Takimi Merkel – Haradinaj: Me këtë sy e sheh opozita

Aktuale

Takimi Merkel – Haradinaj: Me këtë sy e sheh opozita

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 00:56
Merkel, Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur sot me ceremoni ushtarake në Gjermani. Ai do të takohet me kancelarin Angela Merkel dhe me disa deputetë.

Kjo vizitë është duke u realizuar rreth një muaj para takimit që do të mbahet më 1 korrik në Paris, në vazhdën e takimeve për arritjen e një marrëveshje me Serbinë.

Partia e Haradinajt, AAK-ja, konkretisht deputetë të saj, thonë se ky takim ka për qëllim liberalizimin e vizave dhe angazhim kundër ndarjes së Kosovës.

Opozita kosovare nuk e përjashton se këto janë dy temat që mund të fliten në takimin e nesërm, por meritat për “vdekjen” e shkëmbimit të territoreve ia vënë vetës, por edhe angazhimit të Merkel.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli thotë se takimi Merkel-Haradinaj është me rëndësi dhe i dobishëm për Kosovën.

“Qëndrimi i Merkelit ka qenë konstruktiv dhe ka qenë shumë vendimtarë në ndarjen e ‘turrit’ të Thaçit e Vuçiqit për shkëmbim të territorit. Impenimi më i madh i Merkelit për këto çështje është shumë i mirëpritur. Ky angazhim i saj po ja jep goditjen e fundit avanturave të Thaçit. Në këtë drejtim angazhimi i Merkelit kontribuon që Kosova të ruhet me këta kufij dhe shpresoj që vendimi i saj do jetë vendimtarë edhe për vizat. Merkeli mund t’i jep një shtysë këtij projekti dhe liberalizimi do të përshpejtohet”, thotë Avdyli.

Ai mohon se qeveria “Haradainaj” ka bërë punë për heqjen e vizave, duke thënë se detyrat i ka kryer ish-qeveria “Mustafa”.

“Ishte Qeveria e Mustafës që i ka plotësuar 98 për qind të kritereve. Kjo qeveri falë opozites i ka plotësuar dy kritere. Kjo qeveri jo që po i ndihmon liberalizmit, por po e rrezikon atë. Merita mund të merr kushdo, por realiteti është ky”, ka deklaruar Avdyli.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, thotë se nuk e ka të qartë se çfarë mund të bisedohet në takimin e nesërm Merkel-Haradinaj, por se projekti i shkëmbimit territorial i Thaçit ka rënë dhe sipas saj kjo është falë kontributit të madh edhe të opozitës.

“Falë këmbëngulësisë sonë edhe për Gjermaninë kemi dhënë mesazh se nuk e duan projektin e Thaçit. Nuk mund ta dijmë se çfarë mund të ndodh atje, s’do të pranojmë të cenohet territori i Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo thotë se deklaratat e deputetëve të AAK-së rreth takimit të Haradinajt me Merkelin bëhen për t’u mbuluar krimin e korrupsionin e qeverisë aktuale.

Sipas Haxhiut, shkëmbimi territorial do të ndodhte nëse nuk do të rezistonte opozita.

“Sa për Haradinajn njëjtë do ndodhte edhe për territoret se ky njeri (Haradinaj) nuk është i qëndrueshëm”, ka deklaruar Haxhiu, duke lidhur me rezistimin e kryeministrit aktual për Demarkacionin me Malin e Zi dhe më pas “lëshimin” pe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat