A ka vdekur shkëmbimi i territoreve si ide – ja çka thonë Weber e Janjiq

Aktuale

A ka vdekur shkëmbimi i territoreve si ide – ja çka thonë Weber e Janjiq

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 18:57
Weber e Janjiq kanë opinione të ndryshme

Dushan Janjiq nga Forumi për Raporte Etnike, thotë se ideja për korrigjim të kufijve ende nuk ka vdekur, pasi sipas tij për jetësimin e saj janë të angazhuar shumë lobues.

Janjiq parasheh që një lloj i marrëveshjes mund të arrihet në pranverën që po vjen, por pikëpyetje mbetet se kush do ta nënshkruaj.

Ndërkohë, Bodo Weber, ekspert gjerman për politika të demokratizimit që ndërlidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor, thotë se dialogu është në një krizë të thellë, dhe se palët po kërkojnë një rinisje. Ndryshe nga Janjiq, eksperti gjerman beson se ideja e shkëmbimit të territoreve ka marrë fund.

Janjiq thotë se edhe përkundër faktit që Vuçiq e ka thënë me gojën e tij se një ide e tillë ka marrë fund, korrigjimi i kufijve si nismë është ende gjallë.

“Nuk ka vdekur, fatkeqësisht”, ka thënë Janjiq për Kossev.

Ndërsa eksperti gjerman, Bodo Weber, thotë se aktualisht janë duke u bërë përpjekje për të ndalë një nismë të tillë, për të cilën ai thotë se nuk nënkuptonte shkëmbim të territoreve, por shkëmbim të popullsisë, që do të prodhonte një eksod të ri.

“Procesi është në fazën e shuarjes së një ideje të tillë, për të cilën jam i bindur se për serbët e Kosovës nuk nënkuptonte një shkëmbim të territoreve, por shkëmbim të popullatës”, ka shtuar Weber.

Ai gjithashtu thotë se procesi tashmë është duke u rikuperuar, sepse përpjekjet e Thaçit dhe Vuçiqit për një zgjidhje të rrejshme kanë dështuar.

Weber thotë përmes Procesit të Berlinit, Samitit të Berlinit dhe atij të Parisit, janë duke u bërë përpjekje që të riniset dialogu.

Ndër të tjera, Dushan Janjiq, teksa ka folur për marrëveshjen ka thënë se ajo do të jetë një kompromis, pasi sipas tij nuk do të ketë as njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe nuk do të ketë as korrigjim të kufijve.

Të dy theksojnë se ka munguar transparenca në këto bisedime, dhe thonë që duhet informuar edhe shoqëria civile për atë që diskutohet në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat