Paralajmëron Vjosa Osmani: Jemi në rrezik nga spiuni serb që ishte këshilltar i Thaçit

Aktuale

Paralajmëron Vjosa Osmani: Jemi në rrezik nga spiuni serb që ishte këshilltar i Thaçit

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 19:15
Vjosa Osmani

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani thotë se është rrezikuar siguria kombëtare, pasi në kabinetin e Presidentit Thaçi për gati tri vite ka qenë një ish-agjent i BIA’s. Branislav Nikoliq ka qenë këshilltar i Hashim Thaçit deri dje.

Një ish-agjent i shërbimit sekret rus ishte angazhuar si këshilltar i Thaçit në vitin 2016.

Deputetja Osmani ka pasur një pozitë të njëjtë me Nikoliqin. Kur Fatmir Sejdiu ishte President, deputetja e tanishme ishte këshilltare e tij.

Osmani e di se cilat janë detyrat e një këshilltari dhe ka thënë se rreziku është serioz, pasi u kuptua që ish-agjenti serb ka qenë në kabinet të Presidencës.

Deputetja thotë se Thaçi duhet të japë përgjegjësi për këtë emërim dhe duhet të kuptohet se si ka arritur Nikoliqi të hyjë në Zyrën e Presidentit.  

“Për këtë emërim të Presidentit jam informuar nga Gazeta Express sepse nuk kam qenë në dijeni me herët. Është skandal i përmasave të mëdha që cenon sigurinë tonë nacionale dhe për mua është e pashpjegueshme pse institucionet nuk ndërmarrin asnjë veprim për të parë si ka përfunduar ky person përbrenda institucionit të Presidentit. Presidenti po ashtu duhet të marrë përgjegjësi për rrezikimin e qytetarëve tanë nëpërmjet veprimeve të tilla të papërgjegjshme”, ka thënë deputetja.

Sipas Osmanit, këshilltarët e Presidentit, pa marrë parasysh se për cfarë janë të thirrur, ata kanë qasje edhe në dokumentet më sekrete e më të ndjeshme të shtetit.

“Sa i përket detyrave të këshilltareve, ato varen shume nga fusha qe e mbulojnë, por secili këshilltar ka qasje në informata të rëndësisë së lartë, që shumicën e rasteve involvojnë sigurinë kombëtare, çështje që lidhen me procesin e shtetndertimit të Kosovës, çështje të kanë të bëjnë me sigurinë e qytetareve tanë, dhe tema të tjera që shumicën e rasteve nivelojnë edhe informata të klasifikuara. Pra, pavarësisht fushës që mund ta ketë mbuluar këshilltari i Thaçit, dihet që ai ka pasur qasje në informata dhe dokumente të klasifikuara, të cilat nëse keqpërdoren, mund të rrezikojnë Kosovën”, ka treguar ajo.

Presidenti Thaçi, e ka shkarkuar Nikoliqin nga pozita që bartte, ndërsa në njoftimin e Zyrës së Presidentit thuhej se i pari i vendit nuk ishte në dijeni për të kaluarën e këshilltarit të tij. Ish-këshilltarja e Presidentit Sejdiu thotë se për të marrë këtë pozitë gjithmonë kanë kaluar në procedura të verifikimit.

“Gjatë periudhës qe unë kam punuar me Presidentin Sejdiu, mund t’ju them që për secilin person që është angazhuar në kabinet ka pasur një procedurë të verifikimit, qoftë sa i përket te se kaluarës profesionale por edhe angazhime të tjera qe mund të kenë pasur këta individë, dhe ata janë punësuar vetëm pas këtyre konfirmimeve. Kjo është praktike normale ne institucionet e secilit shtet dhe gjate këtij procesi verifikimi natyrisht që kabineti i Presidentit ka bashkëpunuar me institucionet tona por edhe me Ambasadat e Quint-it dhe me KFOR-in”, tregon Osmani.

Megjithatë, sipas njoftimit të Presidencës, Thaci nuk ka pasur njohur për karrierën e Nikoliqit edhe pse atij i raporton Shefi i Agjencisë Inteligjente dhe madje ka pasur dy këshilltarë që kanë qenë më para drejtues të AKI’së.  

Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka njoftuar se ka nisur hetimet për Nikoliqin, i cili para disa viteve ishte angazhuar si agjent i BIA’s serbe për të blerë dëshmitarë kundër UÇK’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat