Haradinaj ministres norvegjeze: Marrëveshje finale me Serbinë vetëm në kufijtë aktual

Aktuale

Haradinaj ministres norvegjeze: Marrëveshje finale me Serbinë vetëm në kufijtë aktual

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 11:56
Pamje nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar sot ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Soreide, me të cilën kanë diskutuar rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe gjetjes së një zgjidhje finale.

Haradinaj ia ka përsëritur diplomates norvegjeze, se marrëveshja finale ndërmjet dy shteteve mund të bëhet vetëm në kufijtë ekzistues, dhe që do të dërgonte në njohje reciproke ndërjmet dy shteteve.

Ndërkohë ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë,  Søreide, i ka shprehur Haradinajt mbështetjen e shtetit norvegjez për Kosovën në rrugën e integrimit euroatnaltik dhe fushave të tjera.

“Kryeministri Haradinaj, po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për një dialog të kornizuar dhe përmbajtësor me Serbinë që çon në një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe me njohje reciproke mes dyja vendeve”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e kryeministrit Haradinaj, raporton Gazeta Express.

Haradinaj e kishte falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës në proceset e shtetndërtimit, duke thënë se Qeveria është e përkushtuar për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ekonomisë, edukimit dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

“Norvegjia ka ndihmuar në avancimin dhe zhvillimin demokratik të shumë proceseve në Kosovë dhe për këtë u jemi mirënjohës”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e mëtejme të Norvegjisë në procesin e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të vendit.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide, shprehu gatishmërinë e Norvegjisë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike dhe proceset tjera.

Ministrja norvegjeze ka takuar edhe krerë të tjerë të institucioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat