Pasardhësi i Mogherinit është kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe mik i Serbisë

Aktuale

Pasardhësi i Mogherinit është kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe mik i Serbisë

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 21:12
Josep Borrell Fontes

Përfaqësuesja e Lartë e Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë për BE, Federica Mogherini, është në përfundim të mandatit të saj dhe Këshilli i Evropës ka propozuar si pasardhës të saj ministri aktual të Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell Fontes.

Me shumë gjasa, Josep Borrell Fontes do të udhëheqi dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, por mbetet për t’u parë nëse do të ketë avancime në këtë proces.

Spanja është një nga pesë anëtaret e Bashkimit Evropian e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak edhe të problemit të saj të brendshëm me rajonin bask dhe atë të Katalonjës.

E Josep Borrell Fontes është kundërshtar i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës.

Më 13 mars të këtij viti ai pati qëndruar në Beograd. Atje ai pati thënë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet në një zgjidhje të qëndrueshme kompromisi për çështjen e Kosovës, duke përsëritur se Spanja nuk e pranon Kosovën.

“Sa i përket Kosovës, kemi përsëritur qëndrimin e Spanjës për mosnjohjen e Kosovës dhe njëkohësisht vlerësojmë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet në një zgjidhje të qëndrueshme kompromisi”, kishte thënë Borrell në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai ka thënë se Spanja beson në dialogun si zgjidhje, siç është vërtetuar me rastin e marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Duke komentuar krahasimin e çështjeve të Kosovës dhe Katalonjës, ministri spanjoll tha se këto dy situata nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën.

“Ajo çfarë ndodhi në Kosovë nuk ka lidhje me Katalonjën. Krahasimet e këtilla nuk kanë fare rëndësi”, tha Borrell.

Ai shtoi se Spanja mbështet edhe perspektivën evropiane të Serbisë.

“Gjithsesi që mbështesim dëshirën e Serbisë për t’iu bashkangjitur familjes evropiane, për të vazhduar me procesin qasës. Reformat tregojnë se Serbia avancon në këtë sferë dhe Spanja e mbështet që të vazhdojë në këtë drejtim”, tha Borrell.

Kryediplomati spanjoll tha se vizita e tij në Beograd shërben që Spanja të përsërisë përkushtimin e saj për paqe në Ballkan.

Duke folur për bashkëpunimin mes Serbisë dhe Spanjës, shefi i diplomacisë spanjolle vlerësoi se nevojitet shkëmbim më i madh kulturor, ekonomik dhe arsimor mes dy vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat