Kurti: Nuk ka dhunë më të rëndë sesa varfëria te fëmijët

Aktuale

Kurti: Nuk ka dhunë më të rëndë sesa varfëria te fëmijët

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 18:41
Albin Kurti

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se fëmijët e familjeve të varfra në Kosovë e bartin PAN hajnin mbi supet e tyre.

Përmes një shkrimi në Facebook është shprehur se, nuk ka dhunë më të rëndë sesa varfëria tek fëmijët.

Sipas Kurtit, ka shumë fëmijë të varfër, të privuar nga rritja e që mbijetojnë në skamje.

“A po na blen bukë?” Nuk isha i sigurt çka dëgjova. Ndoshta pse s’e besova menjëherë. Fytyrën time e pashë te pyetja që m’u përsërit. “A po na blen bukë?”.

1 Qershori i fëmijëve të Migjenit: “A po na blen bukë?”

Gjithçka dukej normale.

Fëmijë të shumtë vraponin plot gaz e hare. Këndi i lojërave në parkun e kryeqytetit vlonte. Edhe të rriturit e paktë ishin bërë shend e verë. Ndoshta ngapak u merreshin mendtë.

Dëgjoja emrin e vajzës sime që e thërrisnin të tjerë fëmijë. Dhe zërin e saj që thërriste fëmijë të tjerë. Gjithçka dukej më mirë se normale.

Nuk isha kush isha. Isha prindi i vajzës sime. Ashtu më shikonin. Ashtu ndjehesha…

Si për një shtyllë ajo tash mbahej për këmbën time. Edhe të tjerë fëmijë që i hasnin u ndalën rrotull nesh. Shumë sy të mëdhenj nën balluke të djersitura e mbi këpucë me ngjyra. Ishin pesë, njëra u largua tutje.

“A po na blen bukë?” Nuk isha i sigurt çka dëgjova. Ndoshta pse s’e besova menjëherë. Fytyrën time e pashë te pyetja që m’u përsërit. “A po na blen bukë?”.

Një bukë, kos, tri domate, gjashtë karota, dhjetë salsiçe. Gjithsej: 3 euro e 40 centë.

Nuk ka dhunë më të rëndë sesa varfëria te fëmijët. Papunësia është individuale, varfëria është familjare. Fëmijët e familjeve të varfra e bartin PANhajninë mbi supet e tyre të brishta.

Nga Bashkimi Evropian, privimi material, apo skamja, definohet si një situatë ku një individ nuk mund të përballojë të paktën katër prej këtyre në vijim: të paguaj qira, fatura apo këste të kredisë, ta mbajë shtëpinë ngrohtë, të mbuloj shpenzime të papritura, të ha mish apo peshk çdo dy ditë, një pushim njëjavor jashtë, ta ketë një veturë, makinë larëse, TV me ngjyra apo telefon.

Aq shumë fëmijë janë të varfër, të privuar nga rritja, që mbijetojnë në skamje.

Shumë sy të mëdhenj nën balluke të djersitura e mbi këpucë që nuk u shihet ngjyra nga pluhuri do ta hanë botën.

Asgjë nuk është normale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat