Limaj: Ku të shkoj unë pas gjykatave? Te ndonjë hoxhë, sheh, prift apo te Burdushi?

Aktuale

Limaj: Ku të shkoj unë pas gjykatave? Te ndonjë hoxhë, sheh, prift apo te Burdushi?

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 22:55
Fatmir Limaj

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj në Rubikon të KTV-së ka thënë se Eulexi është një mision i dështuar në Kosovë.

Ai ka deklaruar se Eulexi kishte bastisur një institucion publik pa urdhër të gjykatës, dhe në ditën që ishin hapur hetimet.

Limaj thotë se janë bërë dhjetë vjet që ishte hapur procesi gjyqësor ndaj tij në rastin e MTPT-së, pafajësinë e të cilit ditë më parë e vërtetoi Gjykata.

“Janë katër procese gjyqësore veç e veç dhe të gjitha kanë përfunduar me aktgjykim të formës së prerë, pra jam shpallë i pafajshëm. Tri janë për krime lufte, dhe kjo e fundit në MTPT. Procesi që është mbyllur dje i ka dhjetë vjet që është hapur. Më vjen mirë që Gjykata e shkallës së parë dhe të dytë ka vërtetuar ato që ne i kemi thënë që nga dita e parë”, ka thënë Limaj.

Sipas tij elementet e Prokurorisë dhe Policisë janë futë në diçka të pazakontë, në një veprim publik sepse nuk ka pasur aktakuzë por vetëm hapje të hetimeve.

“Sot është marrë vendimi për hapje të hetimeve edhe sot janë bërë ato bastisjet, e këtë e ka zbuluar ky proces gjyqësor. Kanë bërë bastisje pa urdhër të Gjykatës, e pa urdhër të saj janë futur në institucione publike, e në shtëpi të një personi. Ky procesor hetimor ka shkuar dy vjet e gjysmë dhe ka kaluar afati për ngritjen e aktakuzës. Ishte një nguti për me e bërë atë spektakël, por më pas pati heshtje e për një vit e gjysmë nuk është marrë në pyetje i dyshuari”, u shpreh Limaj, i cili tregon se gjatë tërë këtij procesi i janë bërë vetëm katër pyetje.

Tutje ai ka komentuar edhe rastin e fabrikimit të SMS-ve.

“Rrugës është fabrikuar rasti i SMS-ve, ajo nuk është hetuar asnjëherë. E të gjitha këto janë vërtetuar në procesin gjyqësor. Dhjetë vjet fyerje, për mua, familjen e vendin, një persekutim i hatashëm. E në vend se të hetohen montuesit, ose njerëzit e thirrur për të mbrojtur ligjin, jam hetuar unë”, ka thënë Limaj.

Sipas tij të gjitha këto janë bërë me motive të ndryshme.

“Dikush ka dashur të tregojë se misioni i Eulexit është i suksesshëm, por ai është një mision i dështuar. Ata nuk e kanë gajle ligjin, janë hy në koordinim me disa segmente tonat. Çfarë ka ndodh është e habitshme, si i bënë ato veprime pa pasur asnjë aktakuzë’, ka deklaruar ai.

Tutje ai ka thënë se si nuk pati askush nga misioni ndërkombëtar që t’i kërkojë falje për këtë.

“Ku të shkoj unë pas gjykatave? Te ndonjë hoxhë, sheh, prift apo te Burdushi? A duhet t’i besojmë këtij sistemi të drejtësisë apo jo? A nënkupton sistemi i drejtësisë vetëm kur t’i çon njerëzit në burg, apo edhe kur e vërteton të vërtetën?. Më ka habitur fakti se si nuk ka gjetur kurajën me na thënë më falni se kjo ishte gabim, mënyra se si është nisë”, u shpreh Limaj në Rubikon.

Kujtojmë se Limaj akuzohej për krim të organizuar e korrupsion, që ka të bëjë me kurdisje çmimesh të tenderëve në kohën sa Limaj ishte pjesë e PDK-së e ministër i Transportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat