Hoxha: Po na mungon konsensusi politik për avancimin e agjendës së integrimit evropian - Bota Sot
Hoxha: Po na mungon konsensusi politik për avancimin e agjendës së integrimit evropian

Aktuale

Hoxha: Po na mungon konsensusi politik për avancimin e agjendës së integrimit evropian

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 08:39
Pamje nga takimi

Komisioni për Integrime Evropiane ka diskutuar së bashku me Ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, lidhur me Raportin e Komisioni Evropian për Kosovën për vitin 2019.

Ministrja Hoxha edhe një herë përmendi disa nga të gjeturat e këtij raporti, ku tha se të gjithë duhet të kenë pronësi në çështjen e raportit të fundit.

Sipas saj, duhet të ketë gjithëpërfshirje institucionale që raporti i ardhshëm të jetë më i suksesshëm.

“Edhe pse çështja e liberalizmit është çështje e ndarë prej raportit përkundër kësaj Komisioni Evropian vuri në pah se kriteret për liberalizim janë përmbushur. Si koment i përgjithshëm është thënë që konteksti politik i Kosovës është dalë si sfidues. Të gjithë duhet të kemi pronësi dhe të angazhohemi që raportet e tjera të dalin më mirë. Progres është cituar puna e Kuvendit në përcaktimin e marrëveshjeve si ajo e përcaktimit të kufirit me Malin e Zi. Progres substancial ka pasur në luftën kundër terrorizmit. Sa i përket Kuvendit është theksuar mos funksionimi i rregullt i Kuvendit si dhe mungesa e kuorumit. Neve na mungon konsensusi apo vullneti politik për avancimin e agjendës të integrimit evropian”, tha Hoxha.

Deputeti Milaim Zeka tha se edhepse ministrja Hoxha është angazhuar në dikasterin që ajo e drejton, nëse vazhdohet me këtë qeverisje atëherë vitin e ardhshëm mund të kemi raport më negativ se këtë vit.

“E kam vështirë kur jam përballë teje sepse brenda vetes e ndi veten herë qen herë ujk. Arsyeja është që unë të kam respektuar dhe të konsideroj si njërën nga ministret që je angazhuar. Kjo qeveri është krijuar dhimbshëm prej fillimit dhe ka qenë qeveri e zorit që është krijuar nga Hashim Thaçi dhe Rrahim Pacolli. Shpenzimet e kësaj qeverie janë shumë marramendëse. Gazetarët nuk janë të ndjekur në Kosovë, por janë njerëz të cilët te asnjë zyrtar nuk mundesh me marrë një dokument për pa kaluar në 10 zyre. Nëse vazhdon kjo qeveri kështu edhe në vitin e ardhshëm kemi me pasë raport më të zi”, tha Zeka.

Ndërsa deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, kritikoi ekzekutivin duke thënë se ata nga të gjeturat e raportit po i marrin vetëm anët pozitive dhe jo negative.

“Mendoj që shpesh herë kemi një lexim të gabueshëm të raportit, është një farë tendence e ekzekutivit me i nxjerr prej raportit vetëm lëvdatat edhe me thanë se shpëtuam edhe këtë vit. Nëse e krahasojmë raportin prej vitit 2016 gati secili parametër është në rritje të trendit negativ”, tha Ymeri.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se Qeverisë së Kosovës do duhet t’ia kishte lakmi edhe Kina për numrin e ministrave dhe zv. ministrave.

“Kuvendi është shndërruar në një arenë politike dhe nuk po i kryejmë funksionet për çka jemi thirr. Ne e kemi një qeveri që është dashtë me na pasë lakmi edhe Kina për numrin e madh të ministrave e zv. ministrave”.

Ministrja Hoxha tha se duhet të mbahet parimi që askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ndër të tjera ajo shtoi se ministria që ajo e udhëheqë, e mirëpret vendimin për zvogëlimin e Qeverisë.

“Këtë raport duhet ta marrim si pasqyrim të situatës në të cilën gjendemi. Duhet t’i caktojmë disa standarde evropiane në rekrutimin meritor për pozitat e caktuara. Nuk duhet ta shikojmë këtë raport një raport nga i cili duhet të frikësohemi por një raport i cili na qet në rrugën e duhur. Duhet ta mbajmë parimin që askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Duhet të kemi gjyqtarë të guximshëm që mos të lejojnë të ndodhë çfarëdo lloj ndikimi. Besoj që sa më shpejt të kemi Ligjin për Qeverinë, por ne kemi nevojë për një qeveri edhe në efikase. Ne si MIE mbështesim dhe mirëpresim zvogëlimin e qeverisë. Nuk duhet t’i japim një lexim gjysmak raportit, pasi që ky është një raport i tërë vendit. Mos të shihet ministria e Integrimit Evropian si njëfarë lloj shefi i këtij procesi”, tha Hoxha.

Deputetët kanë miratuar Projektligjin për Këshillin Ekonomik-Social, i cili kaloi me 4 vota për dhe 3 abstenime ku pritet t’i përcillet Kuvendit për seancë plenare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...