negocimit të Z-mobile për vazhdimin e kontratës me Telekomin”, theksoi Balaj.

Ndërsa, pas intervistimit të kryetarit të Sindikatës së Pavarur së PTK-së, Lamih Balaj, komisioni hetimor ka intervistuar pa media edhe Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli e Shkelzen Blajkaj, që të tre ish-pjesëtarë të Departamentit Kundër Mashtrimeve në PTK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat