Edhe Xhabir Zharku i del kundër: Vendimi i Kadri Veselit, i padrejtë

Aktuale

Edhe Xhabir Zharku i del kundër: Vendimi i Kadri Veselit, i padrejtë

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 17:38
Xhabir Zharku

Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, ka folur për vendimin e kryetarit të PDK’së Kadri Veselit për t’u larguar të gjithë ata persona që kanë aktakuza nga partia. Njëjtë si disa persona tjerë të PDK’së, edhe Zharku ka dalë kundër vendimit të Veselit.

Zharku që ka qenë edhe kryetar i degës së PDK’së në Kaçanik ka thënë se edhe pse ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të degës, nuk jep dorëheqje nga partia, pasi që këtë e vendos elektorati.

“Nuk jam pjesë e strukturës, por pjesë e Partisë Demokratike, unë e konsideroj vetën pjesë të partisë, edhe atëherë kur kam dhënë dorëheqje, dhash dorëheqje vetëm nga pozita në Kaçanik, por jo nga të qenurit anëtar. Jam anëtar pa ndonjë funksion, sepse edhe nuk kam marrë pjesë në garat që janë bërë kohët e fundit. Sikur të isha pjesë e garës do të vendoste elektorati nëse do të largohesha, jo një njeri apo një kryesi. Nëse parashah ligji që largohesh, largohesh, kurse partia ka rregulla të tjera”, tha Zharku në T7.

Sipas ish ‘komandantit të UÇK ‘së, nëse do të duhej të merrej një vendim i tillë njëjtë do të duhej të vepronin të gjitha partitë, e jo vetëm PDK’ja.

“Unë mendoj se kjo është e padrejtë sepse për këtë vendim të kishte një konsensus te  krejt partisë, sepse kjo mund të dëmtojë vetë partinë në elektorat, duke dalë si partizan i asaj qe në po i largojmë nga partia. Nuk di se këta që janë përfolur në media janë dënuar. Mendoj se është e padrejtë ta marrim ne si individë apo parti ligjin në dorë. Duhet theksuar se pas luftës ka qenë një listë që përfshinë 150 e disa udhëheqës që Serbia i ka shpallë armiq, e për çudi të gjithë këta njerëz po ndiqen nga ligji për krime”, shtoi tutje.

Sipas Zharkut, PDK po dëmtohet me këtë vendim, derisa duke folur për kreun e partisë tha se Kadri Veseli ka bërë një vendim të ngutshëm.

“Partia Demokratike konsideroj unë që po dëmtohet sepse është ligji që vendos për këtë, me një anë po thirremi në ligje. Unë mendoj që Kadri Veseli ka bërë një vendim të ngutshëm, parimisht mund të ketë të drejtë, por, e dëmton partinë, pse u bë bash në këtë kohë, pse su vendosen rregullat para se të shkojmë në zgjedhje partiake. Mendoj se kjo nuk është e hijshme”, shtoi tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat