Tahiri: Kosova, aleat i besueshëm i BE-së në luftën kundër terrorizmit

Aktuale

Tahiri: Kosova, aleat i besueshëm i BE-së në luftën kundër terrorizmit

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 13:39
Pamje nga takimi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim delegacionin e ekspertëve të Bashkimit Evropian, që po qëndrojnë në vizitë në Kosovë për të diskutuar veprimet e Kosovës në zbatimin Planit të Përbashkët kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.

Tahiri i njoftoi delegacionin për ndryshimet ligjore, nisur nga ndryshimi i Kodit të ri Penal si dhe Kodit të ri të Procedurës Penale, që tashmë parasheh edhe gjykimin në mungesë dhe zgjatjen e hetimit për veprat e tilla, dhe që do të ndihmojnë Kosovën në luftim më efikas të këtyre dukurive.

Këto ndryshime ligjore, sipas tij, kanë mundësuar edhe krijimin e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe në Gjykatën e Apelit, që do të trajtojnë lëndët e Prokurorisë Speciale, duke dëshmuar përkushtimin dhe vendosmërinë e institucioneve për luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Në kuadër të Planit të Përbashkët, Tahiri përmendi aksionin e përmbyllur më 19 prill, që ktheu në Kosovë 110 qytetarët kosovarë nga Siria. Ai siguroi delegacionin e Bashkimit Evropian që të gjithë të dyshuarit do të dalin para drejtësisë, ndërsa viktimat do të vazhdojnë rehabilitimin e tyre dhe riintegrimin në shoqëri. 

“Duke qenë anëtarë të Aleancës Globale Kundër ISIS, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të vendosura në përmbushjen e obligimeve të saja. Do të punohet që emri i Republikës së Kosovës të mos ndërlidhet në asnjë formë me luftën që po zhvillohet në Siri”, tha Tahiri.

Ministri gjithashtu u zotua për zbatim efektiv të Planit të Përbashkët kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha shtetet e rajonit dhe shtetet anëtare të BE-së dhe të ofroj përvojën e Kosovës nga procesi i kthimit, programeve të rehabilimit dhe riintegrimit.

Nga ana e tyre, delegacioni nga Bashkimi Evropian kanë përgëzuar Kosovën në aksionin për kthimin e qytetarëve nga zona e konfliktit, rezultatet e arritura në përgjithësi në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat