Rrëfime të padëgjuara rreth deklaratës së 2 korrikut, ja çfarë kishte ndodhur atë ditë

Aktuale

Rrëfime të padëgjuara rreth deklaratës së 2 korrikut, ja çfarë kishte ndodhur atë ditë

Nga: H.O. Më: 2 korrik 2019 Në ora: 06:24
Arkiv

29 vite më parë ishte shpallur pavarësia e Kosovës nga delegatët e asaj kohe, në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

I pranishëm në këtë ngjarje, Adnan Merovci shpjegon detajisht se çfarë kishte ndodhur atë ditë.

Në një postim të tij në Facebook, madje ai shkruan se atë ditë Eva Brendlli, një humaniste dhe luftëtare për të drejtat e njeriut, e cila ishte e verbër, iu kishte thënë se nëse arriti ta jetësoni këtë ngjarje sot, pas 10-15 vitesh do të jeni të lumtur.

Postimi i plotë:

 

Veç fakte!
Më 2 korrik 1990, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, të penguar për të hyrë brenda sallës, delegatët shqiptarë aprovuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës duke e shpallur atë Republikë të Pavarur nga Serbia. Ishte kjo një ngjarje që tashmë pritej nga populli pas të gjitha atyre ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën si rezultat i okupimit klasik të Kosovës nga regjimi antishqiptar serb. Delegatët e udhëhequr nga Iljaz RAMAJLI, Bujar GJURGJEALO, Muharrem SHABANI, Adem MIKULLOVCI etj., të gjithë delegatë të Kuvendit të Kosovës, ishin ata që organizuan skenarin e kësaj mbledhjeje. Shumë pak njerëz dinin se mbledhja mund të mbahej edhe në sallën e madhe të Bankës së Bashkuar të Kosovës (BBK), ku unë kisha rolin e hapjes së dyerve dytësore të Bankës dhe delegatët do të hynin me shpejtësi për ta shpallur Deklaratën e Pavarësisë, në rast se do të pengoheshin që këtë ta bënin para hyrjes së Kuvendit. Një natë më parë unë kisha siguruar çelësat shtesë për ta realizuar këtë skenar.

Unë me disa shokë dhe kolegë të punës në BBK, hipëm në katin e 14-të (ndërtesa e Qeverisë së sotme) dhe vëzhgonim situatën. Në një moment pashë Adem MIKULLOVCIN dhe Bujar GJURGJEALON që u ndanë nga të tubuarit dhe iu drejtuan ndërtesës së BBK-së. Menjëherë vrapova poshtë duke menduar se varianti i hyrjes në sallën e BBK-së do të ndodhte. Megjithatë, ata të dy erdhën te Sylë GASHI, që ishte drejtor sektori, për të fotokopjuar disa materiale. Unë fola me Ademin, i cili pak si me habi më shikoi dhe e kuptova se mbledhja aktualisht nuk do mbahej në sallën e BBK-së.
Pas pak kohe, tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, të cilën e lexoi Muharrem SHABANI, e aprovuan delegatët dhe pasoi duartrokitja.

Ishte kjo një ngjarje historike që do të ishte paraardhëse e proceseve të mëvonshme me aprovimin e Kushtetutës më 7 Shtator 1990 në Kaçanik.

Në oborrin e Kuvendit të Kosovës përpos shumë gazetarëve ndodhej edhe znj. Eva BRENDLLI, një humaniste dhe luftëtare për të drejtat e njeriut, e cila nga paaftësia për të parë (ishte e verbër) shoqërohej nga qeni i saj. Znj. BRENDLI, në një ndeje pas kësaj ngjarjeje, na tha të pranishmëve:

“Nëse arrini ta jetësoni këtë që bëtë sot brenda 10-15 vjetëve, ju duhet të jeni të lumtur”.

Ishte kjo një gjë të cilën të gjithë e dëgjuam me habi.

Koha e vërtetoi se znj. BRENDLLI, aktiviste dhe këshilltare e senatorit amerikan Bob DOLL, që asokohe u rrinte shumë afër shqiptarëve, kishte pasur të drejtë.

Shkëputur nga libri: “Në hap me RUGOVËN-2”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat