Po afrohet dita e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së Trupave të NATO-s në Kosovë, ku janë bërë të ditura edhe disa aktivitete që do të mbahen për nder të kësaj dite.
Ndërkaq, është konfirmuar se ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe ish- Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20-vjetorit të lirisë.
Ndërsa, në lidhje me këtë temë, për të arriturat dhe ngecjet gjatë këtyre viteve, për gazetën “Bota sot”, foli, Kenan Gashi, analist dhe drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare AVONET, i cili tha se vetëm pak ditë nga shënimi i 20-vjetorit të çlirimit të vendit si dhe 11-vite pas shpalljes së pavarësisë, rrugëtim i përcjellur me shumë të arritura e me shumë sfida e ngecje në shtet ndërtim, ngase, sipas tij, Kosova edhe më tej ballafaqohet me probleme sociale, ekonomike dhe me shumë pengesa serioze, me sfida për të ndërtuar dhe fuqizuar demokratizimin e shtetit mbi parimet e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Tutje, Gashi tha se lufta e ashpër për pushtet ndërmjet partive politike, sipas tij, pa zgjedhur forma dhe metoda demokratike për të ardhur në pushtet dhe një proces i ndërmjetësuar nga BE-ja që deri më tani ka rezultuar pa asnjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Politikëbërja në nivel më të ulët karshi interesave të qytetarëve, mungesa e transparencës dhe krijimi i një politike të favorshëm për qytetarët dhe zhvillimin e politikave të dobishme për lehtësirat për të zhvilluar biznes”, tha analisti Kenan Gashi.
Sipas tij, deri më tani nuk është vërejtur një progres në lirin e shprehjes, përmasimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, si dhe presioni ndaj mediave dhe shoqërisë civile, siç potencoi ai, ndikimi politik tek institucionet e pavarura dhe nepotizmi janë të gjeturat edhe nga raportet e ndryshme ndërkombëtare.
“Institucionet e Republikës së Kosovës në projektet infrastrukturore kanë hargjuar miliona euro dhe cilësia e tyre është e dobët, të pa planifikuara mirë, e shpesh herë të hartuar për interesat e grupeve të ndryshme!”, përfundoi Gashi.