Tranzicioni në FSK, rekrutohen edhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë

Aktuale

Tranzicioni në FSK, rekrutohen edhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 18:53
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar me pranimin e pjesëtarëve të rinj, rekrutë, të cilët pritet t’i plotësojnë kapacitetet e kësaj Force, që ndodhet në procesin e transformimit në Ushtri të Kosovës. Rreth 700 pjesëtarë të rinj, prej tyre edhe pjesëtarë të komunitetit serb dhe pakicave tjera, i janë bashkuar rekrutimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës kohët e fundit.

Me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtareve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë.

Dritan Gjonbalaj, këshilltar politik dhe zëdhënës i Ministrit të Mbrojtjes, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm ata që kalojnë testet do të bëhen pjesë e FSK-së.

"Në fazën e fundit të rekrutimit, FSK-ja ka pranuar 650 rekrutë të cilët do të kalojnë trajnimin bazik me kohëzgjatje prej nëntë javësh. Grupi i parë prej 350 rekrutëve ka filluar trajnimin bazik. Grupi i dytë do ta vazhdojë në shtator dhe si rrjedhojë në janar të vitit të ardhshëm do të kompletohet ky proces”, tha Gjonbalaj.

Ky proces, sipas zyrtareve në Ministrinë e Mbrojtjes do të zgjas nëntë javë dhe pas kalimit të fazës së trajnimit, rekrutët do të bëhen pjesëtarë të FSK-së.

Gjonbalaj thotë se interesimi i të rinjve ka qenë jashtëzakonisht i madh, duke përfshirë edhe të rinjtë nga radhët e komuniteteve pa përjashtim. Nga 650 rekrutë, 11 për qind, sipas Gjonbalajt. janë nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Vitin e kaluar, pas thirrjeve publike të autoriteteve të Beogradit dhe presioneve tjera, dhjetëra pjesëtarë të komunitetit serb ishin detyruar ta lëshonin FSK-në. Por, tani, sipas autoriteteve përgjegjëse, vërehet një trend i ri i përfshirjes së pjesëtarëve të këtij komuniteti.

"Qëllimi i FSK-së është që 10 për qind të pjesëtarëve të jenë nga komunitetet joshumicë, pra ne e kemi kaluar këtë cak. Pjesëtarët e komunitet serb i janë nënshtruar një presioni të madh nga pushteti i Beogradit për të mos u bërë pjesë e FSK-së. Me kënaqësi mund t'ju informojmë se shumë prej tyre kanë aplikuar për rekrutë të FSK-së dhe siç thash në përputhje më fazat strikte të rekrutimit, 25 prej tyre janë pranuar si rekrutë të FKS-së dhe janë duke iu nënshtruar trajnimit bazik", tha Gjonbalaj.

Në Ministrinë e Mbrojtjes thonë se shumëllojshmëria në Forcën e Sigurisë së është vlerë që çmohet dhe kultivohet. Ata thonë se është punuar dhe po punohet shumë në përfaqësimin e duhur etnik dhe gjinor.

Nga ana tjetër, Rexhep Selimi nga Lëvizja, që është anëtar i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës është dashur që të ketë një dinamikë më të shpjet në krijimin e mekanizmave që kërkohen për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Transformimin e FSK-së.

"Duket se nuk ka qenë dinamika nevojshme dhe e mjaftueshme që ne të ishim të kënaqur me ecjet atje. Sido që të jetë ata kanë plane dhe presim që t’i realizojnë. Fazën e parë të planeve që ka qenë përgatitja e strukturës deri më datën 21 maj, duket se nuk e kanë kaluar sepse tash jemi në qershor dhe kemi kaluar më shumë se sa një muaj për të bërë një gjë të tillë", tha Selimi.

Ministria e Mbrojtjes, sipas Gjonbalajt, tashmë ka përmbyllur fazën e parë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, dhe se sipas tij, është bërë përgatitja e parë e akteve nënligjore dhe përgatitja e plotë në aspektin administrative për të vazhduar me fazat e tjera.

Kurse deputeti Rexhep Selimi konsideron se edhe me fazën e rekrutimit, punët është dashur të ecin më shpejt.

"Dinamika e rekrutimit do të duhej të ishte më e avancuar, por ne i dimë kapacitet e Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës. Ne i dimë edhe kapacitet trajnuese dhe akomoduese dhe e dimë po ashtu që procesi i rritjes së numrit të pjesëtareve të FSK-së do të jetë në proces në vazhdimësi”.

“Edhe përgatitja e strukturës do të duhej të ishte më e avancuar sesa është tani. Po ashtu edhe në aspektin buxhetor do të duhej Qeveria të ndante fonde shtesë për FSK-në. Në të njëjtën kohë do të duhej të avancojë edhe në pajisje dhe teknologji ushtarake, duke mos përjashtuar as armatimin", tha Selimi.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Tranzicioni i FSK-së nga një forcë për emergjenca civile në Ushtri, ishte një proces i gjatë që u finalizua në fund të vitit 2018, pas mbështetjes që Kosovës i erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht, kjo Forcë është në fazën e transformimit në Ushtri, e cila parashihet të zgjasë nga 7 – 10 vjet. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat