‘Ka devijuar dialogu i Mogherinit dhe mafisë për ndarjen e Kosovës’

Aktuale

‘Ka devijuar dialogu i Mogherinit dhe mafisë për ndarjen e Kosovës’

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 17:32
Ramush Haradinaj dhe Federica Mogherini

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se hyrja në konkluzione në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian është sukses për Kosovën. Ai tha se Kosova do të hyjë edhe në agjendë dhe pret vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.

Pas mbledhjes së Qeverisë, shefi i Ekzekutivit u ka thënë gazetarëve se është shumë e rëndësishme që për herë të parë Kosova është në konkluzione të Këshillit të Ministrave, dhe sipas tij, mos përfshirja aty do të ishte humbje për Kosovën.

Haradinaj: Do të kemi vendim pozitiv për liberalizimin

“Jemi në procesin që kemi pritur. Është me rëndësi që për herë të parë në konkluzione jemi ashtu siç jemi. Mos harroni, nuk po themi që është kryer ende, se kemi edhe disa punë, po mos harroni, kanë mund të ndodhë konkluzionet pa e dhënë si konkluzion çështjen e liberalizimit, atëherë do të ishim humbës, që në konkluzionet e tyre nuk është edhe tema jonë. Në konkluzione kemi hyrë, do të hyjmë edhe në agjendë, pastaj prapë është vendimi që mund të jetë negativ siç ka thënë dikush që ka pas qejf shpejt, por ne e dimë që do të jetë pozitiv dhe po punojmë për pozitiv”, tha Haradinaj.

Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian kanë dalë sot, ku në mesin e pikave është edhe ajo për vizat, ku theksohet se vendimi lidhur me propozimin për liberalizimin e vizave është duke u shqyrtuar aktualisht nga Këshilli.

Ndër të tjera, Haradinaj është përgjigjur edhe për taksën në lidhje me zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka përsëritur që dalja nga gjendja aktuale është përmes një marrëveshje kornizë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Haradinaj tha se nuk dërgohet sovraniteti i Kosovës në tavolinën e dialogut me Serbinë, ku theksoi se dialogu nën udhëheqjen e shefes së diplomacisë së BE-së Federica Mogherini dhe mafisë, që sipas tij ishin për ndarje të Kosovës, ka dështuar.

Haradinaj: Ka devijuar dialogu i Mogherinit dhe mafisë që kanë qenë për ndarje të Kosovës

“Nëse dikush ka besuar. Ju kam thënë disa herë në këtë sallë, nuk jam këtu me u përshtat, as me përshtat Kosovën, as me dërguar sovranitetin në tavolinën e dialogut. Jemi vend sovran, duam ta dërgojmë në tavolinë të BE-së për t’u bërë  anëtar i BE-së dhe NATO-s, por nuk kanë me u marr vendime sovrane për vendin tonë në tavolinën e dialogut për shkak se është një tavolinë ad-hoc, edhe ka devijuar dialogu i zonjës Mogherini edhe akterëve që kanë qenë aty edhe i sponsorizuesve, edhe krejt mafisë, që ka qenë për ndarjen e vendit tonë. Dhe fatmirësisht që kanë dështuar dhe është mirë që ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë, vazhdimi i mëtejme për të kontaminuar agjendën e Kosovës nuk ndihmon, u bën dëm të gjithëve kush është serioz në këtë temë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës tha se taksa është një problem në marrëdhëniet me të gjithë, mirëpo Kosova nuk e ka të kushtëzuar procesin për vizat dhe anëtarësimin në BE me heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë, e vendosur në nëntorin e vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar koncept-dokumentin për personat e zhdukur, i cili synon të rregullojë statusin e personave të zhdukur dhe familjeve të tyre, përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit që trajton çështjen e personave të zhdukur dhe mbrojtjen e interesit të familjeve të të zhdukurve.

Edhe vendimi për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve dhe formimi i Task-Forcës kundër narkotikëve dhe sigurisë në shkolla, ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar.

Gjithashtu është aprovuar edhe vendimi për caktimin e datës 24 Qershor si Dita Memoriale e komunitetit egjiptian në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimet e ndara për emërimin e drejtorëve në disa ndërmarrje publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat