Hasani: Kryeministrit i takojnë kompetencat për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë

Aktuale

Hasani: Kryeministrit i takojnë kompetencat për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 00:40
Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se Kryeministri i ka kompetencat për të nënshkruar ndonjë marrëveshje të mundshme me Serbinë.

Hasani për “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë ka thënë se Ekipi Negociator asnjëherë nuk ka qenë i nevojshëm.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Ekipit Negociator është bazuar në një vendim të vitit 2014 i njohur në publik si rasti i “VLAN”.

Ai ka thënë se çdo hap i ekipit negociator do të shpallej jo kushtetues dhe çdo marrëveshje e mundshme që do të arrihej me Serbinë nga ky ekip do të anulohej.

Hasani ka thënë se edhe Presidenti nuk ka të drejtë ta përfaqësoj Kosovën në dialog, pasi Kushtetuta e Kosovës këtë rol ia jep ekzekutivit.

“Kushtetuta jonë është kushtetutë e një vendi që ka demokraci parlamentare. Parlamenti ynë është zinxhiri legjitimues i të gjitha institucioneve tjera shtetërore direkt apo jo”.

“…Ekzekutivi është ai që propozon dhe ekzekuton kurse Kuvendi mbikëqyr politikën e brendshme dhe të jashtme. Kjo është e çartë në Kushtetutë si loti dhe nuk mundet ky rol t’i jepet edhe shefit të shtetit”, tha ai.

I pyetur se kush do ta nënshkruante një marrëveshje të mundshme me Serbinë pas vendimit të Kushtetueses, Hasani ka thënë se kjo punë është shprehur shumë çartë në Kushtetutë.

“Shefi i ekzekutivit propozon dhe ekzekuton politikën e jashtme. Ai duhet t’i propozojë Kuvendit politikën e jashtme dhe në bashkëpunim me Kuvendin diskutojnë çështjen e dialogut me Serbinë dhe kur janë në pyetje çështje të sovranitetit nuk është nevoja për bartje të kompetencave të ndonjë delegacioni pasi Kryeministri në bashkëpunim me Kuvendin merr mandatin për atë marrëveshje”, tha ndër të tjera Enver Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat