Blerand Stavileci mund të detyrohet ta bëjë edhe një sakrificë – po përmendet për Ministër

Aktuale

Blerand Stavileci mund të detyrohet ta bëjë edhe një sakrificë – po përmendet për Ministër

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 18:00
Blerand Stavileci

Shefi i stafit të Kadri Veselit, Blerand Stavileci, pritet ta bëjë edhe një sakrificë për partinë, ai shumë shpejt mund të emërohet Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ministri kjo që u formua në vitin 2017, vetëm sa për t’i rehatuar kuadrot e partive politike që janë në pushtet.

Stavileci që së fundmi bëri zhurmë në rrjete sociale duke e paraqitur vetën si triumfator, ditëve në vijim mund ta ketë një shpërthim të radhës. Më shumë se dy burime të afërta me partinë e Kadri Veselit dhe jashtë saj, i thanë se emri që po përfolet për ta zëvendësuar Besim Beqajn është Blerand Stavileci.

Stavileci që nga koalicioni i madh PAN nuk u shpërblye me asnjë pozitë të lartë në qeveri, mund ta çojë deri në fund gjysmën e mandatit të ministrit të Inovacionit, në rast se nuk rrëzohet qeveria.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj ka njoftuar se i ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dorëheqjen e tij nga posti i ministrit.

Beqaj dha dorëheqje pas vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës , Kadri Veseli për largim nga detyra të të gjithë anëtarëve të kësaj partie politike, që kanë aktakuza.

Besim Beqaj akuzohet për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës se Kosovës. 

Menjëherë pas dorëheqjes së tij, në media u tha se vendin e tij mund ta zë Shaqir Totaj. Kandidati që ia humbi PDK-së zgjedhjet në Prizren, përballë Mytaher Haskuksës së VV-së.

Edhe pse Totaj deklaroi se është i gatshëm ta zë postin e Besim Beqaj, duket se PDK-ja është më e gatshme që këtë ministri t’ia besojë Blerand Stavilecit.

Express ka tentuar të marrë një prononcim nga Stavileci por numri i telefonit të tij nuk ka pasur qasje në rrjet.

Ndryshe, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, po thotë se po synon ta luftojë korrupsionin, fillimisht duke i larguar nga partia njerëzit e tij që kanë probleme me ligjin. Kjo edhe ka shkaktuar tensione brenda PDK-së.

Sidoqoftë, Stavileci, në publik njihet për deklarata të ngutshme. Kur ai mbante postin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, i porositi qytetarët që të mos bëjnë shumë fëmijë, kur kanë të ardhura të vogla.

Së fundmi ai nxiti reagime në Facebook kur një postim ua dedikoi “mohuesve të shtetit”, aty i nxjerri edhe medaljet.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, deri më tani nuk njihet që ka kryer ndonjë punë për qytetarët, përveç që ka shtuar numrin e Ministrive në Qeveri. Së fundmi u raportua se kjo ministri kishte dhënë subvencione për një sallon ondulimi në Fushë-Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat