Vjen thirrja për Haradinajn: Kryeministër vepro e mos bëjë pazare si me Çakorrin se do të të fshijë historia

Aktuale

Vjen thirrja për Haradinajn: Kryeministër vepro e mos bëjë pazare si me Çakorrin se do të të fshijë historia

Nga: A.ZH Më: 30 qershor 2019 Në ora: 08:00
Ramush Haradinaj

Profesor doktor Binak Maxharraj, ia ka kujtuar sërish kryeministrit Ramush Haradinaj gabimin me Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai në një reagim të dërguar në “Bota sot”, ka thënë se Haradinaj iu nënshtrua presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, duke nënshkruar këtë marrëveshje.

Maxharraj ka thënë se Haradinaj bëri gabim të madhe edhe kur ia la në dorë udhëheqjen e dialogut presidentit Thaçi.

Ai ka thënë se dialogun duhet ta udhëheq Qeveria e Kosovës, pasi sipas tij, vetëm kështu mund të ndalet presidenti që të mos negociojë për ndarjen e Kosovës.

Maxharraj i ka thënë Haradinajt se ai nuk duhet të frikësohet nga PDK-ja, pasi ajo tashmë “është e plagosur” dhe nuk mund ta rrëzojë më Qeverinë.

“Kryeministër vepro në dobi të shtetit, në dobi të Kosovës, në dobi të kombit. Thaçi duhet larguar nga dialogu, përndryshe nëse fillon edhe një herë pazare si me rastin e Çakorrit ka me të fshi historia, ska me të përmend më për asgjë të mirë, veç për të keq”, ka shkruar ndër të tjerash Maxharraj.

Shkrimi i plotë:

Kryeministër kah do t’ia mbash?!

Për tri vite rresht kalurove nëpër tërë Kosovën në mbrojtje të Çakorrit.

T’u bashkua populli, të admironte sepse po i dilje zot atedheut, ashtu edhe siç luftove për të e derdhe edhe gjakun e familjes.

Por pas tri viteve u mashtrove. Unë nuk e di a u mashtrove vetë, apo të mashtruan. Besoj që të dyja janë të sakta. Por e di së në ty diçka para së me shku në Hagë të kishte mbet ëmbël.

Pra, Kryeministër edhe u mashtrove, por edhe të mashtruan, e saktë. Të kishte mbet ëmbël me u bë Kryeministër.

Pozitën e Kryeministrit nuk ta fali Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli pse je burrë i mirë, por ta dha për diçka krejt tjetër, më të mashtruar, me të ble, kur ata e hetuan se ti je i shashtrisur pas pozitës së Kryeministrit.

E vërtetë, ngadalë ta vunë lakun rreth qafës dhe të lëshuan. Kur u ule në atë folen e Kryemistrit fillimisht i thirre në zyre familjaret tu për më të pa se si dukesh si Kryeministër. Kogja shumë t’u pat rritë mendja. Por, lakun që ta vunë rreth qafës Hashimi dhe Veseli po shtërngohej gjithnjë e më shumë.

Të thanë harroje Çakorrin dhe ti e harrove duke e nënshkruar demarkacionin me Malin e Zi. Pra, Kryeministër për një karrige e humbe me dorën tande përkrenarinë, folenë e shqiponjave, ujëvaret, livadhet dhe liqenet e bukura që veq zoti ka ditë me i kriju. I humbe përgjithmonë.

Për këtë populli ta kthej shpinën, i cili të pati shoqëruar për gjatë tri vjeteve të kalurimit tënd nëpër Kosovë duke e mbrojtë Çakorrin.

2.

E vazhdove punën si kryeministër, me shumë skandale dhe afera korruptive, nepotizëm, etj, por për një gjë u dallove, u bëre kokëfortë kur i the jo Hashim Thaçit së nuk guxon të prekësh kufijtë e Kosovës, nuk kemi luftuar për me e ndarë Kosovën sërish me Serbinë, do të derdhet gjak përsëri. Këtë qëndrim e mori vesh krejt bota. E ndale Thaçin. Por, edhe taksa 100% me Serbinë ta dha fuqinë, ta rriti mendjen, nuk u dorëzove as ndaj ndëkombëtarëve. Por, Thaçi ashtu siç është i pabesë nuk dorëzohet lehtë në qëndrimet e tij për korigjimin e kufijve, sepse e ka bishtin e zënë nga Serbia. Për këtë e formove një ekip për negocim me Serbinë. Ky ekip nuk i pëlqente aspak Thaçit që të vazhdojë dialogun me çetnikun Vuçiq anipse dialogu ishte ndërprerë. Këto ditë Gjykata Kushtetuese e vendosi jashtë loje këtë ekip negocues si antikushtetues.

Tash Kryeministër kah do t’ia mbash, kah do të shkosh. Kushtetuesja është fjala e fundit, s’ka kundërshtim. Ekipi është ad acta. Dialogu është i ndërprerë, nuk vazhdon. Dialogu me Serbinë ka rënë në pikën zero, duhet të fillohet nga fillimi. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese udhëheqja me dialogun nuk i takon Presidentit, por Qeverisë. Udhëheqjen e dialogut deri më tani nga ana e Presidentit e mori me zor e grabiti me fajin e Kryeministrit, i cili udhëheqjen e dialogut ia kaloi Presidentit. Ky ishte gabimi fatal që e bëri Kryeministri. Diçka që s’i falet, diçka që nuk guxon të përsëritet. Diçka e pa presedant. Kryeministri nuk ka pas të drejtë të vepronte kështu, sepse me Kushtetutë nuk parashihet kalimi i kompetencave nga një nivel në tjetrin.

Dialogu duhet të vazhdojë, por pa Thaçin?!

Dialogu duhet të vazhdojë, por pa Thaçin, sepse Presidentit këtë të drejtë nuk ia jep Kushtetuta, kjo është detyrë e Qeverisë, pra e Kryeministrit. Këtë e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese këto ditë, por këtë në mënyrë brilante e tha edhe Enver Hasani, njohës i mirë i kushtetutës, por edhe dikur Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kur tha se: “Kompetencat për udheheqjen e dialogut i takojnë me Kushtetutë vetëm Qeverisë e jo Presidentit, i cili deri më tani jo ligjshmërisht e ka uzurpuar dhe udhëheq dialogun.

Kryeminister dialogun me Serbinë duhet ta udhëheq Qeveria, pa marrë parasysh që a i pëlqen kjo dikujt apo jo. Kështu,Thaçi do të eliminohet nga loja e dialogut, por do te eliminohet edhe rreziku për ndarjen e Kosovës. Do të eliminohen edhe të gjitha pazaret që Thaçi fshehtas i ka bërë me Vuçiqin.

Kryeministër me e rëndësishme është Kosova se sa Thaçi i shantazhuar me dosje nga Serbia. Ke mendjen kah po shkon. Dialogun duhet ta marrësh vetë në dorë dhe ta fillosh nga fillimi, sepse Thaçi asgjë të hajrit nuk ka bërë për Kosovën ,veç dëme të pariparueshme derisa e qiti në pazar edhe vetë ekzistencën e shtetit.

Duhesh të jesh në nivel të detyrës Kryeministër, e di se PDK do te revoltohet, por mos u frikëso nga ajo. PDK nuk është më ujk i vjetër, ajo tash është e plagosur, përçarjet dhe tronditjet brenda saj veç kanë filluar. PDK edhe më desht nuk e rrëzon qeverinë, sepse nuk guxon të shkojë në zgjedhje, sepse do të pësojë katastrofë.

Por, edhe eventualisht nëse shkohet në zgjedhje, zgjedhjet do të prodhonin koalicione të reja, të cilat do ta nxirrnin Presidentin Hashim Thaçi jashtë lojës së dialogut me Serbinë dhe kështu prapë do të eliminohej rreziku nga ndonjë kurth i Hashim Thaçit.

Kryeministër vepro në dobi të shtetit, në dobi të Kosovës, në dobi të kombit. Thaçi duhet larguar nga dialogu, përndryshe nëse fillon edhe një herë pazare si me rastin e Çakorrit ka me të fshi historia, ska me të përmend më për asgjë të mirë,veç për të keq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat