Edhe amerikanët e demantojnë keq Thaçin për Samitin e Berlinit

Aktuale

Edhe amerikanët e demantojnë keq Thaçin për Samitin e Berlinit

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 23:29
Hashim Thaçi

Pas Qeverisë gjermane, edhe zyrtari i Lartë i Këshillit Kombëtar të Amerikës, John Erath, e ka përgënjeshtruar presidentin Hashim Thaçi, i cili thoshte se ka qenë i shokuar kur e ka kuptuar që Franca e Gjermania nuk janë konsultuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur kanë mbajtur Samit me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Erath, kur është pyetur për deklaratën e Thacit, ai ka thënë se Amerika ka kontakte të rregullta me aleatët në Evropë.

“Ne bisedojmë me aleatët tanë evropianë rregullisht. Unë kam biseduar me homologët francezë dhe gjermanë për situatën në Ballkan. Ne nuk morëm pjesë në takimin e Berlinit, pasi ishte planifikuar të zhvillohej për çështje që lidhen me Bashkimin Evropian dhe ne nuk jemi pjesë e BE-së. Në të ardhmen ne do të ishim të gatshëm të merrnim pjesë në çdo gjë që Berlini ose Parisi duan të organizojnë me një rol që do të ishte i përshtatshëm për ne”, ka thënë John Erath.

Kur u mbajt Samiti i Berlinit, Presidenti Hashim Thaci nuk ishte i kënaqur me rolin e Gjermanisë që tash është shumë aktive në çështjen e Kosovës me Serbinë.

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj u kthye nga samiti i 25 prillit i gëzuar, pasi sipas tij, aty vdiq ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, e promovuar nga Thaci dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Thaçi pas samitit tha se ishte i tronditur kur e kishte kuptuar se Gjermania e Franca, si nikoqire të Samitit, nuk ishin koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë e kishte përgënjeshtruar Zyra e kancelares gjermane Angela Merkel.

“Kancelarja e Gjermanisë dhe presidenti i Francës, kanë ftuar krerët e shtetit dhe të Qeverisë së gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Kroacisë dhe Sllovenisë, dhe përfaqësuesen e lartë dhe zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Federika Mogherini. Qeveria gjermane sigurisht që është në koordinim të ngushtë dhe konstant me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në nivele dhe çështje të ndryshme, përfshirë këtu edhe situatën në Ballkanin Perëndimor”, kanë thënë nga Zyra për Media e Qeverisë së kancelares, Angela Merkel“, thuhej nga Zyra e Merkelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat