Profesori universitar: Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë, ndikimi i Borrell do të jetë më i vogël 

Aktuale

Profesori universitar: Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë, ndikimi i Borrell do të jetë më i vogël 

Nga: Valon Rogova Më: 3 korrik 2019 Në ora: 17:09
Josep Borell

Emërimi i Joseph Borell në vend të Frederica Mogherinit, nuk përbën problem për Kosovën, vlerëson profesori universitar Rrahman Paqarizi për gazetën “Bota sot”.

Ai, theksoi se Borell do të jetë një ndërmjetës në dialogun Kosovë – Serbi dhe që s’do të ketë efekt të madh, ndonëse përcakton agjendat dhe formatin e takimeve.

‘’Emërimi i spanjollit Josep Borell në vend të Federica Mogherinit nuk do të duhej të përbënte problem për Kosovën pasi ai është një ndërmjetës në dialog dhe nuk ka shumë në dorë, ndonëse si i tillë i përcakton agjendat dhe formatin e takimeve’’, tha ai.

Paqarizi, konsideron se, bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, tashmë, kanë arritur progres, që për rrjedhojë, janë në një niveli më të lartë se që ishte më parë.

Image
Rrahman Paqarizi

“Për mua, dy janë elementet që më bëjnë optimist: e para që dialogu po rrëshqet në nivele më të larta siç janë përpjekjet e Berlinit e Parisit. Në të vërtetë, zyra e Mogherinit apo tash e Borellit kanë autorizime për dialogun teknik por jo përtej’’, tha ai.

Rrahman Paqarizi, u shpreh se tash kur kemi hy në një fazë tjetër, kapacitetet e asaj zyre janë të pamjaftueshme për t'iu qasur problematikës së synuar. Gjithashtu, sipas tij, në këtë fazë pritet përfshirje më e madhe amerikane që e relativizon skajshëm ndikimin evropian sidomos atë të zyrës së Mogherinit a Borellit.

“Një element tjetër është fakti se Borelli duhet të përfaqësojë politikat e përbashkëta të BE-së dhe jo të vendit të tij. Në vitin 1999 Javier Solana ishte sekretar i përgjithshëm i NATO-s, pra spanjoll, e udhëhoqi fushatën e sulmeve ajrore kundër Serbisë’’, tha ai.

Ndryshe, në vend të Frederica Mogherinit, tashmë do të jetë Josep Baroll, në krye të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat