Si iku ushtria gjakatare serbe nga Kosova 20 vjet më parë - Bota Sot
Si iku ushtria gjakatare serbe nga Kosova 20 vjet më parë

Aktuale

Si iku ushtria gjakatare serbe nga Kosova 20 vjet më parë

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 21:50
Foto

Pas më shumë se njëzet vjetësh renditen faktet për humbjen përfundimtare ushtarake të regjimit të kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pak më shumë se dy dekada më parë, një fjalë solli lehtësim në Serbi. Paqe! Pas 78 ditë bombardimesh dhe katër ditë dramatike të negociatave në Kumanovë, nënshkruhet marrëveshja ushtarake-teknike si bazë e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Tërheqja e forcave serbe dhe hyrja e NATO-s në verën e vitit 1999 në Kosovë, ishin mbi të gjitha një humbje e Serbisë në luftën me organizatën më të fuqishme ushtarake në botë.

Marrëveshja ushtarako-teknike nga Kumanova mbart peshën e një dokumenti kyç që ende ndikon në situatën në Kosovë. Megjithatë, publiku ende nuk di hollësi të mjaftueshme, shkruajnë mediat kroate.

Faktet janë si më poshtë: Mbrëmjen e 9 qershorit, gjenerali Svetozar Marjanoviq në emër të Ushtrisë Jugosllave, Obrad Stevanoviq në emër të MPB të Serbisë dhe gjenerali britanik Michael David Jackson, i cili negocioi në emër të NATO-s, nënshkruan fundin e luftës dhe arkitekturën e re të sigurisë në Kosovë.

Nënshkrimet në dokumentin "Marrëveshja për Bashkëpunimin Ushtarak-Teknik ndërmjet UJ-së dhe KFOR-it" u vendosën në ora 23:45, kur filluan afatet për aplikimin e saj.

I njëjti akt u konfirmua pak çaste më vonë në Këshillin e NATO-s, i cili siguroi kushtet për seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në të njëjtën mbrëmje, Marjanoviq dhe Jackson dhanë deklarata për media.

Një anëtar i delegacionit serb, atëherë kolonel dhe më vonë gjenerali Dragan Paskash, kujton se ‘luftimet’ më të mëdha në tryezën e bisedimeve në Kumanovë u bënë për kohën dhe sigurinë e ushtarëve dhe të njerëzve.

"Kemi shkuar në negociata më 5 qershor, me makina nga Beogradi dhe versionin e punës së marrëveshjes, i shkruar në Bruksel, e kemi marrë para Nishit. Kolona jonë, me sigurinë e policisë ushtarake, ishte gjithnjë nën vëzhgimin e satelitit. Baza ishte në Banjën e Vranjës nga ku shkonim çdo mëngjes në aeroportin e Kumanovës. Atje na priste një tendë e madhe me ajër të kondicionuar, Jackson i ftohtë dhe i zhdërvjellët, një atmosferë e mosbesimit dhe një dokument pune jashtëzakonisht i pafavorshëm", tha ai.    

Bisedimet u konceptuan në mënyrë që në emër të Ushtrisë negocionte Marjanoviq, në emër të MPB-së Stevanoviq dhe rolin kryesor diplomatik dhe politik kishte një zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Nebojsha Vujoviq.

Ai ishte gjithashtu lidhja kryesore me kreun e shtetit. Në anën tjetër të tavolinës ishte gjenerali Jackson me bashkëpunëtorët e tij.

"Ai negocioi në emër të NATO-s vetëm teknikisht. Kishte një telefon satelitor në dorë, dhe pas secilit prej propozimeve tona, ai u largua nga tenda dhe ftoi dikë, ndoshta komandën me bazë në Bruksel, e cila merrte vendime", tha Paskash.

Takimi i parë i dy delegacioneve u mbajt në Bllacë, jo shumë larg nga pika e kalimit kufitar Hani i Elezit. Si një vend i takimit të NATO zgjodhi një kafene aty pranë quajtur simbolikisht ‘Europe’,por pasi rruga përmes Grykës së Kaçanikut ishte e vështirë dhe e rrezikshme për komunikim, negociatat u zhvendosën shpejt në aeroportin sportiv të Kumanovës.

Paskash beson se NATO, pavarësisht epërsisë teknologjike, nuk ka pasur një vlerësim të përafërt të pranisë së ushtrisë serbe në Kosovë.

"Kjo ishte e qartë nga afatet për tërheqjen e trupave nga Kosova, nuk kishte asnjë mënyrë që në mënyrë të shpejt të nxjerrim njerëzit dhe ë nga armatimin. Kur kemi kërkuar më shumë kohë dhe arsyetuam kërkesën, gjeneralët e NATO-s shikuan në heshtje, ndërsa Jackson mori telefonin e tij", tha ai.

Së pari, NATO vendosi një kërkesë për tërheqje pesë-ditore, dhe në Kumanovë u negociuan 7 deri 11 ditë për largimin e forcave serbe nga Kosova.

Sipas ditarit të luftës të kriminelit serb Nebojsha Pavkoviq, vetëm Ushtria e Tretë me trupa vartës në Kosovë në atë kohë kishte 130,000 oficerë dhe ushtarë, 400 tanke, 409 transportues të personelit të blinduar, 446 raketa antiajrore dhe 335 armë të artilerisë.

Dokumenti fillestar gjithashtu kërkoi që Zona e Sigurisë Tokësore përgjatë kufirit  me Kosovën të jetë 25 kilometra, e cila u reduktua në pesë në tavolinë së bashku me zonën e ndalimit të fluturimit prej 25 kilometrash.

Një nga kërkesat më të rëndësishme të palës serbe ishte pezullimi i bombardimeve.

"Për mua si komandant është e papranueshme që ekipi ynë nënshkroi marrëveshjen pa miratimin e një rezolute të OKB-së që rregullon fundin e bombardimeve dhe vetëm atëherë të niste tërheqja”, shkruan gjenerali Pavkoviq në ditarin e tij të luftës.

Një kompromis u arrit në dispozitën që bombardimet do të ndaleshin kur njësia e parë serbe të largohej nga Kosova.

Bombardimet ndaluan kur një njësi e artilerisë serbe u tërhoq nga veriu i Kosovës. Për ushtrinë dhe policinë kriminale serbe, pasuan ditët dramatike të braktisjes së pozicioneve, duke marshuar, duke marrë barakat e shkatërruara në garazhe në Vranjë, Nish, Prokuplje, Kurshumli, Rashkë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...