Kadri Veseli rizgjedhet kryetar i PDK-së - Bota Sot
Kadri Veseli rizgjedhet kryetar i PDK-së

Aktuale

Kadri Veseli rizgjedhet kryetar i PDK-së

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 10:52
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Kadri Veseli është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Konventa e nëntë e PDK-së, pasi vendosi që votimi të bëhet në mënyrë të hapur, Veseli është zgjedhur kryetar pa asnjë votë kundër.

Veseli thotë se PDK s’është e përsosur, por është më e mira

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë në hapje të Konventës së Nëntë Zgjedhore se PDK është gjithmonë e përgatitur, e reformuar e me energji të reja për t’i shërbyer qytetarëve dhe për ta forcuar Republikën e Kosovës.

“Ne nuk jemi të përsosur, por jemi ma të mirët”, ka thënë Veseli.

“Sot Partia Demokratike e Kosovës është më e madhe, më e fuqishme, më e konsoliduar, më e gatshme për të marrë mbi vete rolin që i takon, rolin e partisë që u prinë ndryshimeve dhe zhvillimit të vendit. Sot Partia Demokratike e Kosovës bën diferencën me gjithë të tjerët. Sot Partia Demokratike e Kosovës me punën tuaj dëshmon se është parti e qytetarëve, nga qytetarët dhe për qytetarët. Ky është ligji suprem i partisë tonë. Është shpirti i platformës për Dekadën e Re. Është kuptimi i vetëm për të cilin ekziston Partia Demokratike e Kosovës”, tha Veseli para qindra delegatëve të Konventës zgjedhore.

Fjalimi i plotë i Kadri Veselit:

Të nderuar delegatë në Konventën e Nëntë të Partisë Demokratike të Kosovës

Të dashur anëtarë e simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, që sot jeni me mendje e zemër në këtë konventë madhështore.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës.

Sot është një e ditë e madhe për të gjithë ne!

Sot është një ditë krenarie për Partinë Demokratike të Kosovës.

Sot është një ditë shprese për demokracinë kosovare.

Sot ne kemi ardhur në këtë konventë për të finalizuar një punë të madhe të cilën për shumë muaj e kemi bërë anë e kënd Kosovës, në fshatra e qytete, në lagje dhe rrugë, kudo ku jeton ëndrra për një Kosovë që fuqizohet dhe zhvillohet.

Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës kanë qenë një proces shembullor i transparencës, mirëkuptimit, garës fer dhe gjithëpërfshirjes së gjeneratave dhe profesionistëve nga të gjitha fushat e jetës.

Këto zgjedhje me plot meritë janë leksion demokratik për të gjithë spektrin politik në Kosovë.

Kjo është meritë e secilit anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Është e meritë e secilës degë, nëndegë e seksion.

Është meritë e mbi 40 mijë qytetarëve që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, në kuvendet e 38 degëve, dhe proceset zgjedhore në 1076 nëndegë.

Në emër tuajin të nderuar delegatë dhe në emër të Partisë Demokratike, i shpreh falenderimin dhe mirënjohjen më të thellë, kësaj armate të madhe aktivistësh, avangardës organizative të Dekadës së Re.

Të dashur anëtarë, aktivistë e simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ju treguat se sa e madhe është Partia Demokratike e Kosovës. Ju treguat se ka një parti të parë në Kosovës, e ajo është Partia Demokratike e Kosovës.

Ju treguat se qytetarët e Kosovës besojnë në Partinë Demokratike të Kosovës, besojnë në vizionin dhe forcën e saj për ta quar përpara Kosovën, institucionet demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ju treguat se ne jemi parti e vlerave, parti e shtetndërtimit, parti e transformimit të Kosovës.

Ne hymë në këto zgjedhje për ta fuqizu Partinë Demokratike të Kosovës dhe sot vijmë në këtë konventë krenarë se ia dolëm këtij misioni.

Sot Partia Demokratike e Kosovës është më e madhe, më e fuqishme, më e konsoliduar, më e gatshme për të marrë mbi vete rolin që i takon, rolin e partisë që u prinë ndryshimeve dhe zhvillimit të vendit.

Sot Partia Demokratike e Kosovës bën diferencën me gjithë të tjerët.

Sot Partia Demokratike e Kosovës me punën tuaj dëshmon se është parti e qytetarëve, nga qytetarët dhe për qytetarët.

Ky është ligji suprem i partisë tonë.

Është shpirti i platformës për Dekadën e Re. Është kuptimi i vetëm për të cilin ekziston Partia Demokratike e Kosovës.

Të nderuar delegatë,

Ne nuk jemi të përsosur, por jemi ma të mirët.

Ne nuk jemi të pagabueshëm, por kemi forcën për tu përballur me gabimet dhe lëshimet tona.

Ne kemi punu shumë dhe kush punon, edhe gabon, por kur është në pyetje Kosova, ne nuk gabojmë kurrë.

Kosova është pasioni ynë jetësor.

Ka qenë dje, është sot dhe do të jetë përgjithmonë. Faleminderit që më keni bërë krenarë duke qenë sëbashku me ju.

Faleminderit për shpresën e madhe që i jepni atdheut tonë të dashur- Kosovës.

Faleminderit për dinjitetin dhe solidaritetin e madh që keni dëshmuar në këto zgjedhje. Ne kemi qenë, jemi e do të jemi të parët. Urime, suksese.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...