Haxha tregon se ishte kërcënuar edhe me vdekje sa ishte kryeshef

Aktuale

Haxha tregon se ishte kërcënuar edhe me vdekje sa ishte kryeshef

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 17:24
Shyqeri Haxha

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës Shyqeri Haxha, ka deklaruar se kur kishte ardhur në krye të këtij institucioni, çështja me Z-Mobile ka qenë e kryer. Ai tha se nënshkrimi i tij ka qenë vetëm për arkiv, pasi sipas tij marrëveshja me Z-Mobile do të implementohej edhe pa u nënshkruar kontrata.

Ai gjatë raportimit në komisionin hetimor për PTK, tha se çdo gjë kishte filluar tri vjet para se ai të vijë si kryeshef i Telekomit dhe kur kishte marrë postin çdo gjë kishte qenë e përfunduar. Ai tha se për herë të parë në Kosovë kontrata negociohet bashkërisht me bordin dhe bordi aprovon kontratën bashkë me menaxhmentin.

Haxha tha se kontrata me Z-Mobile i ishte prezantuar si interes amerikan dhe se nuk ishte njoftuar për problemet që kishin qenë.

Haxha: Asnjë informacion se ka probleme në këtë kontratë nuk ka pasur

“Kjo kontratë është nënshkruar në prezencë të bordit, atë ditë është sjellë kjo kontratë, atë ditë ka ardhur Blerim Devolli për herë të parë e kam takuar atë ditë. Asnjë informacion se ka probleme në këtë kontratë nuk ka pasur, ju garantoj me përgjegjësinë më të madhe, sikur të kishte nuk ishte nënshkruar, mirëpo unë jam autorizuar me implementua vendimin e bordit...Kam pasur presion të mëdha nga bordi, në momentin kur është nënshkruar kjo kontratë. Faktikisht kjo kontratë ka qenë edhe e nënshkruar për opinion publik, kjo kontratë ka qenë e nënshkruar. Nëse e shikoni vendimin e bordit, vendimi i bordit para se të vije unë thotë kështu; ‘bordi me shumicë votash ka aprovuar draft marrëveshjen versioni punuar dhe aprovuar nga grupi punues e jep me datë dhe versionin e komplet kontratën dhe thotë dhe e ka aprovuar ndarjen e tyre në 78 përqind’.  Pse po e specifikoni ju, këtu është fakti pse po thua ti 2 2 dhe pse po thua kontratën, pse nuk e ke bërë ti me Rezolutë e aprovojmë kontratën dhe leja menaxhmentit. Thotë dhe e autorizon dhe e ka autorizuar menaxhmentin dhe kryesuesin e bordit në drejtim të implementimit, nuk thotë ekzekutimit, nuk e autorizon me nënshkrua thotë me e implementua se është e kryer. Ky vendim është i nënshkruar, do të thotë kontrata është e nënshkruar, ajo kontratë pa u nënshkrua hiç nuk ka mundur njëri i gjallë me e ndal qatë kontratë”, tha ai.

Ish kryeshefi Haxha tha se kontrata me Z-Mobile është përdorur për të hyrë në PTK dhe për, siç tha ai, bluar PTK.

Haxha:Ëështë përdorur si biletë me hy në PTK dhe me e blua nga hajnat

“Kontrata si kontratë nuk është aq e trashë dhe nuk i ka as 20 faqe, kjo është përdorur si biletë me hy në PTK dhe me e blua nga hajnat edhe të kësaj edhe të PTK-së, edhe aty ka grupe kriminale dhe janë të profilit që nuk i vëren dhe ata e bluajnë. Janë grupe kriminale, ata e bluajnë se më së pari ai nuk ia faturon hiç një pagesë, është vështirë me e ditë. Ata e bluajnë, se shikoni sistemi i Telekomit është shumë kompleks, nuk ka njëri që i dinë të gjitha detajet. Unë jam ekspert i Telekomit, punoj me kompanitë më të fuqishme në botë të Telekomit, mirëpo ai e ka një program që një shkronjë ia ndërron dhe t’i nuk mundesh ta gjesh. Kjo kontratë si e tillë ka mundur të jetë shumë profitabile, e njëjta sikur të ishte menaxhuar. Unë e kam menaxhuar, por kam pasur situata jashtëzakonisht të vështira, kam pasur kërcënime, kam pasur shantazhe, nuk e di çka nuk kam pasur. Në momentin kur është nënshkruar kjo kontratë kanë filluar tani bombardimet ndaj meje, faktikisht është tentuar me mu pamundësua të rri më tutje”, tha ai.

Haxha ka pasur akuza për dy ish-ministra Ahmet Shalën dhe Besim Beqajn, që në atë kohë kanë dëmtuar PTK-në me vendimet e tyre.

Haxha: Në luftë me ministrin Ahmet Shala, me Besim Beqajn, që me iu thënë strategjia juaj po e dëmton

“Një drejtor ekzekutiv i cili është zgjedhur prej një Qeverie me u konfrontua me Qeveri dhe me i thënë Qeverisë ti po e dëmton kompaninë. Është rast unik, nuk ka ndodhur asnjëherë me hy në luftë me ministrin Ahmet Shala, me Besim Beqajn, që me iu thënë strategjia juaj po e dëmton, unë e kam dëshmuar që strategjia ime e ka nxjerrë më mirë PTK, do ta nxirrte. Ata kanë dëshmuar që e kanë dëmtuar. Ata kanë ndalur projektet më vitale, e kanë ndal projektin e billingut që në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të ndalet. Projekti i billingut është zemra e kompanisë, është zemra e zhvillimit të kompanisë”, tha ai.

Haxha tha se kishte kërkuar në rreth 20 takime të bordit që të ndalet kjo kontratë, mirëpo sipas tij nga kryetari i bordi i është thënë se nuk mundesh me e ndal, se as nuk e ke bërë ti as nuk e ndal.

Ai përmendi Rexhë Gjonbalaj dhe Nuhi Ahmetin, si personat më të zëshëm që kanë qenë për nënshkrimin e kontratës me Z-Mobile.

Sa i përket ndërrimit të emrit Dardafon dhe Dardafon.net, ai tha se askush nuk e ka njoftuar se ka ndërruar emri. Ai tha se Lulzim Kurtaj si përfaqësues i ART-së është ai që e ka bërë ndërrimin e licencës para se ai të vije në pozitën e kryeshefit.

Haxha tha se gjatë gjithë kohës ishte përballur me kërcënime dhe presione, madje ai tha se ishte kërcënuar edhe me jetë. I pyetur se a ka pasur presione për ta nënshkruar kontratën me Z-Mobile nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, Haxha ka lexuar një përgjigje që i kishte dhënë prokurorisë së EULEX-it për të njëjtën pyetje.

Haxha: E kam thirrur Thaçin, ai më tha se nuk ishte problemi i tij dhe se unë duhej ta zgjidhja atë

“Pasha Zoti nuk ka pasur njeri që më ka qitur mua kusht ose është biseduar diçka për këtë kontratë, nuk ka pasur se po të më kishte thënë kurrë nuk kish ndodh. Personi që ju e përmendët është përmendur nga prokuroria dhe po e lexoj qashtu qysh është thënë atëherë dhe ashtu qëndron. ‘Gjatë hetimit ju keni thënë hetuesve të EULEX-it se keni pranuar thirrje nga …në të cilën ju ka inkurajuar të nënshkruani kontratën me Dardafone.net, elaboroni’. ‘Kjo është hera e parë që dëgjoj për këtë. E kam thirrur Hashim Thaçin kur jemi përballur me problemet e Adrianit. Andy Sparks më sugjeroi ta thirrja Thaçin. E thirra dhe i thashë se imazhi i kompanisë po dëmtohet meqë kuptuam se dy nga aksionarët kishin probleme. Ai më tha se nuk ishte problemi i tij dhe se unë duhej ta zgjidhja atë. Ai nuk deshi të ishte i përfshirë’”, u shpreh ai.

Deputetët kanë insistuar që të marrin një përgjigje definitive se a ka pasur apo jo presion nga Thaçi, po Haxha ka thënë se nuk e mohon dhe as nuk e pohon.

Haxha: Nuk e mohoj as nuk e pohoj se ka forma të ndryshme të presionit

“Shikoni unë nuk e mohoj as nuk e pohoj se ka forma të ndryshme të presionit që t’i bëjnë, kush i bënë ato nuk e di. Bordi ka qenë ai... Thirre Hashim Thaçin se unë i thash e kam një problem thash problemi është tek aksionarët, ka probleme të mëdha dhe nuk po e di çka me bë, jam në gazep, ai më tha thirre Hashim Thaçin dhe pyete çka është kjo punë. Unë e kam thirrur ai më tha unë nuk merrem me këto sene dhe kaq ka qenë”, tha ai.

Ishkryeshefi i Telekomit ka treguar se ka pasur kërcënime edhe nga Blerim Devolli, derisa tregon se është konftrontuar përmes telefonit me të dhe me njerëz të tij.

Nga deputetët, Haxha është pyetur edhe për punësimet gjatë kohës kur kishte qenë kryeshef, ku ai tha se nuk kishte punësuar asnjë familjar.

Ai tha se në kohën kur kishte qenë kryeshef kishte punësuar tre persona, një person i cili e kishte ndihmuar të luftonte sim to sim. Po ashtu, ai tha se kishte punësuar Ferdonije Qerkezi  dhe një grua nga Drenica të cilës iu kish vra të katër vëllezërit gjatë luftës.

Ndërkohë deputetja e PDK-së Blerta Deliu, i ka thënë se ka punësuar persona të tjetër por që nuk po i përmend me emra, e kësaj deklarate i ka reaguar ish-kryeshefi Haxha duke i thënë se ajo i kishte kërkuar që t’ia punësojë një person.

Haxha: Blertë pasha Zoti goja jote u ardhë më ka thënë me ta shti dikë ty në punë

“As nuk kam punësuar vëlla, as motër, pa punë kanë qenë. Një vëlla dy vite nuk më ka folur. Nuk kam të tjerë familjarë. Asnjë njëri Haxha nuk është i punësuar. Blertë pasha Zoti goja jote u ardhë më ka thënë me ta shti dikë ty në punë, po e punësua dikë në punë. Unë e kam memorien shumë të fortë dhe unë kam informacione shumë”, tha ai.

Por, këtë menjëherë e ka mohuar deputetja Deliu, e cila tha se asnjëherë nuk kishte kërkuar që t’i punësohej dikush.

Deliu: Kurrë në jetë

“Kurrë në jetë. Nuk e kam në plan me të ngucë veç kurrë në jetë, kurrë”, tha ajo.

Haxha ka treguar se edhe ish kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku i kishte dërguar persona për t’i punësuar duke e shantazhuar se nëse nuk ndodh kjo do të thonë se vëllai i Shyqeri Haxhës Bahri Haxha nuk ka qenë dëshmor i kombit.

Haxha: 2 persona mi ka dërguar Bajram Mulaku nga Vushtrria

“2 persona mi ka dërguar Bajram Mulaku nga Vushtrria. Unë nuk kam ditur asgjë, kanë ardhur, më ka thirrur në telefon këta dy vetë, këta dy vetë kanë ardhur dhe më kanë thënë që po duan të hyjmë në punë. Thash nuk shkon ashtu kjo punë dhe më ka thënë që nëse nuk punësohen vëllain tënd  Bahri Haxhen kemi me thënë që nuk ka qenë dëshmor”, tha tregoi Haxha.

Ish kryeshefi i Telekomit ka vazhduar raportimin para deputetëve anëtarë të komisionit hetimor për PTK-në.

Shyqeri Haxha ka qenë kryeshef i Telekomit në vitet 2008 deri në vitin 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat