Sveçla fton deputetët që të votojnë raportin e rastit me turqit, përballet me kundërshtime

Aktuale

Sveçla fton deputetët që të votojnë raportin e rastit me turqit, përballet me kundërshtime

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 12:20
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme për të shqyrtuar raportin e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq me datën 26 mars 2018.

Kryetari i Komisionit Hetimor, Xhelal Sveçla, ka treguar për punën e komisionit, ku ka përmendur edhe intervistimin e Presidentit Thaçi.

Sipas tij në raport janë evidentuar 31 shkelje të cilat janë në kundërshtim me ligjin.

“Puna e komisionit ka kaluar në katër faza, konsolidimi i komisionit, mbledhja e dëshmive, intervistimi i dëshmitarëve dhe vlerësimi si dhe përpilimi i raportit. Qëllimi i komisionit ka qenë se çka ka ndodhë me dëbimin e shtetasve turq dhe procedimin e shkeljeve. Komisioni ka kërkuar një sërë dokumentesh.  Duhet ta theksoj dështimin e AKI-së, policisë dhe Presidencës edhe pse komisioni ka qenë në dijeni të dëshmive si CD-të. Pas analizimi të provave komisioni ka intervistuar dëshmitarë”, ka thënë ai.

“27 dëshmitarë janë ftuar dhe dy prej tyre në riintervistim për shkak të diskrepancave në deklarim. Këtu vlen të theksohet Presidenti. I gjithë opinioni është dëshmitar se si ai u mundua të devalvojë punën e komisionit. Për shkak se disa prej shkeljeve kanë rezultuar prej mangësive të ligjeve bë fuqi, pjesa e 5 ofron disa rekomandime për Kuvendin. Në raportin që e kemi dorëzuar kemi identifikuar 31 shkelje. Në kuadër të këtyre shkeljeve lejimet për largim me forcë janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin”, ka thënë tutje  Sveçla.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, akuzoi komisionin se ka bërë shkelje me punën e tij.

Beqa tha se raporti përmban detaje të shumta mbi burimin e provave dhe sipas tij, kjo përbën edhe shkelje tjetër.

“Së paku në tri raste janë marrë dëshmitarë pa kuorum, që nuk mund të përdoren në raportin përfundimtar sipas ligjit. Komisioni në disa raste ka vepruar në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar. Publikimi i informatave nga kryesuesi dhe anëtarët e tjerë është në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar. Raporti përmban detaje të shumta mbi burimin e provave dhe kjo përbën edhe shkelje tjetër. Raporti është lëshuar shumë në detaje dhe nuk është etike të ketë aq shumë detaje. Prokuroria të zbardhë sa më shpejtë rastin, por të mos bazohet në raportin tonë”, tha Beqa. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat