Vazhdim i traditës shumëshekullore dhe dashurisë ndaj Rumisë

Aktuale

Vazhdim i traditës shumëshekullore dhe dashurisë ndaj Rumisë

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 09:30
Shoqata e Bjeshkatarëve ”Rumia” nga Ulqini

Shoqata e Bjeshkatarëve ”Rumia” nga Ulqini ditën e diel  organizoi edicionin e sivjetëm   të manifestimit tradicional gjithëpopullor ”Dita e Rumnisë 2019”. Ky udhëtim sivjet është zhvilluar  nga një shtegtim, nga  fshati Brisk, prej ku në ora 6-të të mëngjesit, 40-50 bjeshkatarë, adhurues të natyrës, traditës, historisë, kulturës dhe bjeshkatarisë etj., u ngjitën në malin e Rumisë. Atje u takuan me afro 20 kolegë kampistë të cilët kishin dalur një natë më parë dhe kishin fjetur atje.

Kryetari i shoqatës Fatmir Markashi thotë se masivizimi  sivjet  nuk ishte në nivelin e viteve të mëparshme . ” Numri i bjeshkatarëve që dolën sivjet në malin Rumi ishte më i vogël, pasi   edhe temperatura e ajrit  atë ditë po thuaj ishte ekstreme dhe bjeshkatarëve u shkaktoi vështirësi si asnjë herë më parë gjatë viteve të kaluara. Me këtë rast u zhvilluan garat popullore sportive tradicionale, në katër  disiplina:  hedhjen  e gurit, kërcim nga vendi ,  qitjen me pushkë ajrore dhe tërheqjen e litarit.  Në hedhjen e gurit vendin e parë e mori  Hasim Shurna nga Prishtina,  më së largëti  nga vendi  kërceu ArditAstafa, qitësi më i suksesshëm me pushkë ajrore u shpall MedinTagani, kurse  ekipi veteran  me kapitenin Riza Gjelloviq  ishte  fitues në tërheqjen e litarit.

 Në këtë manifestim në mënyrë të organizuar  munguan mysafirët e disa edicioneve të mëparshme, si  grupi i bjeshkatarëvee  nga Shkodra,  Prishtina dhe  Tetova”, thotë Markashi. 

Megjithatë, ky manifestim, shton Markashi ,  ia arriti qëllimit,  ruajtjen  dhe përtëritjen  e traditës shumëshekullore të popullatës vendore të daljes në majen e malit Rumisë, i cili konsderohet si simbol i ekzistencës së tyre.  Rëndësi e posaçme e këtij manifestimi është edhe njohja me bukuritë natyrore të kësaj ane, shoqërimi i bjeshkatarëve dhe krijimi i njohjeve të reja ndërmjet tyre.

Sipas fjalëve të kryetarit të shoqatës  Fatmir Markashit grupi i tij i bjeshkatarëve  javën e ardhshme do të jetë  mysafirë  në manifestimin që do të fillojë në Kojë dhe do të përfundojë  në malin  historik  të  Greçës (  në Triesh) , të cilin e organizon Shoqata “ Labeatët” nga Malësia. Një javë më pas  do të marrin pjesë në manifestimin “ Ditët e Lubotenit” në Kaçanik, të Kosovës.  Markashi me këtë rast falënderon të gjithë sponsorët dhe donatorët e këtij manifestimi, duke filluar nga sipërmarrësit privat, Komunën e Ulqinit, Ndërmarmarrjen  për Veprimtari Komunale e të tjerët. (Gj.Gonaj)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat