Thaçi dhe Veseli harruan ta përmendin familjen Jashari në ceremoninë e 20 vjetorit

Aktuale

Thaçi dhe Veseli harruan ta përmendin familjen Jashari në ceremoninë e 20 vjetorit

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 18:23
Rifat Jashari

Komandanti legjendar i UÇK’së, Adem Jashari, kishte sakrifikuar jetën e tij bashkë më atë të 52 familjarëve të tij për lirinë e Kosovës. Megjithatë një sakrificë e tillë nuk i ka rënë fare ndër mend as presidentit Hashim Thaçi e as kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, në shënimin e 20 vjetori të lirisë së Kosovës. Ata nuk e kanë thënë asnjë fjalë për Jasharjt, e as nuk e kanë falendëruar Rifat Jasharin i cili po merrte pjesë në ceremoni. I vetmi që ka falënderuar përfaqësuesin e familjes Jashari në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të lirisë, ka qenë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij hapëse të ceremonisë së shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, u kujdes që të falënderonte për prezencë Kadri Veselin, Edi Ramën, e mysafirët special, Clinton e Albright, por nuk e ka zënë fare me gojë familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, të cilën po e përfaqësonte në këtë ceremoni Rifat Jashari.

Përveç kësaj, Thaçi ishte kujdesur që të ngriste në piedestal gjithë atë që NATO kishte bërë për të çliruar  Kosovën, ndërkohë nuk e ka zënë fare me gojë luftën çlirimtare të UÇK’së.

Njëjtë sikurse Thaçi, edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, në këtë ditë në të cilën përkujtohen të gjithë ata që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës, nuk e ka përmendur fare veprën dhe flijimin e familjes Jashari për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Veseli gjithashtu ishte kujdesur të përshëndeste edhe mysafir të huaj që ishin prezent, por jo edhe Rifat Jasharin. Për dallim nga Thaçi, Veseli në një fjali të tijën, ka përmendur UÇK’në, por jo edhe sakrificën e familjes Jashari.

Por ndryshe ka vepruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka falënderuar Rifat Jasharin, për prezencën e tij në këtë ceremoni të shënimit të çlirimit të Kosovës.

Kreu i Qeverisë gjithashtu ka kujtuar të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

“ Mirëse keni ardhë në Kosovë. I nderuar president Klinton e Albright, e gjenerali Clarck. Të nderuar prezent të gjithë, ish komandantë të KFOR-it, të gjithë miq prezent. I nderuar z. Thaçi, Veseli, Meta, Rama. Me lejoni të përshëndes familjarët e rënë për liri. Më lejoni të përshëndes po ashtu bacën Rifat Jashari, baca Rifat , faleminderit”, ka thënë Haradinaj në fjalën e tij.

Kritika për mënyrën e organizimit të këtij 20 vjetori, kishte drejtuar dje ish-komandanti i UÇK’së dhe ish kryeministri Agim Çeku, i cili ka thënë se po mundohen të relativizojnë dhe të mos e përmendin luftën e UÇK’së, për shkak të procesit të pajtimit që po tentohet të bëhet me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat