Kuvendi duhet të mbështesë institucionin e Avokatit të Popullit

Aktuale

Kuvendi duhet të mbështesë institucionin e Avokatit të Popullit

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 15:55
Pamje nga takimi

Erinda Ballanca e cila drejton institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri është takuar të premten me anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës. Aty, ajo theksoi rëndësinë që ka mbështetja e Kuvendit ndaj Avokatit të Popullit.

Ndërsa deputetët folën për sfidat dhe sukseset e Kosovës në çështjen e të respektimit të të drejtave të njeriut.

Avokatja e Popullit të Shqipërisë tha se ky institucion e ka të pamundur të kryejë misionin e tij nëse nuk ka mbështetje të sinqertë nga Kuvendi.

Ballanca: Kuvendi duhet t’i jap vëmendje institucionit të Avokatit të Popullit

“Sado që ne të mundohemi, dhe sigurisht jemi institucione të pavarura që mundohemi ta përdorim dhe ushtrojmë kompetencat që kemi në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, vëmendja që Kuvendi duhet t’i jap këtyre institucioneve, rritja dhe fuqizimi i rolit të tyre është domethënës për garantimin e të drejtave të njeriut, sepse vetëm duke pasur një organ tjetër të pavarur që të ketë një zë, të ketë një qëndrim ndryshe mund të zgjidhet ajo që është problematika që qytetarët mund të kenë apo paraqitja e disa çështjeve dhe trajtimi i disa çështjeve që në agjendë janë më së larti në garantimin e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut”, tha ajo.

Ndërsa nënkryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirije Kajtazi tha se vendet kanë shumë vlera për t’i ofruar bashkësisë evropiane, por që ende ka nevojë të korrigjohen në disa gjëra.

Kajtazi: Duhet t’i ruajmë vlerat që i kemi

“Afërsisht janë sfida të njëjta me specifika, ndoshta pak a shumë të secilit shtet disa gjëra që për ne për fat të mirë kanë qenë të tejkaluara tek konfliktet mes familjeve, njerëzve të izoluar e të tjera, ka qenë ndoshta pika befasuese që e kemi parë në Shqipëri që uroj ta tejkaloni, dhe shumë gjëra të tjera që janë një standard i sjelljes tonë në rrugën drejt EU-së, që e keni edhe ju topike në agjendë edhe ne. Kemi çka ofrojmë edhe për Bashkësinë Evropiane, i kemi vlerat të cilat me shumë respekt duhet t’i ruajmë, por kemi nevojë edhe të korrigjohemi në disa gjëra”, tha ajo.

E Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari foli për bashkëpunimin me komisionin, për të cilin tha që është i ngushtë dhe ka treguar rezultate.

Erinda Ballanca, Avokate e Popullit në Shqipëri gjatë ditës ka vizituar edhe Gjykatën Kushtetuese, gjithashtu është takuar edhe me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat