Dje e denoncoi për kërcënim ministrin e arsimit, Idrizi: Ministër, dje pranova kërcënimin e dytë

Aktuale

Dje e denoncoi për kërcënim ministrin e arsimit, Idrizi: Ministër, dje pranova kërcënimin e dytë

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 21:14
Shyqyri Bytyqi dhe Ferit Idrizi

Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Integrime evropiane, koordinim të politikave dhe çështje ligjore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ferit Idrizi gjatë ditës së djeshme kishte denoncuar ministrin e arsimit, Shyqyri Bytyqi për kërcënim.

Lajmi kishte raportuar dje për denoncimin që ia ka bërë Ferit Idrizi ministrit të arsimit, Shyqyri Bytyqi.

“Sot e kam denoncuar rastin në polici. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, ku ministri më ka kërcënuar fizikisht sepse nuk e kam nënshkruar një dokument të jashtëligjshëm”, ka thënë Idrizi dje.

Ndërkohë, që MASHT-i nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se kanë qenë sjelljet e Idrizit ato që kanë bërë që Bytyqi të kërkojë lirimin e zyrës.

“MAShT sqaron opinionin publik se për shkak të sjelljeve të pahijshme të Idrizit, në takimin e mbajtur dje në zyrën e ministrit Bytyqi, ku prezentë kanë qenë edhe tre zyrtarë tjerë të MAShT, ministri ka qenë i detyruar për të kërkuar nga Idrizi që t’ia lirojë zyrën”, thuhet në komunikatën e MASHT-it.

Ndërkohë që sot, Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Integrime evropiane, koordinim të politikave dhe çështje ligjore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ferit Idrizi nëpërmjet një deklarate ka thënë se ministri e ka kërcënuar përsëri.

Sipas tij, pas kërcënimit fizik që i bëri ministri, ai e kërcënoi edhe me masë diciplinore vetëm për faktin se Idrizi i publikoi kërcënimet ndaj tij.

Madje, Idrizi i ka thënë ministrit Bytyqi se në zyrë në atë moment kanë qenë vetëm katër persona të cilët i ka përmendur me emra.

“Kam vetëm një sugjerim për juve z. Ministër! Nëse doni të jeni i respektuar dhe i suksesshëm, respektoni të tjerët, në veçanti vartësit tuaj! Largoje konceptin e pronësisë nga institucioni dhe zëvendësoje atë me konceptin e përgjegjësisë, sepse vetëm respekti ndaj të tjerëve dhe koncepti i përgjegjësisë institucionale ju bën të respektuar dhe suksesshëm”, ka thënë në fund Idrizi.

Kjo është deklarata e tij e plotë:

Ministri i arsimit më kërcënon prapë! Lëri kërcënimet ministër  dhe ktheju arsyes, se edhe me mbet pa punë nuk bëhet nam e shijoj ndjenjen e 30/ shit te të papunëve në Kosovë.

Zoti ministër, e pash se përmes një komunikate që është lëshuar nga kabineti juaj më keni kërcënuat prapë. Për dallim nga hera e parë që më kërcënuat fizikisht, sepse unë i mbrojta parimet e drejta juridike për të mos ju lanë juve të shkelni ligjin, tani më kërcënoni me marrje të masave disiplinore ndaj meje, sepse unë i bëra publike këto, duke me akuzuar si shpifës dhe të pasjellshëm. Dua t’ju sqaroj z. Ministër se kjo që kam deklaruar për media është shumë e vërtet pa asnjë zmadhim sepse nuk desha me ju hy në hak as juve, por mund të jet fillimi i asaj që kam për të thënë dhe argumentuar në të ardhmen. Sa i përket akuzës që më keni bërë si të pasjellshëm, ju them sinqerisht që për 27 vite karrierë punë në disa institucione shumë të rëndësishme gëzoj në respekt shumë të lart, ndërsa këtë epitet e marr për herë të parë nga ju. Kushdo që ka dëgjuar rreth rastit ka shprehur keqardhje sepse tërë karrierën time të punës e kam kaluar me shumë angazhim, respekt institucional, profesionizëm, e në veçanti me shumë mirësjellje dhe respekt ndaj tjerëve. Një shifër që keni përmendur në komunikatë, len të kuptohet se ju po doni me e rrit numrin e dëshmitarëve prezent në zyrën tuaj rreth rastit që na ndodhi. Mos tentoni ta bëni një gjë të tillë se kam shumë dëshmi rreth rastit. Ju kuptoj se në atë moment ishit shumë nervoz dhe ka mundur t’ju shtohet numri i të pranishmëve, por realisht ishim 4 vetë. Ju si nikoqir,  znj. Hanemsha Latifi, unë, si  dhe këshilltari juaj z. Fehmi Hysenaj si mysafir, asnjë më shumë.

Kam vetëm një sugjerim për juve z. Ministër! Nëse doni të jeni i respektuar dhe i suksesshëm, respektoni të tjerët, në veçanti vartësit tuaj! Largoje konceptin e pronësisë nga institucioni dhe zëvendësoje atë me konceptin e përgjegjësisë, sepse vetëm respekti ndaj të tjerëve dhe koncepti i përgjegjësisë institucionale ju bën të respektuar dhe sukseseshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat