Kosova në betejë me Serbinë për INTERPOL

Aktuale

Kosova në betejë me Serbinë për INTERPOL

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 07:29
Foto ilustrim

Arritja e qëllimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare Policore INTERPOL, do të jetë një sfidë mjaft e vështirë për vendin dhe institucionet e tij, vlerësojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe njohës të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, më 31 janar të këtij viti dhe siç patën konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kjo kërkesë është pranuar nga INTERPOL-i.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Anton Berisha, thotë se çështja e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL nuk është vetëm çështje politike, por më shumë teknike, e cila ndërlidhet me standardet që i kërkon Bashkimi Evropian, në raport me luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Po, sigurisht që do të jetë sfiduese në qoftë se Serbia vazhdon me të njëjtin ritëm sikur herën e kaluar. Bashkimi Evropian dhe strukturat përkatëse do të duhej të bënin presionin e nevojshëm ndaj Serbisë që të mos krijojë pengesa sikurse herën e kaluar. Në anën tjetër, ne jemi duke i vazhduar me procedurat standarde teknike, sepse në thelb kjo është çështje teknike, është çështje e një institucioni që ka të bëjë me sigurinë dhe sot, në rrethanat që jetojmë, siguria e një shteti nuk është vetëm e atij shteti, por është edhe siguri për rajonin dhe më gjerë”, tha Berisha.

Njohësit e zhvillimeve në vend, vlerësojnë se i gjithë procesi për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL, do të jetë sfidë e madhe.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që në procesin e anëtarësimit në INTERPOL, Kosova do ta ketë një situatë edhe më të komplikuar sesa që e kishte në tentimin e kaluar, kur pati në rezultat të pafavorshëm.

“Është vërtetë për të ardhur keq, një lloj ngecjeje, një lloj tërheqjeje e institucioneve të Kosovës, për të mos ndërmarrë veprime për ta përmirësuar situatën, hiq këtu çështjen e taksës. Mendoj që kemi bërë gabim të jashtëzakonshëm pse nuk e kemi ngritur çështjen e Marrëveshjes së prillit të vitit 2013, që parasheh, në mes tjerash, heqjen e çdo obstruksioni që palët mund t’ia bëjnë njëra-tjetrës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Nga hera e parë e derë më tash nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret dhe unë e shoh si shumë të komplikuar situatën”, theksoi Hoti.

Ai ka shtuar se në rastin më të keq, nëse Kosova nuk do të arrinte të anëtarësohet edhe kësaj radhe në INTERPOL, kjo do të ishte një ‘bumerang’ për të dhe për një gjë të tillë duhet të kërkohet përgjegjësi institucionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat