Për gjendjen në arsim përplasen Nisma e PDK-ja

Aktuale

Për gjendjen në arsim përplasen Nisma e PDK-ja

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 14:11
Kuvendi i Kosoves

Deputetja e Nismës Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimi, ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të gjitha dështimet po ia atribuojnë ministrit Shyqiri Bytyqi, pasi sipas saj disa nga dështimet kanë ndodhur viteve të kaluara.

Ajo tha se nëse do ta kishin seriozisht deputetët që folën për dështimet nuk do t’i mbetej asnjë punë ministrit.

Halimi: Asnjë punë nuk i kish mbet ministrit Bytyqi me e bë tash

“Me e pas kaq seriozisht kolegët që folën deri tani për arsimin besoni që bash asnjë punë nuk i kish mbet ministrit Bytyqi me e bë tash. Qysh ka mundësi për shembull LDK-ja  me PDK-në me bë pyetje pse nuk ka çerdhe publike, qysh ka mundësi VV-ja me e pyet Nismën ose z.Bytyqi pse fëmijët 0-5 vjet shkojnë në çerdhe private, shkojnë në çerdhe private se nuk ka çerdhe publike, çerdhet publike kush nuk i ka bë, nuk i ka bë ministri Bytyqi. Unë po e marr vetëm një shembull Prizrenin, në Prizren ka qenë vetëm një çerdhe publike dhe atë e kanë privatizuar, pra Prizreni si një qytet i dytë nuk ka pasur asnjë çerdhe publike dhe normalisht që fëmijët detyrohen të shkojnë në çerdhe private. Pse nuk i ka bërë ministri Bytyqi apo nuk i ka bërë Qeveria Mustafa që ka qenë edhe PDK-ja aty. Vetëm tani në Prizren në këtë vit po ndërtohen tri çerdhe publike, kjo është pra. Nëse dua m të jemi real të flasim në këtë formë, jo t’ia atribuojmë dështimet e Qeverisë së kaluar ministrit Bytyqi”, tha ajo.

Ajo tha se kritikat e dhëna nga deputetët drejtuar ministrit aktual të Arsimit janë të pabaza.

Deputetja Halimi tha se nuk mund të thotë PDK-ja që e ka pasur prioritet kombëtar arsimin kur nuk ka ndarë buxhet për të.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e PDK-së Luljeta Veselaj-Gutaj, e cila ka përmendur disa nga vendimet që ishin marrë kur me MAShT-in kishte udhëhequr PDK-ja.

Gutaj: PDK e ka pasur prioritet dhe do ta ketë gjithmonë arsimin

“PDK e ka pasur prioritet dhe do ta ketë gjithmonë arsimin. Desha t’i numëroj të arriturat të cilat janë bërë dhe mbeten historike gjatë qeverisjes së PDK-së në MAShT. E para, në vitin 2007 kur PDK e ka marr qeverisjen në MAShT mësimdhënësve iu ka kthyer dinjiteti me rritjen e pagave qind për qind. Infrastruktura shkollore është përmirësuar mbi 90 përqind, kemi pas shkolla të reja. E treta, PDK iu ka ofruar mundësi studimi shumë studentëve të cilët e kanë ëndërruar studimin duke u nisur nga Prizreni, regjioni i Prizrenit që nuk kanë pasur mundësi. Sigurimi i librave falas, PDK dhe prioritetet e PDK kanë dhënë librat falas deri në klasën e 9-të”, tha ajo. 

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme ku po diskutohet për gjenden dhe vendimet e MAShT-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat