Zbulohet shtatorja, nga tani Albright përjetësisht në Prishtinë

Aktuale

Zbulohet shtatorja, nga tani Albright përjetësisht në Prishtinë

Nga: Bota sot Më: 12 qershor 2019 Në ora: 11:21

(E plotësuar) - Albright: Kosova është ajo që më bën krenare

Në sheshin “Madeleine Albright” në Prishtinë sot është zbuluar edhe busti i ish-sekretares amerikane të shtetit.

Albright mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores, që u bë në 20 vjetorin e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit tha se angazhimi për Kosovën e bën të jetë krenare.

Pas “Ecjes për Liri” që krerët e institucioneve të Kosovës, bashkë me mysafirët amerikanw, presidentin Bill Klinton, sekretaren amerikane të Shtetit Madeleine Albright, gjeneralin Wesley Clark, ata u ndalën pranë bustit të saj për të bërë zbulimin e tij.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, tha se është mirënjohëse për pritjen që i është bërë në Kosovë.

Albright: Kosova më bën krenare

“Njerëzit më pyesin cila nga veprat e mia më bën më krenare dhe ajo është Kosova sepse patëm mundësinë t’i sigurojmë popullit të Kosovës të jetojnë në paqe dhe i jam mirënjohëse presidentit Klinton i cili e mori vendimin për të bërë gjithë çfarë mundëm për ju. Nuk mund t’iu tregoj sa mirënjohëse jam ndaj kësaj pritjeje sot, flamujve amerikanë dhe fjalëve ‘Faleminderit SHBA’, tha Albright.

E për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ky ishte moment i veçantë dhe historik për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj.

Ai tha se sot janë bashkë me ata që udhëhoqën procesin për bërjen e Kosovës shtet të lirë e të pavarur.

Thaci: Busti i Albright do të jetë i përhershëm

“Sot zbuluam bustin e njeriut që e kemi në mendje dhe shpirt secili nga ne çdo herë. Prandaj ky bust do të jetë i përjetshëm për qytetarin e Kosovës siç është shtatorja Bill Klinton, gjithashtu edhe sheshi ‘George Bush’ e shumë personalitete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

Bill Klinton dhe Madeleine Albright po qëndrojnë në Kosovë për të festuar bashkë me popullin e Kosovës 20 vjetorin e çlirimit.

Në kohën kur u mor vendimi për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, në vitin 1999, në krye të Shteteve të Bashkuara ishin presidenti Bill Klinton dhe sekretarja Madeleine Albrgiht.

Në organizimet që u bënë të martën dhe të mërkurën për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit, amerikanët u pritën në sheshet e Prishtinës nga qytetarët e Kosovës të cilët i falënderuan ata për kontributin e dhënë për lirinë e vendit.

***

Është zbuluar shtatorja e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright në Prishtinë. Aty po marrin pjesë ish-presidenti Bill Clinton, politikanë dhe shumë qytetarë nga Kosova.

***

NATO kishte qenë një triumf që funksionon më së miri në botë për të shpëtuar jetë, me shpresën se shekulli më i përgjakshëm në historinë e Evropës nuk do të përsëritet, dhe se duhet mbajtur mend ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë.

Kështu u tha në manifestimin qendror me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Për të shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës, në sheshin “Skënderbeu” të pranishëm ishin ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit, Madeleine Albright, ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, presidenti dhe kryeministri nga Shqipëria, shumë personalitete të rëndësishme dhe qytetarë të Kosovës. Fillimisht, në këtë tubim është shfaqur dokumentari për 20 vjetët e fundit në Kosovë. 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi theksoi se 12 qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës dhe është datë në themelet e identitetit tonë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe Perëndimit.

Thaçi tha se edhe pas përfundimit të luftës dhe sigurimit të paqes edhe nga 50 mijë trupa të Aleancës Veri-atlantike, bota e qytetëruar ishte së bashku me Kosovën. 

Ai, ndër tjera, tha se kjo datë historike, u bë për ta ndërtuar një Kosovë të re në të gjitha dimensionet, dhe se Kosova u bë demokracia më e re liberale në Evropë.

Thaçi theksoi se u mbajtën me sukses zgjedhjet e para të lira, si në nivelin e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror, u krijua ekonomia e tregut të lirë, u mundësuan investime nga jashtë dhe u stabilizua Kosova si shoqëri.

Thaçi: Ajo çfarë bëri bota e qytetëruar në vitin 1999, ishte e jashtëzakonshme

“Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, bota e qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veri-atlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm. Ka qenë një hap vendimtar për ta shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë dhe që të gjithë neve të na ofrohet mundësia historike, që ta ndërtojmë një të ardhme për ne dhe për brezat e ardhshëm. Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa të ketë Kosovë mbi këtë tokë, ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe vendimin tuaj njerëzor dhe qytetërues të pranverës së vitit 1999. Ishte qëndrim dhe vendim i drejtë dhe i ndershëm! Edhe sot, si president i Kosovës, ju them sërish, me sinqeritetin dhe përulësinë më të madhe: Ju faleminderit”, theksoi Thaçi.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton duke falënderuar popullin e Kosovës për mikpritje dhe mirënjohje, tha se NATO kishte qenë një triumf që funksionon më së miri në botë, si dhe bashkëpunimi mbarë kombëtar për të shpëtuar jetë, me shpresën se shekulli më i përgjakshëm në historinë e Evropës nuk do të përsëritet, dhe se duhet mbajtur mend ajo çfarë ndodhi në Kosovë.

Clintoni: Më pëlqen shumë, e dua këtë vend

“Më pëlqen shumë, e dua këtë vend, dhe gjithherë do të jetë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik dhe për liri. Shumë mirënjohës jam që jam këtu me shumë qytetarë që kanë qenë pjesë e asaj beteje, mirëpo posaçërisht me sekretaren Madeleine Albright dhe gjithashtu me gjeneralin Wesley Clark. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur u takova këtu para 20 vjetëve në shkollën fillore në Ferizaj. Atë ditë thash, dhe dëshiroj të njëjtën gjë ta them edhe sot. 79 ditë të arritjes së paqes, unë e di se në kohët e paqes më e rëndësishmja është që të shqyrtohet se çfarë duhet të bëjmë më tutje. Mund të thoni, po, “kemi bërë”. Duhet vetëm një minutë të mendoni dhe mbani në mend se para 30 vjetëve ra muri i Berlinit dhe ra Bashkimi Sovjetik, dhe të gjitha konfliktet po binin poshtë”, tha Clinton.

Ndërsa, ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright tha se Kosova ka ndryshuar shumë gjatë këtyre dy dekadave, ku  qytetarët e saj treguan dhe dëshmuan se janë për paqe dhe ndërtimin e një kombi të ri dhe demokratik. 

Image

Albright: Kauza jonë ishte e drejtë

“Lufta në Kosova ka qenë një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme ndërmjet të drejtave, dhe respektit për të drejtave të njeriut ndërmjet të tiranisë dhe demokracisë. Ne mbizotëruam, sepse Aleanca jonë ishte bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishme ishte se ia dolëm për arsye se kauza jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës për tej të gjitha pyetjeve të taktikave dhe politikave. Fushata jonë vendosej dhe themelohej në baza të drejtësisë. Aleanca e bashkuar ulej dhe shikonte një komunitet të tërë të abuzuar dhe dëbuar, dhe përgjigja ishte: Jo.  Për më tepër se 11 javë, aleanca jonë dhe qytetarët e Kosovës u mbajtën të fortë”, theksoi Albright.

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Mattew Palmer tha se rrethanat në vitin 1999 kanë kërkuar intervenim për t’iu shmangur një katastrofë humanitare, ndërsa intervenimi ka qenë i qartë dhe i kufizuar në fushëveprimin për të ruajtur paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë.

Palmer: Sot le ta përsërisim zotimin tonë për të ndërtuar të ardhmen

“Në këtë përvjetor solemn, i përkujtojmë shumë ushtarë dhe njerëz që janë plagosur, kanë humbur jetën, si dhe për të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre. Sot le ta përsërisim zotimin tonë për të ndërtuar të ardhmen, paqen dhe prosperitetin për fëmijët dhe nipërit e tyre. Para 20 vjetëve do të ishte e paimagjinueshme se sot do të mblidheshim këtu, në kryeqytetin më të ri të Evropës për të shikuar nga një e ardhme optimiste. Qytetarët e Kosovës kanë demonstruar që mund të jenë një partner i besueshëm i komunitetit evropian, duke ndërtuar institucioni demokratike dhe duke përparuar në integrimet euro atlantike. Përkrahja e SHBA-ve për këtë shtet, shton këtë rrugëtim dhe këtë përkrahje për arritjen e objektivave të demokracisë. Ne jemi krenarë që po e shpaguajmë mundin dhe sakrificën që qytetarët e Amerikës kanë bërë për këtë vend”, deklaroi Palmer.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit, se liria e Kosovës është meritë e dëshmorëve të UÇK-së dhe ndihmës së madhe të SHBA-së.

Ai theksoi se sot, Kosova feston 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë presidentin Clinton, sekretaren Albright, gjeneralin e shpresës - Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës.

Ai tha se bota perëndimore në krye me SHBA-të para dy dekadash shpëtuan kombin shqiptar.

Veseli: Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë

“Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot, Kosova është vend i lirë, demokratik, faktor stabiliteti e paqeje! Në këto 20 vjet liri, Kosova ka ecur shumë përpara. Jemi bërë shtet i pavarur e sovran, që beson e punon në një vizion të vetëm, në vizionin euro-atlantik”, pohoi Veseli.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se për shumë kohë populli i Kosovës e ka kërkuar lirinë brez pas brezi, të cilët kanë vuajtur dhe janë flijuar.

Ai theksoi se populli i Kosovës e priste nga Zoti ndihmën, ndërsa bijtë dhe bijat e këtij populli si familja Jashari dhe plot luftëtarë të lirisë, UÇK-ja qëndroi me popullin.

Haradinaj shtoi se populli i Kosovës i takon botës së popujve të lirë që e udhëheq Amerika, ndërsa pati edhe një porosi edhe për shtetin fqinjë, Serbinë.

Haradinaj: Paqen e bëjnë të guximshmit

“Sot shteti i Kosovës është vlerë e re në rajon, është vlerë e shtuar në botë dhe sjell paqe për të gjithë ne. Sot, Kosova është atdheu i të gjithë neve që jetojmë në Kosovë, i shqiptarëve shumicë, e i komuniteteve në Kosovë, i serbëve, i turqve, romëve, i ashkalinjve, goranëve, egjiptasve dhe të tjerë. Pra, të gjithë janë në shtëpinë e vet, në Kosovën tonë. Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtua me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe presidentit Vuçiq që ta njeh Kosovën si të pavarur në kufijtë e vet, në mënyrë që të fokusohemi për një qeverisje më të mirë në luftimin e korrupsionit dhe në forcimin e rendit dhe ligjit. Për arsye që brezave të tjerë t’ua lëmë lirinë, e jo luftën për territore e kufij”, tha Haradinaj. 

Për shënimin e kësaj date janë mbajtur shumë aktivitete, ndërsa, në orën 17:00 do të mbahet edhe Konferenca ndërkombëtare për siguri “20 vjet liri: Një vizon për paqe të qëndrueshme”.

***

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë ceremonisë qendrore për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, tha se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë, “ishte i drejtë”.

“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave", tha ish-sekretarja Albright.

Albright rrëfeu për një premtim që ajo ua kishte bërë para 20 vjetësh refugjatëve nga Kosova të cilët ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe ishin vendosur në Maqedoni.

“Në ditët që pasuan të fushatës sonë kam vizituar një kamp me refugjatë të Kosovës në Maqedoni dhe më kujtohet kur po ecja nëpër tokën me pluhur, me 20 mijë të dëbuar, të rinj dhe të vjetër dhe një djalosh po mbante një pankartë: 'E dua Amerikën', dhe në fund thoshte se dëshiroj të kthehem në Kosovë. Unë ndalova dhe fola më nënën e tij e cila më tha që gjyshi i atij djaloshi kishte vdekur derisa po ikte nga Kosova dhe se ishte gjyshja e tij që po qëndronte ende në Prishtinë. Unë u ftova në një tendë ku një grup i grave folën për interesin e tyre për tu kthyer, dhe ju thash keni durim por gjithashtu ju thash se kur të ktheheni atje do të jenë ushtarët e NATO-s për të ju ndihmuar që të zhvilloni një jetë normale. Duke ju falënderuar grave dhe burrave të NATO-s ne e përmbushëm këtë premtim”, deklaroi Albright.

Palmer: Tash koha e përshtatshme për marrëveshje me Serbinë

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, tha se SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë partner mbështetës i Kosovës, porse porositi institucionet e Kosovës që të angazhohen në fuqizimin e fuqizimin e rendit dhe ligjit.

“Një e ardhme e ndritur varet nga rendi dhe ligji, demokracia e fortë dhe llogaridhënia si dhe refuzimi i pandëshkueshmërisë”, deklaroi Palmer.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, gjatë fjalës së tij, foli edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se tani është koha ideale për t’u arritur marrëveshja përfundimtare në mes të të dyjave vendeve.

“Nuk ka kohë më të mirë, më të përshtatshme se tani për ta bërë këtë. Greqia dhe Maqedonia (e Veriut) së fundmi e arritën pajtimin dhe ka qenë kjo e arritur nga liderë largpamës dhe natyrisht duke i harruar konfliktet e kaluara”, tha Palmer.

“Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinjë dhe do të jenë shumë të ngushtë dhe natyrisht të dyja vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen evropiane dhe të orientohen nga stabiliteti dhe përparimi”, deklaroi Palmer.

Thaçi e Rama e dëgjojnë edhe një herë Haradinajn: Vuçiqi ta njohë Kosovën në këta kufij

Në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e e ceremonisë të 20-vjetorit të hyrjes së NATO’së në Kosovë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të pajtohet me shtetin Serb, shtet ky i cili para dy dekadave kreu gjenocid në Kosovë.

Haradinaj u shpreh se paqen e bëjnë të guximshmit, andaj Kosova sipas tij ka guxim që të pajtohet me Serbinë.

Kryeministri i vendit i ka bërë thirrje Serbisë dhe Vuciqit  që ta njohin Kosovën në kufijtë aktual dhe të drejtën e saj për të qeverisur.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtua me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuciqit që ta njeh Kosovën në kufijtë aktual. Në mënyrë që ne të qeverisim, të punojmë më shumë, në luftimin e korrupsionit, forcimin e vendit dhe ligjit në vendin tonë”, ka thënë Haradinaj para të pranishmëve.

“Kosova është e gatshme me u pajtu dhe si e tillë i bënë thirrje për pajtim Serbisë”.

Ndërkohë, tutje kryeministri, ka falënderuat ish-presidentin amerikan, Bill Clintonin si dhe Albrightin për ndihmesën që i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

“President Clinton, jeni në shtëpinë e juaj. Zoti e bekoftë Kosovën. Ju me avionët tuaj i ndalet trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot një popull ju falënderojmë gjithë jetën”, ka deklaruar në fund, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Albright zbulon momente të jashtëzakonshme: Kështu e çliruam Kosovën me presidentin Clinton

Zëvendësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, ka deklaruar është i nderuar që gjendet në Kosovë.

“Është nder të jem në Kosovë 20 vite pas ndërhyrjes së NATO-s. Sot i kujtojmë ata që kanë humbur jetën për liri”, ka thënë Plamer.

Tutje, ai u ka bërë thirrje të definohet fati i Kosovës.

“Dhe vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen. Ju duhet ta definoni fatin tuaj. ShBA do të jetë përkrah jush”, ka deklaruar ai.

***

Kryeministri Edi Rama është i pranishëm bashkë me presidentin Ilir Meta në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku po zhvillohet ceremonia për festimin e 20-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

Pavarësisht betejës politike në Shqipëri, Rama e Meta janë krah njëri-tjetrit në Kosovë, ku vetëm dy karrige i ndajnë nga ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton.

Image

Clinton: Më është gjunjëzuar kamarieri shqiptar për të më falenderuar

Clinton ka treguar para qytetarëve të Kosovës ngjarje emocionale që kanë të bëjnë me Kosovën, raporton Bota sot

Ai i ka shprehur si ndër gjërat më të mrekullueshme në jetën e tij, duke përmendur si rast të veçantë një ngjarje me një kamarier shqiptar.

''Një nga gjërat më të mrekullueshme që më kanë ndodhur është kur më ndalin njerëzit në rrugë, dhe një kamaerier erdhi dhe më pa aty dhe më ra në gjunjë për të më falenderuar. Mirëpo atë çfarë në fakt dëshiroj është më pëlqen shumë Kosovarët në NY dhe mendoj se kemi nevojë për juve por unë mendoj se çdo person duhet të ketë mundësi të barabarta për të jetuar këtu për të ndërtuar të ardhmen këtu.''

Image

Këto personalitete po marrin pjesë në shënimin e 20 vjetorit të Ditës së Çlirimit

Në sheshin ‘Skënderbeu’ të kryeqytetit, janë mbledhur qindra qytetarë, për nder të festës së Ditës së Çlirimit.

Në këtë tubim, po marrin pjesë personalitete të rëndësishme nga vendi dhe bota.

Të pranishëm janë, ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, ish-sekretarja Medeliene Albright, gjenerali amerikan, Wesley Clark, Mattheë Palmer, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore i SHBA-së, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Disa nga këto personalitete, pritet të mbajën fjalë rasti.

Clinton falënderon qytetarët e Kosovës për mirëpritjen

 Presidenti Clinton ka falenderuar qytetarët e Kosovës që kanë ardhur dhe për mirëpritjen, raporton Bota sot.

‘’Unë e dua këtë shtet. Jam I lumtur që jam në Kosovë bashkë me Albright dhe Clark,’’ ka thënë Clinton. Ai kujton njerëzit në kohën e luftës.

‘’Më kujtohen fytyrat e njerëzve kur erdha këtu pra 20 vitesh,’’ thekson ai.

Image

***

Ish-sekretarja e Shtetit Amerikan, Madelenie Albright, me rastin e 20 vjetorit të hyrjes së Nato-s, po qëndon në Kosovë. Në ceremoninë e organizuar nga presidenca, Albright, iu drejtua qytetarëve me një fjalë rasti. Ish-sekretarja tha se ndihet krenare me atë që është bërë para dy dekadave. Ajo tha se shteti ynë ka zhvilluar bazat e demokracisë, ka media të pavarura, sistem gjyqësor, qeveri etj.

Albright u shpreh e lumtur për çlirimin e Kosovës, tha se kauza jonë ishte e drejtë.

“Jam e krenare me atë që kemi bërë së bashku. Lufta në Kosovë ka qenë një përballje e vrasjeve barbare ndaj popullësisë, më e rëndësishma është se ja dolëm – kauza jonë ishte e drejtë”, tha Albright.

Ajo ka rrëfyer për momentin kur i kishte thënë presidentit Clinton, se për Kosovën duhet të bëhej gjëja e duhur.

Shtoi se gjatë luftës kishte folur me një nënë kosovare që ia kishin vrarë djalin përderisa po iknin nga Kosova.

“Unë fola me nënën e tij më tha se qysh djaloshi i kishte vdekur duke ikur nga Kosova. Gjyshja e tij po qëndronte në Prishtinë”, tha ajo.

Albright tha se koha kishte ardhur për të lëvizur përpara. Ndërsa, u shpreh se tashmë kosovarët i kanë treguar botës se janë të zotë.

Albright është pritur dje në aeroportin e Kosovës, nga ish-presidentja Jahjaga.

***

Me duartrokitje dhe brohoritje nga qytetarët ka marrë fjalën Madeline Albright.

Ajo thotë se është e nderuar që është në Kosovë.

“Ne kurrë nuk do të ju harrojmë. Ne do te ju përkrahim gjithmonë”.

Ajo po tregon se si presidenti Clinton e ka telefonuar në mes të natës.

“Dhe i ka thënë se do ta bëjmë gjënë e duhur për Kosovën. Dhe unë i thash po do ta bëjmë të duhurën”, ka thënë Albright.

Thaçi turpërohet para Clintonit dhe Albrightit

Si president i Kosovës u them me sinqeritetin me te madh faleminderit. Thank you Thaçi ngatërron datën e pavarësisë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në tubimin për shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, u ka uruar mirëseardhje ish-presidentit amerikan Bill Clinton, ish-sekretares së shtetit Medeleine Albright, presidentit Ilir Meta, kryeministrit shqiptar Edi Rama, të cilët po marrin pjesë në këtë tubim.

Ai ka thënë se 12 qershori është data që bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës, raporton “Bota sot”.

“12 qershori është data që na bashkon te gjithëve si qytetarë të Kosovës. Këtë ditë u rilindëm ne. 12 qershori është identiteti i themelimit tonë si Kosovë si pjesë e pandashme e Evropës dhe perëndimit”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se Kosova do të jetë falënderuese ndaj miqve që na ndihmuan në pranverën e vitit 1999, sa të ketë jetë në Kosovë.

“Ashtu si jemi sot kosovarë, amerikanë, francezë, ashtu ishim bashkë edhe atëherë kur rrezikohej mbijetesa e një populli. Kur qytetarët e Kosovës ishin gati të sakrifikoheshin për vendin e tyre. Sa të ketë jetë dhe njerëz në këtë anë, sa të ketë Kosovë, ne do të jemi falënderues për atë që u bë në pranverën e vitit 1999. Ishte vendim i drejtë”, ka theksuar ai.

Por, presidenti gjatë fjalimit ka ngatërruar datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Ne kemi shpallur pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2018” tha ai, duke e përmirësuar menjëherë me 2008.

***

Ka nisur tubimi për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, e cila i dha fund gjenocidit serb mbi vendin tonë.

Në këtë tubim madhështor, por marrin pjesë personalitete të larta ndërkombëtare e vendore.

Në mesin e tyre janë ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeliene Albright, ish-komandanti i NATO-s, gjeneral Wesley Clark, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e personalitete të tjera të larta nga rajoni.

Ky tubim është hapur me një dokumentar që i dedikohet 20- vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, ditë kjo e cila konsiderohet si Dita e Çlirimit të vendit

Brohoritje të shumta nga qytetarët e Kosovës për presidentin Bill Clinton. USA, Bill Clinton dhe Albright janë emrat që qytetarët po brohorasin.

***

Presidenti Thaçi në fjalimin e tij u ka uruar mirëseardhje Clintonit, Albrightit, Clarkit dhe personalitetëve tjera.

“12 qershori është data që na bashkon te gjithëve si qytetarë te Kosovës. Këtë ditë u rilindëm ne. 12 qershori është identiteti i themelimit tonë si Kosovë si pjesë e pandashme e Evropës dhe perëndimit. Ashtu si jemi sot kosovarë, amerikanë, francezë, ashtu ishim bashkë edhe atëherë kur rrezikohej mbijetesa e një populli. Kur qytetarët e Kosovës ishin gati të sakrifikoheshin për vendin e tyre. Sa të këtë jetë dhe njerë në këtë anë sa të ketë Kosovë ne do të jemi falënderues për atë qe u bë në pranverën e vitit 1999. Ishte vendim i drejtë. Si president i Kosovës u them me sinqeritetin me te madh faleminderit. Thank you.”, ka deklaruar Thaçi.

***

Forcat të shumta të policisë janë angazhuar për të siguruar që vizita e presidentit amerikan Bill Clinton, ish-sekretares Madeleine Albright dhe gjeneralit Wesley Clark, të kalojë pa asnjë incident të mundshëm.

Derisa është përgatitur sot organizimi kryesor në qendër të sheshit të Prishtinës, për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATO-së dhe çlirimit të Kosovës, në të cilin do të marrin pjesë Clinton, Albright e Clarck, janë angazhuar edhe forca speciale të Policisë së Kosovës të cilët me snajper do të kujdesen për sigurinë.

Clinton do të parakalojë nëpër sheshin qendror të Prishtinës, e qytetar të shumtë do të kenë rastin që ta shohin e përshëndesin.

Image

***

Ka arritur në sheshin Skënderbeu ish presidenti Bill Clinton. Po ashtu ka arritur edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Qytetarët në pritje të Clinton dhe Albright në sheshin “Skënderbeu”

Image

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin Skënderbeu per të ndjekur ceremoninë. Ata mbajnë në duar flamuj amerikanë dhe pankarta me fotografinë e ish presidentit amerikan Bill Clinton.

***

Gjithçka gati për nisjen e Tubimit qendror të shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, raporton“Bota sot”.

Ky tubim mbahet në sheshin “Skënderbeu”, ku marrin pjesë edhe ish presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeline Albright, ish-komandanti i NATO-s gjenerali Wesley Clark e të tjera personalitete nga vendi dhe bota.

Image

Image

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat