Ismet Beqiri dhe Feim Salihu shpjegojnë hallakamën në Degën e Parë të LDK’së

Aktuale

Ismet Beqiri dhe Feim Salihu shpjegojnë hallakamën në Degën e Parë të LDK’së

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 17:38
Ismet Beqiri

Të premten ka dështuar të mbahet një Kuvend i një nëndegë të LDK’së në Prishtinë. Anëtari i Kryesisë së Degës së Parë të LDK’së, Feim Salihu e ka akuzuar Ismet Beqirin se po mban Kuvende Private. E, Beqiri ka thënë se gjithë Kuvendet janë mbajtur në mënyrë të rregullt. Ka thënë se në këto Kuvende Salihu ka marrë pozitë të Kryetarit të një Nëndege.

Anëtari i Kryesisë së Degës së Parë të LDK’së, Feim Salihu e ka denoncuar Sekretarin e Përgjithshëm Ismet Beqirin se po mban Kuvende private të Nëndegëve. E ka përmendur Kuvendin e Nëndegës së VIII, ku është mbajtur në shtëpi, ndërsa, është anuluar në zyrat e LDK’së.

Ai ka thënë se gjithë kjo hallakamë po bëhet për t’ia siguruar edhe një mandat Ismet Beqirit në krye të Degës së Parë.

“Janë duke u mbajtur Kuvende private. Ismet Beqiri është duke i organizuar përmes një Komisioni i prirë nga Halim Halimi, Qamil Fejzullahu, Shefqet Osmani e Osman Dragusha”, ka thënë Salihu.

Por, Ismet Beqiri ka thënë se janë të pasakta deklarimet e Salihu.

“Deri sot nuk jam prononcuar dhe nuk komentoj çka ka thënë Feim Salihu. Në procesin zgjedhor që është mbajtur Feim Salihu është Kryetar i një Nëndegë”, ka deklaruar Beqiri.

“E dyta, Kryesia e Degës ka votuar një Komision Mbikëqyrës të Procesit Zgjedhor, ku janë njerëzit e Degës. Këta e kanë obligim, në koordinim ne kryetarët e Nëndegëve. I kemi mbajtur 17 Kuvendit. Shumica e Kuvendeve janë mbajtur në zyrat në Kodrën e Trimave. Çdo gjë tjetër thuhet për gjera të ulëta dhe s’ia donë të mirën LDK’së. Kur të kryhet procesi zgjedhor do të dëshmoj se në dy Nëndegë kanë tentuar të marrin pjesë njerëzit. Në Kodrën e Trimave s’do të mund të hyjnë njerëz që s’janë në LDK. Nuk i komentoj të tjerët. I them vetëm qëndrimet e Degës dhe Komisionit. Ne i kemi mbajtur 17 Kuvendit. Kam shkuar vetëm në një Nëndegë ku e kam bazën deleguese”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se shpejt do t’i denoncojë njerëzit e partive tjera që kanë tentuar të prishin zgjedhjet në LDK.

“Nëse dikush mendon se strukturat mafioze tentojnë të dëmtojnë LDK’në do të dështojnë”, ka shtuar ai.

“Nuk kemi me ua bë qejfin askujt as Ismet Beqirit dhe as Feim Salihut”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Feim Salihu nuk ka sqaruar nëse do të kandidojë për shef të Degës por ka thënë se do të shikojë nëse do të përmirësohen parregullësitë që kanë ndodhur deri më tash.

Ai i ka bërë thirrje Agim Veliut, Kryetar i Komisionit Zgjedhor të LDK’së që të marrë masa ndaj Ismet Beqirit dhe të tjerëve që kanë degraduar zgjedhjet brenda partisë.

“E kam bërë ankesën e parë. Kanë bërë ankesë edhe qytetarët që nuk janë të knaqur. S’ka asnjë vendim. Kryetari i Komisionit është Agim Veliu”, ka thënë Salihu.

Ai ka shpjeguar se në Nëndegën e VIII është mbajtur Kuvendi në shtëpi private ndërsa s’është mbajtur në Zyrat e LDK’së. Ka treguar po ashtu se Kuvendi i Barilivës është mbajtur në Prishtinë.

Ndryshe, në këtë proces zgjedhor, një nëndegë e LDK’së në Kodrën e Trimave është zgjedhur grua. Ajo është Afërdita Llumnica.

Burime kanë treguar se Isa Mustafa është duke shqyrtuar mundësinë e pezullimit të zgjedhjeve deri në vjeshtë kur edhe pritet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Gjithë gara për degë e nëndegë po bëhet për të pasur delegatët pastaj për të vendosur për Kryetarin e ri të LDK’së./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat