Mungoi në gjykim, kryetari i kësaj komune urdhërohet të sillet me detyrim në gjykatë

Aktuale

Mungoi në gjykim, kryetari i kësaj komune urdhërohet të sillet me detyrim në gjykatë

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 16:23
Svetisllav Ivanoviq

Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj kryetarit të Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq.

Një urdhëresë të tillë është lëshuar, pasi që Ivanoviq, ka munguar në seancën e së premtes, në rastin ku ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, njoftoi se i akuzuari Ivanoviq është ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata, por që ftesës nuk i është përgjigjur, dhe se këtë mos ardhje nuk e ka arsyetuar.

Gjykatësi Maliqi, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 20 shtator 2019, në ora 9:00, ku palët prezente u njoftuan gojarisht për mbajtjen e saj, ndërsa ndaj të akuzuarit Ivanoviq siç tha gjykatësi Maliqi, në ndërkohë nëse ai e arsyeton mos ardhjen e tij, gjykata do ta tërheq urdhëresën për sjellje me dhunë.

Po ashtu, në seancën e së premtes kanë munguar edhe i dëmtuari Hysen Zeqiri dhe përfaqësuesi i Komunës së Novobërdës, e që sipas gjykatësit Maliqi, ata gjithashtu janë ftuar në mënyrë të rregullt, por që ftesës nuk i janë përgjigjur.

Ndërkaq, në gjykatore kanë prezantuar prokurori Arben Kadriu, mbrojtësi i të akuzuarit sipas detyrës zyrtare, avokati Hamdi Jashari, si dhe dëshmitarët Avdullah Gashi dhe Goran Steviq.

Për përfaqësuesin e Komunës së Novobërdës dhe dëshmitarin Hysen Zeqiri, gjykatësi Maliqi tha se do të ftohen në mënyrë të rregullt me ftesa gjyqësore.

Ndryshe, kryetari i Novobërdës Ivanoviq, në seancën fillestare të 25 janarit të vitit 2019, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2018, pretendohet se më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i akuzuari si person zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja” ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune.

Me një veprim të tillë, prokuroria pretendon se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro.

Ndryshe, në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Gjilan, e kishte dënuar me 4,500 euro gjobë kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, me arsyetimin se ai ishte gjetur fajtor në një rast tjetër, për dy vepra tjera penale, atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat