Kadri Veseli i UÇK’së, SHIK’ut e PDK’së - Bota Sot
Kadri Veseli i UÇK’së, SHIK’ut e PDK’së

Aktuale

Kadri Veseli i UÇK’së, SHIK’ut e PDK’së

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 12:21
Kadri Veseli

Kadri Veseli, njëri prej themeluesve të UÇK’së, udhëheqësi i Shërbimit Informativ (SHIK) i shuar më 2008, tash është ringjitur në krye të Partisë Demokratike të Kosovës. Mban pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Por, kush është në të vërtetë djali i ardhur nga Broboniqi i Mitrovicës?

Kadri Veseli më 3 nëntor të vitit 2012 kishte hyrë zyrtarisht në PDK, në një lagje të Mitrovicës. Në të njëjtën ditë kishte bërë një skandal në televizionin publik, RTK, kur kishte urdhëruar prezantuesin e intervistës, me një mbyllje syni, të përfundonte intervistën.

Pak a shumë krejt karriera zyrtare, gati shtatëvjeçare, në PDK i ka shkuar e tillë.

Ka hyrë si anëtar i thjeshtë për t’u ngjitur shpejt në pozitën e Zëvendëskryetarit të PDK’së për t’u bërë Shef i Partisë, kur Hashim Thaçi vendosi të shkonte në Presidencë e të bëhej Shef i Shtetit.

Prej momentit kur ka marrë zyrtarisht udhëheqjen e PDK’së, Veseli një pjesë të kohës e ka kaluar duke u marrë me neutralizimin e njerëzve të Thaçit në PDK. Në një moment ka kërkuar edhe shkarkimin e disa prej tyre që mbajnë pozita edhe në Qeveri, megjithëse, i kishte rënë pishman më vonë.

Kryetari i ri i PDK’së njihet edhe si njëri prej themeluesve të UÇK’së. Fillimisht kishte hyrë në strukturat e LPK’së bashkë me Xhavit Halitin e Hashim Thaçin, të cilët kishin organizuar pastaj celulat e luftës.

Veseli kishte marrë pjesë edhe në Konferencën e Rambujes, ku vazhdimisht kishte qëndruar nën hije, si udhëheqës i inteligjencës së luftës.

Pasluftës, Veseli kishte vazhduar udhëheqjen e Shërbimit Informativ të Kosovës, një shërbim ky që thuhet se u themelua nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës e udhëhequr pasluftës nga Hashim Thaçi. E njëjta Qeveri ishte shuar pastaj me një vendim të Përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara, por, SHIK’u kishte vazhduar funksionimin, pa ndonjë mbikëqyrje dhe financim nga Shteti.

Më 2008, Veseli kishte njoftuar se po e mbyll SHIK’un meqë ishte pavarësua Kosova dhe ishte themeluar Agjencia Kosovare e Intelegjencës.

LDK e akuzoi për vrasje, e bëri Kryeparlamentar

Kundërshtarët më të mëdhenj të Veselit ishin disa udhëheqës të LDK’së dhe AAK’së. Por, kundër tij ishin edhe Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj, i cili gjithmonë ka pasur ambicie të jetë pasardhës i Thaçit në PDK.

Organizata që e ka udhëhequr Veseli është akuzuar nga LDK’ja. Zyrtarët e Partisë së Ibrahim Rugovës e kanë akuzuar SHIK’un se qëndronte prapa vrasjeve politike. Ende asnjë prej këtyre pohimeve nuk është vërtetuar por edhe shumica e vrasjeve politike vazhdojnë të jenë enigmatike.

Jakup Krasniqi, para dy viteve, kishte lëshuar akuza në drejtim të Thaçit e Veselit se kanë rrënuar Kosovën.  Kishte thënë se janë grabitësit e Shtetit.

“Ju, gjatë gjithë këtyre viteve dhe sidomos pas Pavarësisë, Drenicës e Kosovës ia keni grabitur pasuritë më të mëdha…dhe qytetarëve të Drenicës dhe të gjithë Kosovës jua keni lënë vetëm një perspektivë, atë të ikjes nga Kosova! Ju jeni mjeshtër të këtyre gjërave të pista! Juve gjithçka ua banë fytyra!”, kishte thënë Krasniqi.

Raporti i Veselit me LDK’në ka qenë i çuditshëm prej se ka hyrë në PDK.

Disa prej atyre që më së shumti e kanë akuzuar, në fund, e patën votuar, duke e bërë Kryetar të Parlamentit.

Isa Mustafa kishte pranuar të bënte koalicion me PDK’në dhe kishte detyruar deputetët e LDK’së të votonin Veselin për Shef të Kuvendit të Kosovës.

Megjithëkëtë, më vonë, Veseli e kishte shkelur Marrëveshjen me LDK’në, duke rrëzuar Isa Mustafën nga Qeveria, pasi edhe Thaçi ishte bërë President, po ashtu, me votat e LDK’së.

Edhe Haradinaj akuzoi SHIK’ut, u bë me Veselin

Derisa Kadri Veseli po bëhej gati të hynte në politikë e PDK akuza të rënda po i vinin edhe nga Ramush Haradinaj, një ish-komandant i UÇK’së, i cili s’kishte raporte të mira me Thaçin.

Haradinaj më 2013 kishte thënë se SHIK’u e ka denigruar AAK’në dhe familjen e tij.

Kryetari i AAK’së e kishte quajtur Adem Grabovcin, Shef të financave të SHIK’ut. Grabovci i ishte kundërpërgjigjur akuzave të Haradinajt, duke thënë se kryetari i Aleancës duhet të tregojë për pronat në Dubai e Monte Carlo.

Edhe Haradinaj kishte harruar gjithë akuzat me Veselin, PDK’në dhe SHIK’un. Kishte hyrë në koalicion parazgjedhor me PDK’në, duke u bërë Kryeministër i vendit. Shef i këtij koalicioni vazhdon të mbetet Kadri Veseli.

VV përhershëm akuzon Veselin

Shefi i ri i PDK’së përplasjet në Parlamentin e Kosovës i ka pasur më të mëdhatë me deputetët e Vetëvendosjes. Megjithëse, një herë, edhe Lumir Abdixhiku i LDK’së, kishte lëshuar akuza ndaj Veselit, por atë kohë ishte fushatë elektorale për zgjedhjet lokale.

Veseli është vënë në siklet nga deputetë e Vetëvendosjes, sidomos, kur njërës prej deputeteve i ishte përgjigjur me “Ma hongsh…”. Kishte kërkuar menjëherë falje.

Shkrimtari Arben Idrizi, në një tekst autorial, e ka përshkruar Veselin si demagog.

“Veseli është demagog në nivelin më banal dhe qesharak. Veseli ka pra një pafytyrësi këmbëngulëse për të përdorur klishe.. Veseli është mishërim i vesit”, ka shkruar Idrizi.

Prej se ka hyrë në PDK, Veseli ka deklaruar se është duke kryer studime të doktoratës në Slloveni. Por, asnjëherë s’ka treguar edhe sa do t’i përfundojë dhe as çka është duke shkruar, e trajtuar në tezën e doktoratës.

Veseli ka prejardhje nga Mitrovica. Ka lindur më 1967 në fshatin Broboniq. Është i martuar dhe ka katër fëmijë, tre djem e një vajzë.

Shefi i PDK’së kishte qenë përkrahësi më i madh i themelimit të Gjykatës Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur krimet e luftës. Ndërkohë, kishte kundërshtuar pastaj edhe zhbërjen e saj.

Kjo Gjykatë e krijuar nga Kosova do të trajtojë pretendimet për krime të kryera nga disa luftëtarë shqiptarë të një raporti të hartuar nga Dick Marty. Aty, Veseli përmendet shtatë herë bashkë me Hashim Thaçin, i cili përmendet 26 herë.

Aktualisht, PDK në Parlament është partia e dytë. Në nivel të Kosovës udhëheq me vetëm pesë komuna, sa kishte edhe kur ishte themeluar. Pra, është në pushtet në Drenas, Ferizaj, Shtime, Kaçanik dhe Dragash.

Partia Demokratike në mandatin e parë të Veselit si Kryetar partia ka pasur nëntë ose dhjetë Nënkryetarë: Enver Hoxhajn, Memli Krasniqin, Rexhep Hotin, Hajredin Kuçin, Zenun Pajaziti, Uran Usmaili, Arsim Bajrami, Flora Brovina, Bajrush Xhemajli, Gani Koci.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...