Bashkëpunimi rajonal kontribuon edhe në sigurinë kombëtare e rajonale

Aktuale

Bashkëpunimi rajonal kontribuon edhe në sigurinë kombëtare e rajonale

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 11:23
Foto

Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Doganën Britanike organizuan takimin e drejtorëve të përgjithshëm të Doganave të rajonit respektivisht të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast ministri i Financave Bedri Hamza, theksoi se ky bashkëpunim rajonal, do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim më të qëndrueshëm dhe zbatim të ligjit në fokus luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Ministri Hamza deklaroi se bashkëpunimi rajonal duhet të ketë për qëllim shtytjen e proceseve integruese drejt vendeve të BE-së për të mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Sipas tij, përveç të hyrave dhe lehtësimit të tregtisë dhe luftimit të krimit, doganat duhet të shtojnë kontroll më efikas në eliminimin e barrierave dhe ngritjen e kapaciteteve.

Hamza: Bashkëpunimi rajonal në fushën e doganave i domosdoshëm

“Përveç të hyrave, lehtësimit të tregtisë dhe qarkullimit të njerëzve, luftimin e krimit ndërkufitare, ekonomisë jo formale dhe mbrojtjen e shoqërisë nga mallrat e ndaluara, pra doganat vlerësohen si një nga institucionet më të rëndësishme për institucionet qeveritare. Andaj, edhe bashkëpunimi rajonal në fushën e doganave është i domosdoshëm për të arritur objektivat e vendeve tona si dhe në proceset integruese drejt BE-së”, tha Hamza. 

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell tha se  Britania e Madhe i gëzohet çdo suksesi të arritur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

O’Conell tha se Kosova dhe vendet e rajonit duhet të vazhdojnë kështu për të shënuar përparim në lehtësimin e qarkullimit të tregtisë së lirë dhe njerëzve, edhe pse është e vështirë.

O’Conell: E di që është e vështirë luftimi i krimit dhe kontrabandës, por jemi këtu për t’ju ndihmuar

“Ajo që do ta thosha, është vazhdoni kështu, me këto përpjekje për të lehtësuar tregtinë, për të përmirësuar shërbimin doganor, për të pasur sukses kundër krimit të organizuar. E di që kjo kërkon guxim, ne e kemi parasysh kërcënimin dhe ndërhyrjet me të cilin përballeni, por ajo që do ta thosha me theks të veçantë është kjo, e dimë që është e vështirë, por jemi këtu për t’ju ndihmuar”, deklaroi O’Conell.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se doganat kanë një rol të rëndësishëm për të hyrat, për ekonomi informale, andaj bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm edhe për kufi më të sigurt.

Berisha: Ky bashkëpunim kontribuon edhe në sigurinë kombëtare rajonale

“Bashkëpunimi rajon është mjaft i domosdoshëm, sepse kjo na ndihmon neve të rritim të hyrat, si një prej objektivave kryesore që kemi, por edhe që të kemi kufi më të sigurt, lehtësira më të mëdha dhe proceduara më të shpejta sa i përket lëvizjes së mallrave, por edhe njerëzve si dhe për një menaxhim më të mirë të rrezikut, sepse edhe ne jemi të afektuar nga kërcënimet prej krimeve kufitare. Gjithashtu ky bashkëpunim kontribuon edhe në sigurinë kombëtare rajonale por edhe ndërkombëtare”, theksoi Berisha. 

Pjesëmarrës në këtë takim ishin drejtorë e përgjithshëm të vendeve të rajonit, përfaqësues nga Organizata Botërore e Doganave dhe përfaqësues nga Doganat të Britanisë së Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat