Panxha: Me vendosjen e taksës 100 për qind është liruar hapësira e uzurpuar nga produktet serbe

Aktuale

Panxha: Me vendosjen e taksës 100 për qind është liruar hapësira e uzurpuar nga produktet serbe

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 16:02
Astrit Panxha

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, gjatë një interviste për emisionin “Përballje ditore” ka folur për efektet e taksës tek prodhuesit vendor pas gjashtë muajsh, si dhe për tarifën që i është vendosur kosovarëve nga Shqipëria për të kaluar në “Rrugën e Kombit”.

Panxha ka thënë se në aspektin ekonomik taksa 100 për qind është dashur të vendoset më herët, pasi që sipas tij, ka pasur efekt tek prodhuesit vendor.

“Vendosja e taksës shpesh diskutohet se ka qenë për arsye politike apo ekonomike. Sa i parket aspekteve ekonomike është taksë që është dashur të vendoset më herët, për shkak të rolit destruktiv të Serbisë në tregun e Kosovës. Ata kanë tentuar të eksportojnë në Kosovë mallra me cilësi të dyshimtë, pastaj çmime jashtëzakonisht të ulëta. Në një formë ose tjetër e ka dëmtuar bazën apo zhvillimin ekonomik të Kosovës, sepse jemi përballur me një konkurrencë jo-lojale”, ka thënë Panxha.

Sipas tij, me vendosjen e taksës i është liruar hapësira e uzurpuar nga produktet e Serbisë të prodhuesve vendor.

“Tash së fundmi u vërtetua se ekziston një shkallë e lartë e informalitetit dhe kontrabandës në veri, që është duke e dëmtuar prapë ekonominë. Masa si e tillë ka qenë e nevojshme dhe ka rezultate pozitive. Ka shumë kompani që kanë filluar të punojnë edhe me ndërrimin e tretë për shkak të mungesës së produkteve serbe. Do të thotë është rregulluar konkurrenca e lirë ku i është dhënë hapësira e uzurpuar nga produktet serbe prodhuesve të Kosovës”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, Panxha ka folur edhe për sektorët tek të cilët vendosja e taksës ka pasur efekt pozitiv.

“Sektorët tek të cilët taksa ka pasur efekt pozitiv janë, sektorët e ushqimit, ndërtimtarisë, pra që kanë pasur konkurrencë më të madhe. Ka disa sektorë që ne nuk mund t’i prodhojmë për momentin. Tregtia është zhvendosur nga Shqipëria dhe Maqedonia . Dy ditë pas vendosjes së taksës ne kemi shkuar në Shqipëri, iu kemi thënë e keni derën e hapur, por kemi probleme që duhet zgjidhur. Megjithatë problemet nuk janë zgjidhur, mirëpo kemi gjetur hapësirën që të depërtojnë produktet nga Shqipëria dhe Maqedonia”, ka deklaruar Panxha.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për vendosjen e taksës në autostradën drejt Shqipërisë për automjetet që udhëtojnë nga Kosova, sipas tij, kjo taksë të lartë të vendosur nga ana e Shqipërisë, madje sipas tij taksa nuk është dashur të vendoset drejt Kosovës por drejt Greqisë dhe Maqedonisë.

“Ne udhëtojmë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe duhet të paguash. Autostrada me Shqipërinë në anën e Shqipërisë nuk i përmbush parametrat e një autostrade që duhet të paguhet sepse nuk është e përfunduar, është e shkurt, por kostoja është e lartë, 27 euro për kamion. Pse t’i shtohet kjo taksë rrugës drejt Kosovës, pse të mos bëhet drejt Greqisë apo Maqedonisë, po pikërisht drejt Kosovës. Pse asnjëherë nuk u konsultuan akterët kosovarë se çfarë mendimi kanë për këtë taksë. Taksat janë mjet për mirëmbajtjen e rrugëve, jo për ndërtimin. Sikur të ishte ndërtuar ajo rrugë përfundimtare, atëherë nuk kish pas logjikë të ankohemi. Por, pse pikërisht me Kosovën, duke e ditur që turistët më së shumti vijnë nga Kosova, dhe shumë shkëmbime tregtare ndodhin më shumë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Besoj që do të përmirësohet cilësia e kësaj rruge me parat tona, jo me taksapaguesit e Shqipërisë, sepse ne po qarkullojmë në baza ditore në atë Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se shkëmbime tregtare në këtë rrugë më së shumti bënë Kosova.

Lidhur me këto barriera ndaj prodhuesve, Panxha ka thënë se nuk ka pasur reagim zyrtar.

“Nuk kemi pasur reagim zyrtar as nga Ambasada e Shqipërisë, as nga institucionet. Ndoshta kanë çështje më me prioritet. Është dëshpëruese që asnjë reagim nuk ka ndodhur deri më sot që të dërgohet një sinjal, që janë duke u shqyrtuar problemet që kanë prodhuesit”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat