“Si mundet një politikan shqiptar të thotë se kufijtë e Kosovës janë mirë kur tokat shqiptare ndodhën të pushtuara nga Serbia deri në Nish”

Aktuale

“Si mundet një politikan shqiptar të thotë se kufijtë e Kosovës janë mirë kur tokat shqiptare ndodhën të pushtuara nga Serbia deri në Nish”

Nga: Z.B Më: 2 korrik 2019 Në ora: 15:09
Kuvendi i Kosovës

Kryetari  i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Kushtrim Kadriu, me seli në Gjilan ka thënë për gazetën “Bota sot” se është shqetësuese fakti pse ideja e bashkëngjitjes së Preshevës me Republikën e Kosovës po përballet me një kundërshtim të madh tek një pjesë e spektrit politik në Kosovë.

“Është për t’u shqetësuar fakti se si kjo ide kundërshtohet në masë të madhe nga një pjesë e spektrit politik të Kosovës, të cilët gjerë tani u thirrën në “gardian të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Republikën e Kosovës”! Të dëgjosh se janë kundër dhënies së pjesës veriore të Kosovës është në rregull, por të kërkosh mosndryshim të kufijve është antikombëtare. Si mundet një politikan shqiptar, e mbi të gjitha një shqiptar, të thotë se kufijtë e Kosovës janë mirë dhe ato nuk duhet ndryshuar, kur tokat shqiptare ndodhën të pushtuara nga Serbia deri në Nish, e lëre më Presheva, Bujanoci, Medvegja, e të harrohen, e të cilat gjerë në mesin e shekullit të kaluar ishin pjesë të Kosovës?”, ka thënë ai.

Image
Kushtrim Kadriu

Tutje, Kadiru ka shtuar se kjo qasje e këtyre politikanëve kundër idesë për “ndryshim kufiri”, sipas tij, direkt i bie, se janë kundër idesë për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.

“Shtrohet pyetja legjitime se përse në Kosovë u bë luftë e sakrificë nga qindra e mijëra banorë të Kosovës? Dihet qartë se kjo u bë për të larguar Serbinë nga shtëpitë e tyre, e për të jetuar të lirë në vend të tyre!... Shtrohet pyetja logjike tjetër për politikanët që mbështesin këtë tezë, se a ka logjikë që shqiptarët e Luginës edhe në shekullin e 21 të jetojnë me Serbinë mbi kokë e të përballën me ndjenjën e frikës, terrorit policor e ushtarak, ashtu siç u përball Kosova për afro një shekull? Sigurisht se një politikan e një shqiptar me kujtesë të shëndoshë nga e kaluara e hidhur nuk do e lejonte një gjë të tillë”, tha ai për “Bota sot”.

Ai më tej tha se banorët e Kosovës Lindore ndihen inferiorë e të lënë anash tash e 20 vite nga shteti amë Republika e Kosovës, ngase, siç thotë ai, edhe me këtë qasje të politikanëve nga Kosova dhe mbi të gjitha të liderëve institucional, rritet doza e dyshimit, hidhërimit e lënies anash.

“Qasja e politikanëve të Kosovës ndaj problemeve të shqiptarëve të Luginës duhet të jetë politikë reale e jo para zgjedhjeve të flasin për një përkujdesje për këta banorë, e pas zgjedhjeve të jenë kundër tyre. Kjo politikë është e këtillë - antikombëtare dhe punë prapa shpinës. Në të gjitha ngjarjet me rëndësi në Kosovë morën pjesë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe dhanë kontribut në të gjithë aspektet, e deri tek lufta dhe vdekja për liri. Nga këto regjione u mblodhën ndihma humanitare –kombëtare dhe u përcollën në Kosovë në çdo çast, nëpër postet e policisë serbë dhe të pritave të sigurimit shtetëror e atij të veçantë ushtarak. Kamionët me miell e ushqime, e veshmbathje, më vonë edhe me armë, kaluan kufirin përgjatë tërë vijës dhe sollën në Kosovë gjithë kohën në luftë e në robëri gjithçka ishte e nevojshme për jetë të banorëve të Kosovës”, ka shtuar Kadriu.

Ai gjithashtu tha se mbledhja e parave dhe kontributeve u bë edhe në Luginë mu sikur në Kosovë e edhe më fort, duke qenë unik të gjithë në një pikë të përbashkët, të interesit kombëtar të përgjithshëm dhe sipas traditave, sipas tij, ndodhi mandej edhe lufta dhe pas saj përplasjet në kufirin lindor me serbët me UÇPMB-në, e cila vazhdoi misionin e Ushtrisë Çlirimtare, pasi ishte nevoja dhe duhej ashtu të veprohej.

“Ndodhi si e çka ndodhi deri tani dhe ja erdhëm në këtë kohë, kur shumë vlera dhe pika nderi e kombi po nëpërkëmben e po shuhen nga interesat e tërpisë politike të bosëve të rinj dha padronëve shqiptarë mafiozë në pushtete, andej e këndej, dhe qasjes për pushtet për vete dhe bërjes miliarder me çdo kusht. Përplasjet kohëve të fundit rreth Luginës testuan gjendjen dhe moralin gjithëpopullor andej e këndej, apo këndej e andej, dhe treguan shumë entuziazëm e ngashërim se në mos po ndodhë më e mira edhe për banorët e Luginës, mirëpo për të keq, pati dhe po ka edhe shumë kundërshti dhe mospranim të qasjes kësaj problematike kombëtare nga liderët, rrymat e partitë në Kosovë”, tha Kushtrim Kadriu.

Sipas tij, nëse ndonjëri çohet e thotë diçka për mirë, çohet shpejt tjetri dhe atë qasje e konsideron tradhti kombëtare, dhe e kundërta. Kjo sipas Kadriut, bëhet për inat të njeri tjetri, mandej po pëson edhe kombi, pjesa në Luginë veçmas, sepse liderët dhe bosët miliarderë kanë tani hallin se si të rrisin miliardat e të shtyhen me botën, pa pasur më për kombin as edhe një ndjenjë njeriu, se le më kombi!

“Vrapi urban marramendës pas pasurimit kriminal hodhi përtokë të gjitha vlerat dhe kombi përnjëherë mbeti pa forcë nga vetë bijtë e vet të stërkequr! Kjo kështu është kundër kombit tonë, pa marrë parasysh ndarjet territoriale që na bënë të huajt dhe armiqtë, kurse ne duhet krejt me një mendje e një veprim të punojmë për unitetin e kombit dhe të atdheut dhe të kundërshtojmë bosët e mafiozët që shtiren për njerëz besnikë të politikës kombëtare, përderisa e prunë kombin në këtë gjendje, pa pasur kurrfarë nevoje! Lugina është pjesë e atdheut dhe unikë në tërësinë që quhet vend i kombit, në çka duhet luftuar edhe tanët që janë çoroditë pas plaçkës e punëve”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat