Republika e Kosovës, të cilën Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh si shtet të pavarur, është ftuar me fusnotë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryesuesit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, për mediat serbe.
Me rastin e pohimeve se Dodik kishte dërguar një ftesë zyrtare për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të ardhur në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, kabineti tha se anëtarët e Samitit i ftuan presidentët e vendeve pjesëmarrëse, dhe jo Dodik.
Pjesëmarrja e Kosovës në SEECP, siç u theksua në kabinetin Dodik, u zgjidh në vitin 2014 me pëlqimin e të gjithë atyre pjesëmarrësve që nuk e njohin Kosovën: Serbia, Greqia, Rumania, Moldavia dhe BeH.
Kabineti i Dodik ka bërë të ditur se Presidenca e Bosnjë dhe Hercegovinës nuk ka ftuar Republikën e Kosovës, por atë e ka definuar me fusnotë.
Më herët, portali i lajmeve nga Bosnja dhe Hercegovina, Klix.ba, raportoi se Dodik i ka çuar një ftesë zyrtare Thaçit, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).