Çeku rrëfen se si u sulmua ai dhe Veseli gabimisht nga NATO

Aktuale

Çeku rrëfen se si u sulmua ai dhe Veseli gabimisht nga NATO

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 18:17
Agim Çeku dhe Kadri Veseli

Ish-komandanti i UÇK’së, Agim Çeku, ka rrëfyer se si ishte sulmuar gabimisht nga forcat ajrore të NATO-së, derisa po lëvizte me një makinë me Kadri Veselin.

Ai në një intervistë në FRONAL të T7, ka thënë se me intuitën e një ushtaraku, e kishte ditur që aeroplani që po u afrohej do t’i sulmonte.

“Jemi sulmuar unë e Veseli. Një aeroplan i NATO-së na ka sulmuar duke menduar se ishim forca serbe. Ishte interesante. Por kishim përvojë. E dëgjoja aeroplanin që po afrohet. E i thash Kadri Veselit që ky aeroplan me neve e ka. E pas pak e hudhi një bombë, por për fat të mirë para neve”, ka rrëfyer Çeku.

Ai ka treguar se janë larguar dhe janë fshehur pas një guri të madh, ndërkohë pa kaluar shumë minuta, aeroplani është kthyer dhe i ka sulmuar përsëri, por pa e goditur makinën. E gjithë kjo ngjarje kishte ndodhur në vendin e quajtur ‘Malet e Kishës, mbi Budakovë.

“Ne dolëm dhe u larguam pas një guri. Aeroplani prap, e bëri një gjiro, dhe përsëri ka gjuajtur, por nuk e ka goditur përsëri makinën”, ka treguar ai.

Por thotë që NATO-ja gjithmonë kanë treguar se kanë qenë gabime të paqëllimshme.

“Por na kanë siguruar gjithmonë që ka qenë gabim”, shprehet Çeku.

Ai ka thënë se këto gabime të NATO-së janë bërë për shkak se faza e fundit e bombardimeve ka pas për qëllim eliminimin e caqeve lëvizëse.

“Faza e fundit e bombardimeve ka qenë faza e bombardimeve taktike, për caqet e lëvizshme. Fatkeqësisht ka pasur edhe gabime”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat