Gani Geci: Për shkak të Komunikatës nr.59 të lëshuar nga SHP i UÇK-së, ndaj meje filloi linçimi

Aktuale

Gani Geci: Për shkak të Komunikatës nr.59 të lëshuar nga SHP i UÇK-së, ndaj meje filloi linçimi

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 22:43
Gani Geci

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK, Gani Geci, ka folur për Komunikatën numër 59 e lëshuar në kohën e luftës në emër të UÇK-së.

Geci, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ai ka dhënë deklaratë në Gjykatën Speciale për Komunikatën numër 59.

Ai ka thënë se pas kësaj Komunikate, ndaj tij dhe familjes së tij janë zhvilluar shumë sulme ku ai thotë se është plagosur derisa dy shokët e tij kanë mbetur të vdekur në veturën që ishin së bashku.

“Pas Komunikatës numër 59 janë bërë shkrime të tmerrshme për familjen time. Unë kam shkrime që ka shkruar “Zëri i Kosovës” se “ vëllai i Gani Gecit ka lidhje me miqësore me shoqen e Mira Markoviçit!” Rrenë e kulluar. Krejt të gjitha këto shkrime kanë lidhje me Komunikatë”.

“Komunikata u hapi derën të thonë ata Gani Geci është tradhtar. E çka bëhet me tradhtarin? Duhet vrarë. Kur t’i hapësh derën me vra “tradhtarin”, del ushtari thotë e kam vrarë tradhtarin. Asnjë përgjegjësi nuk e merr sepse ashtu kërkon Komunikata”, tha ai.

Geci thotë se prej 20 vitesh po i vuan pasojat e kësaj Komunikate, përfshirë mesazhe në Facebook, mesazhe telefonike e mënyra tjera linçimi.

“Është mirë që Hashimi [Thaçi] ka reaguar pas 20 viteve, sepse nuk është mirë të lihet familja ime me ndjenjën se babai i tyre ka qenë tradhtar, sepse Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së babain e tyre e ka akuzuar si tradhtar me rrena”.

Ish-ushtari i UÇK-së thotë se ndër të parët që janë distancuar ndaj kësaj Komunikate ka qenë Sami Lushtaku, i cili sipas Gecit ka vuajtur pasoja për këtë veprim.

“E gjithë Zona e Drenicës kishte reaguar ashpër në atë kohë ndaj kësaj Komunikate dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së…Shtabi i Përgjithshëm prej 20 vitesh ka heshtur”, tha Geci.

Në komunikatën me numër 59 e lëshuar në kohën e luftës, ndër të tjera  thuhej: “Abedin Rexha u vra nga kolaboracionisti me damkë Gani Geci, i lindur në Llaushë, i cili edhe më herët e edhe gjatë ofensivës së fundit serbe, është parë i maskuar duke i prirë policisë serbe në masakrat që u kryen mbi popullin civil të Drenicës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat